Ndërkohë që tensionet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së, si edhe me Kinën, vijojnë të rriten, klima për zhvillimin e biznesit në Europë është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme. Inflacioni i lartë dhe normat e interesit që mbeten në nivele të larta, së bashku me krizën e kostos së jetesës që po ndikon disa rajone, kanë ndikuar negativisht në kapitalin fillestar të bizneseve të reja.Në këtë panoramë sfiduese, zgjedhja e vendit të duhur për të hapur një biznes të ri në Europë mund të duket si një detyrë e frikshme. Megjithatë, ka ende arsye për optimizëm: Bashkimi Europian po shton përpjekjet për të fuqizuar prodhimin vendas, duke ofruar mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes skemave të ndryshme financimi si EIC Accelerator, Horizon Europe, Women TechEU, EIC STEP Scale Up, Connecting Europe Facility (CEF) dhe të tjera.
BE-ja gjithashtu ofron mjete praktike për sipërmarrësit si portali “Your Europe Business”, rrjeti “Enterprise Europe Network” dhe programi “Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj”.
Sipas Komisionit Europian, në vitin 2025 në BE priten të jenë rreth 35,000 start-up-e në fazën e hershme. Por, për të kuptuar sa e lehtë është të krijosh një biznes në një vend të caktuar, duhen marrë parasysh disa faktorë kyç, të cilët sipas Bankës Botërore ndahen në 10 kategori si: hapja e një biznesi, lejet e ndërtimit, lidhja me energjinë, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve të vegjël, pagesa e taksave, tregtia ndërkufitare, zbatimi i kontratave dhe zgjidhja e falimentimeve.
Ja cilat vende europiane ofrojnë kushte më të favorshme për themelimin e një biznesi të ri në këtë klimë ekonomike sfiduese:
Estonia
Estonia njihet si një nga vendet më miqësore për themelimin e bizneseve nga të huajt në BE, falë një infrastrukture ligjore dhe ekonomike shumë të favorshme dhe dixhitalizimit të avancuar. Programi i saj i rezidencës elektronike lejon personat jo-rezidentë të regjistrojnë një kompani online dhe të aksesojnë shërbimet shtetërore nga çdo vend i botës.
Sipas “Invest in Estonia”, themelimi i një kompanie zgjat vetëm 15 minuta, me 98% të bizneseve të reja që krijohen në mënyrë digjitale. Sistemi i taksave inkurajon riinvestimin, pasi nuk tatohet fitimi i mbajtur në kompani, ndërsa niveli i burokracisë është shumë i ulët. Pozita gjeografike e vendit është e favorshme si për tregun balltik, ashtu edhe për atë europian. Në një kontekst gjeopolitik të pasigurt, mundësia për të drejtuar një biznes në distancë është një avantazh i rëndësishëm.
Lexo edhe: EIT hap thirrje për inovatorët anë e mbanë Evropës!
Irlanda
Irlanda është një tjetër destinacion i pëlqyer për sipërmarrësit, falë një ekonomie të zhvilluar dhe një niveli të lartë dixhitalizimi. Me 90% përdorim të smartfonëve dhe 92% qasje në internet në familje, vendi është ideal për bizneset teknologjike. Agjencia “Enterprise Ireland” investon në rreth 200 start-up-e çdo vit, duke e bërë vendin shumë tërheqës për ndërmarrësit e rinj. Disa qytete irlandeze, si Cork dhe Dublin, janë efikase në zbatimin e kontratave dhe lidhjen me energjinë, ndërsa Galway është ndër më të mirët për regjistrimin e pronës. Irlanda është pjesë e BE-së, eurozonës dhe OECD-së, ka anglishten si një nga gjuhët zyrtare dhe ofron një normë të ulët tatimore për korporatat (12.5%). Pavarësisht krizës së banesave që ka ndikuar te fuqia punëtore dhe bizneset, vendi mbetet një opsion shumë tërheqës për bizneset e reja.
Bullgaria
E konsideruar si një ndër vendet më të leverdishme në Europën Lindore për hapjen e një biznesi, Bullgaria ofron një proces të shpejtë dhe me pak burokraci. Kostoja e administrimit dhe tatimi për korporatat (vetëm 10%) janë ndër më të ulëtat në Europë. Të huajt mund të blejnë prona pa kufizime dhe bizneset mund të regjistrohen edhe në distancë. Forca punëtore është e kualifikuar, shumëgjuhëshe dhe me kosto të ulët, ndërkohë që kostoja e jetesës është e përballueshme. Pozicioni gjeografik pranë Greqisë, Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ofron mundësi zgjerimi. Megjithatë, niveli i korrupsionit është ende i lartë, çka duhet vlerësuar në varësi të sektorit të biznesit.
Holanda
Si ekonomia e pestë më e madhe në BE, Holanda ofron një treg të avancuar, fuqi punëtore të arsimuar dhe mbështetje shtetërore për sipërmarrësit. Megjithëse tatimi për korporatat është 25.8%, qeveria ofron lehtësime si “30% ruling” për punonjësit e huaj dhe subvencione për kërkimin shkencor dhe inovacionin. Vendi është veçanërisht tërheqës për bizneset teknologjike dhe ata që punojnë në sektorin e AI-së apo robotikës, falë mbështetjes për zhvillim produktesh të reja.
Danimarka
Danimarka është një nga vendet me procedurat më të lehta për të nisur një biznes, shpeshherë në vetëm pak orë dhe tërësisht online. Vendi ka një ekonomi stabile, infrastrukturë të zhvilluar dhe një forcë punëtore të kualifikuar. Kultura e besimit në marrëdhëniet e biznesit redukton kostot dhe nevojën për procedura të ndërlikuara ligjore. Taksa për korporatat është 22%.
Mbretëria e Bashkuar
Sipas British Business Bank, çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar regjistrohen rreth 360,000 biznese të reja. Procedurat janë të shpejta dhe me kosto të ulët – aplikimet online përpunohen brenda 24 orëve. Me një ekonomi të larmishme dhe fuqi punëtore të arsimuar, vendi ofron mbështetje financiare, lehtësira tatimore dhe investime nga fondet shtetërore apo private. Taksa për korporatat është 25%.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.