Elon Musk: Neuralink do t’u rikthejë shikimin të verbërve brenda një viti! - Business Magazine Albania

Elon Musk: Neuralink do t’u rikthejë shikimin të verbërve brenda një viti!

Elon Musk: Neuralink do t’u rikthejë shikimin të verbërve brenda një viti

Gjatë një bisede të tipit “fireside chat” me akseleratorin e njohur të startup-eve, Y Combinator, Elon Musk ndau së fundmi zhvillime të rëndësishme për kompaninë e tij të ndërfaqes tru-kompjuter, Neuralink. Një nga lajmet më domethënëse ishte ambicia e kompanisë për të realizuar implantime që synojnë t’u japin mundësinë e shikimit personave të verbër.

Nëse arrihet, ky do të jetë një hap gjigant në fushën e neuroteknologjisë. Neuralink kishte mahnitur komunitetin global të teknologjisë katër vite më parë me demonstrimin “Monkey MindPong”, ku një djalë 9-vjeçar luante një videogame vetëm me mendjen, falë çipit të vendosur në tru. Prej atëherë, teknologjia është avancuar ndjeshëm, duke marrë edhe miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të nisur testimet te njerëzit që dy vite më parë. Misioni i Neuralink është të “rikthejë autonominë tek individët me nevoja të patrajtuara mjekësore dhe të çelë dimensione të reja të potencialit njerëzor”. Fillimisht, kompania u fokusua në rikthimin e funksioneve te personat me paralizë, duke u dhënë mundësinë të kontrollojnë sisteme kompjuterike dhe proteza robotike përmes sinjaleve të trurit.

Lexo edhe:‘Retreats’ me skuadrën, çelësi i rritjes për startup-et e sotme

Por tani, teknologjia po shkon përtej. Sipas Musk, “në gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, do të realizojmë implantet e para për shikimin – edhe në raste ku personi është plotësisht i verbër – përmes një sistemi që shkruan drejtpërdrejt në korteksin vizual.” Ai shtoi se kjo teknologji është tashmë testuar: “Një nga majmunët tanë ka pasur këtë implant vizual prej tre vitesh.” Megjithëse nuk bëhet fjalë për rikthimin e shikimit në mënyrë natyrale, çipi synon të komunikojë drejtpërdrejt me zonën e trurit që përpunon informacionin vizual. Fillimisht, përdoruesit mund të përjetojnë një formë shikimi me rezolucion të ulët, por Musk theksoi se me kalimin e kohës teknologjia do të evoluojë drejt një rezolucioni më të lartë. Madje, në një të ardhme, mund të mundësojë përpunimin e “valëve multispektrale”, përfshirë ultravioleten dhe infrakuqin – një lloj përvoje “si superfuqi”.

Ndërkohë, fusha e ndërfaqeve tru-kompjuter (BCI – Brain-Computer Interface) po rritet ndjeshëm. Muajin e kaluar, Apple njoftoi bashkëpunimin me kompaninë Synchron dhe me Nvidia për zhvillimin e teknologjisë që lejon përdoruesit të kontrollojnë pajisjet me mendje. Po ashtu, Paradromics realizoi implantin e parë te një pacient dhe nënshkroi marrëveshje me fondin e investimeve të Neom në Arabinë Saudite. Precision Neuroscience, një tjetër emër i rëndësishëm në këtë sektor, mori së fundmi miratimin e FDA për një komponent kyç të teknologjisë së saj.

Neuralink mbetet një hap përpara për shkak të ekosistemit që Musk ka ndërtuar. Teknologjitë e tjera të tij si Tesla, SpaceX dhe xAI mund të kombinohen për të fuqizuar më tej potencialin e Neuralink. Për shembull, roboti humanoid Optimus i Tesla-s mund të përdoret për të realizuar lëvizje fizike të kontrolluara nga përdoruesit e çipit të Neuralink. Gjithashtu, përparimet e xAI në mësimin e thelluar mund të ndihmojnë për të përmirësuar ndërveprimin mes mendjes dhe pajisjeve.

Megjithatë, siç theksohet në komunitetin shkencor, siguria e pacientëve dhe rezultatet afatgjata janë prioritare. Procedurat e implantimit janë jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe kërkojnë saktësi të jashtëzakonshme. Nëse teknologjia zbatohet me kujdes dhe sukses, mund të sjellë një revolucion të vërtetë në fushën e shëndetësisë dhe të përmirësojë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0