Lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi — A mund të ecë ligji me të njëjtin hap? - Business Magazine Albania

Lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi — A mund të ecë ligji me të njëjtin hap?

Lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi — A mund të ecë ligji me të njëjtin hap?

Kur në janar u përhap një video eksplicite, e krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej këngëtarja Taylor Swift në mënyrë të rreme, platformat digjitale reaguan ngadalë për ta hequr. Ndërkohë, ligji nuk ofroi asnjë përgjigje të qartë për viktimën. Në mungesë të një kuadri ligjor të unifikuar që të mbrojë qytetarët  qofshin ata personazhe publikë apo jo shtetet amerikane po përpiqen të ndërhyjnë me rregullore të fragmentuara.Kjo ka çuar në një “mozaik” ligjesh që ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, duke krijuar paqartësi mes asaj që cilësohet si dëmtim real dhe asaj që mbron lirinë e shprehjes. Në muajin prill, prokurorët në Pensilvani përdorën një ligj të ri për të paditur një burrë që zotëronte 29 imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale me përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve  një ndër rastet e para të ndëshkimit penal për këtë lloj përmbajtjeje sintetike.

Nga frikë fantashkencore në realitet shqetësues

Ajo që dikur shihej si një frikë e largët, e nxjerrë nga librat fantastiko-shkencorë  që softuerët mund të imitonin fytyra, zëra dhe identitete  tani është kthyer në një problem serioz në debatet ligjore, politike dhe të sigurisë kombëtare. Vetëm gjatë këtij viti, mbi 25 ligje të reja për përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale janë miratuar në SHBA. Por një nen në buxhetin e ri të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve mund t’i bëjë këto ligje të pavlefshme për një periudhë 10-vjeçare. Ndërkohë, edhe kundërshtimet ndaj këtyre ligjeve janë shtuar.

Drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë

Teknologjitë e krijimit të përmbajtjes së rreme  që përdoren për të imituar fytyra publike, për të përhapur dezinformim politik apo për të mashtruar qytetarë të zakonshëm  janë bërë kaq të aksesueshme, sa që përhapen në mënyrë virale në rrjetet sociale e platformat digjitale, duke e bërë shumë të vështirë ndalimin dhe ndëshkimin e tyre. “Na duhet të krijojmë një ‘ushtri’ të re,” thotë Laurie Segall, themeluese e platformës mediatike Mostly Human. “Një ushtri që përfshin ligje, rregullore, përgjegjësi nga platformat digjitale  dhe, për fat të keq, viktima që guxojnë të flasin hapur për këtë abuzim.” “Nuk është një fenomen vetëm online,” shton ajo. “Ka pasoja reale në jetën e njerëzve.” Shumica e ligjeve të reja synojnë pikërisht kufizimin e aksesit te këto teknologji. Në Tennessee, për shembull, është miratuar një ligj që e konsideron vepër penale krijimin dhe përhapjen e përmbajtjes seksuale të rreme pa pëlqim, me dënim deri në 15 vite burg. Në Kaliforni, vetëm gjatë një muaji, janë miratuar tetë ligje të reja që rregullojnë gjithçka: nga videot e rreme zgjedhore deri te përdorimi i kësaj teknologjie në industrinë e filmit. Por, terreni ligjor është i paqartë dhe i pabarabartë. Për shembull, një vajzë që sheh fotografinë e saj të profilit në Instagram të përdorur për të krijuar një imazh seksual të rremë, mund të ketë mbrojtje ligjore në Kaliforni  por jo në Texas. Në Indiana, një imazh që nuk duket “mjaftueshëm realist” mund të konsiderohet krim, ndërsa në Idaho apo New Hampshire jo. Në Florida, viktima mund të kërkojë drejtësi edhe nëse autori pretendon se e krijoi imazhin “nga dashuria”, por në Virxhinia kjo nuk mjafton për të ndëshkuar autorin. Sipas studiueses Kaylee Williams, këto përmbajtje të rreme janë një formë moderne e dehumanizimit të vajzave dhe grave në internet  një problem i përhapur, që ende nuk po merret seriozisht nga Kongresi amerikan. Një raport i organizatës Thorn, që punon kundër abuzimit ndaj të miturve, tregon se 1 në 10 adoleshentë njohin dikë që ka qenë viktimë e përmbajtjeve nudo të rreme, ndërsa 1 në 17 thonë se kanë qenë vetë viktima. Një tjetër raport nga Deeptrace në vitin 2019 tregonte se 96% e përmbajtjeve të rreme online ishin pornografi e krijuar pa pëlqim.

