Milionat po hyjnë në sportin e grave/ Pse të gjithë po nxitojnë të... - Business Magazine Albania

Milionat po hyjnë në sportin e grave/ Pse të gjithë po nxitojnë të investojnë?

Sporti i grave është duke përjetuar momentin e tij historik. Në vitin 2024, të ardhurat globale nga sporti i femrave tejkaluan për herë të parë shifrën 1 miliard dollarë. Lojtaret po performojnë në nivele rekord, audienca po rritet dhe markat më të mëdha në botë po e kuptojnë, më në fund se investimi në sportin e grave është jo vetëm i drejtë, por edhe i zgjuar.

Në Olimpiadën e Parisit 2024 u shënua barazia gjinore mes atletëve, për herë të parë në histori. WNBA theu rekorde audiencash dhe platformat mediatike po i kushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirë kampionateve të grave. Por për ta kthyer këtë moment në një lëvizje afatgjatë, nevojitet diçka më shumë, investim i qëndrueshëm dhe strategjik nga bizneset.

Lexo gjithashtu: Është vetëm 14 vjeç, por po ndërton të ardhmen me inteligjencë artificiale/ Njihuni me Kaon Krasniqin

Këtu janë 3 arsye madhore pse tani është koha për të investuar:

Është mirë për barazinë, por edhe më mirë për biznesin

Dikur, mungesa e interesit të perceptuar bënte që sporti i grave të mbetej në hije. Sot, të dhënat tregojnë të kundërtën. Të ardhurat janë rritur me 300% në vetëm tre vite, dhe 99% e drejtuesve të markave kanë rritur investimet në sportin e grave, sipas një sondazhi të Deloitte.

Çfarë e bën këtë audiencë kaq të fuqishme? Gratë konsumojnë ndryshe. Ato blejnë më shumë produkte sportive, angazhohen më shumë në rrjete sociale dhe e shpërndajnë pasionin e tyre me entuziazëm viral. Ky lloj fandom-i nuk është vetëm i dukshëm, por edhe shumë fitimprurës për sponsorizuesit që mbështesin sportin e grave.

Lexo gjithashtu: 400 aplikime, 4 vite pritje dhe një ëndërr që u bë realitet/ Eris Bleta, një shqiptar në CISCO

Investimi në sportin e grave ndryshon jetë dhe krijon lidere

Përtej fitimeve, investimi në sportin e grave ka një ndikim shoqëror thelbësor. Ai nxit barazinë në pagesë, rrit dukshmërinë e modeleve femërore pozitive, dhe inkurajon vajzat të mos heqin dorë nga sporti.

Statistikat janë domethënëse:
85% e grave që kanë praktikuar sport thonë se aftësitë e fituara kanë ndihmuar në suksesin e tyre profesional.
Tek gratë në role drejtuese, ky numër ngjitet në 91%, dhe tek ato me të ardhura mbi $100,000 – në 93%.

Me pak fjalë, vajzat që luajnë sport, bëhen gratë që udhëheqin.

Ajo që quhet ‘rrezik’ është shpesh mundësia më e mirë

Disa kompani ngurrojnë të investojnë për shkak të mungesës së të dhënave të krahasueshme me sportin e burrave. Por kjo është pikërisht arsyeja pse duhet menduar si një kapitalist sipërmarrës: kërko të dhënat që ke, analizoi mirë audiencat dhe vepro.

A përputhet audienca jote me tifozët e sportit të grave?
A mund të matësh ndikimin në mënyra të reja, si përfshirja në rrjete sociale, imazhi i markës apo motivimi i punonjësve?
A përshtatet kjo nismë me vlerat e kompanisë sate?

Të gjitha këto janë pyetje që çdo investim inteligjent duhet të bëjë.

Nëse do të ishe ndër të parët që investuan në basketbollin e grave në vitin 2010, ku do të ishe sot?

Kjo është pyetja që shumë marka po i bëjnë vetes sot. Dhe ndërsa interesimi, të ardhurat dhe ndikimi i sportit të grave rriten me ritme të paprecedenta, përgjigjja bëhet e qartë, koha për të hyrë në lojë është tani.

Deloitte, së bashku me gjigandët AT&T, Capital One dhe Cisco, janë tashmë pjesë e nismës Athena Pledge, një angazhim për të fuqizuar investimet, kërkimin dhe mundësitë në industrinë e sportit të grave.

Sepse në fund të ditës, kjo nuk është vetëm një betejë për barazi. Është një mundësi për rritje, ndikim dhe transformim, për gratë, për sportin dhe për vetë botën e biznesit.

Forbes

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0