OpenAI zgjedh Londrën si qendrën më të madhe kërkimore jashtë SHBA-së - Business Magazine Albania

OpenAI zgjedh Londrën si qendrën më të madhe kërkimore jashtë SHBA-së

OpenAI zgjedh Londrën si qendrën më të madhe kërkimore jashtë SHBA-së

OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, ka njoftuar se do ta kthejë Londrën në qendrën e saj më të madhe të kërkimit shkencor jashtë Shteteve të Bashkuara. Sipas kompanisë, ekosistemi teknologjik i Britanisë së Madhe ofron një mjedis ideal për të investuar dhe për të zhvilluar sisteme të reja të inteligjencës artificiale.

Ky vendim përforcon ambicien e Mbretërisë së Bashkuar për t’u pozicionuar si një “superfuqi e AI-së”, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po garojnë për të tërhequr investime nga kompanitë që zhvillojnë modele të avancuara të inteligjencës artificiale.

Shefi i kërkimit në OpenAI, Mark Chen, theksoi se përzierja e talenteve, universitetet e njohura dhe institucionet shkencore me reputacion ndërkombëtar i japin Mbretërisë së Bashkuar një avantazh të fortë në këtë fushë, të cilën shumë qeveri e konsiderojnë strategjike për të ardhmen.

Nga ana e saj, ministrja britanike e teknologjisë, Liz Kendall, e quajti zgjerimin e OpenAI në Londër një “votë të madhe besimi” për vendin.

Kjo rikonfirmon rolin udhëheqës të Mbretërisë së Bashkuar si vendi ku mund të zhvillohet inovacioni në AI, një inovacion që është njëkohësisht i sigurt dhe transformues,” u shpreh Kendall në një deklaratë.

OpenAI nuk dha detaje konkrete për planin e zgjerimit, si përmasat e investimit apo numrin e vendeve të reja të punës që pritet të hapen. Kompania, e cila ka selinë europiane në Dublin, hapi zyrën e saj të parë ndërkombëtare në Londër në vitin 2023. Ekipet atje punojnë kryesisht në zhvillimin e softuerëve dhe infrastrukturës së nevojshme për ndërtimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0