Lexo edhe:AI mund të “shkatërrojë” popullsinë e Tokës deri në vitin 2300, paralajmëron eksperti: “Njerëzit nuk kanë asnjë ide çfarë po vjen”

Konflikti mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së viktimave

Në Kaliforni, një krijues përmbajtjesh i quajtur Chris Kohls (i njohur si “Mr Reagon” në rrjetin X) paditi shtetin pas miratimit të një ligji që ndalon videot politike të rreme. Ai publikoi një video satirike që imitonte një reklamë të Kamala Harris dhe pretendoi se ishte thjesht humor politik. Padia u mbështet nga platforma si The Babylon Bee, Rumble dhe vetë Elon Musk. Një gjykatës federal vendosi përkohësisht pezullimin e zbatimit të ligjit, duke thënë se “vepron më shumë si çekiç, sesa si bisturi”. Ndërkohë, kompania X e Musk ka paditur edhe shtetin e Minnesota-s për një ligj të ngjashëm, duke e konsideruar si cenim të lirisë së fjalës dhe një përpjekje të qeverisë për të kontrolluar përmbajtjen online. Në Kongres, ky përplasje ligjore vazhdon. Më 22 maj, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ligjin “One Big Beautiful”, i cili ndalon për 10 vjet ligjet shtetërore që rregullojnë AI-n. Profesoresha e drejtës Jessica Roberts nga Universiteti Emory e ka cilësuar këtë një kërcënim serioz: “AI është një fushë e re ku ligjet ekzistuese nuk funksionojnë më. Nëse ndalojmë ndërhyrjen e shteteve, do të mbetemi të pambrojtur për një dekadë të tërë.” Ndërkohë, pak ditë më parë, Presidenti Trump nënshkroi ligjin “Take It Down Act”, i cili ndalon përhapjen e përmbajtjes eksplicite pa pëlqim (përfshirë ato të krijuara me AI) dhe detyron platformat të reagojnë menjëherë për heqjen e tyre. Ligji u mbështet nga të dyja partitë, por mënyra se si do të zbatohet mbetet ende e paqartë.

Kur teknologjia kthehet në rrezik për identitetin

Bota financiare po e sheh gjithnjë e më shumë këtë fenomen si rrezik për mashtrime me identitet. Në mars, zyrtari i lartë i Rezervës Federale Amerikane, Michael Barr, paralajmëroi se “AI mund të shumëfishojë mashtrimet me identitet të rremë dhe zëra të manipuluar”. Në vitin 2024, një kompani inxhinierike britanike humbi 25 milionë dollarë përmes një video-thirrjeje të manipuluar, ku ekzekutivët menduan se po flisnin me shefin e tyre. Edhe Ferrari ishte viktimë e një rasti të ngjashëm me mesazhe zanore të rreme që imitonin CEO-n. Ndërsa sfidat rriten, shtetet po ndjekin qasje të ndryshme. Në Indi, ku ligjet për këtë fenomen mungojnë, ka kërkesa në rritje për legjislacion specifik. BE-ja përmes Aktit për Inteligjencën Artificiale e ka klasifikuar këtë përmbajtje si rrezik të lartë dhe kërkon etiketime të detyrueshme. Kina ka shkuar më tej: kërkon watermark digjital dhe heqje të menjëhershme nga platformat pjesë e një strategjie më të gjerë të kontrollit të përmbajtjes. Por zbatimi është i vështirë kudo. Kodi është publik, serverët janë jashtë vendit, autorët anonimë dhe teknologjia përhapet pa kontroll. Në Iowa, një sherif raportoi një rast ku nxënësit e shkollës së mesme shpërndanë imazhe të rreme eksplicite të bashkëmoshatareve të tyre. Teknologjia ishte e thjeshtë, por dëmi ishte real. “Nganjëherë duket sikur thjesht po vrapojmë pas bishtit,” tha ai. Në fund të ditës, kjo dukuri ka marrë përmasat e një kaosi të vërtetë — ku identitetet manipulohen, autorët nuk gjenden, ligjet nuk funksionojnë dhe teknologjia ecën gjithnjë disa hapa përpara drejtësisë.

 

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0