Nga Dr. Albert Gjoka
Në një botë që ndryshon vazhdimisht dhe ku teknologjia po formëson çdo process të jetës tonë, është shumë e domosdoshme që të mësojmë dhe kuptojmë sesi ajo ndërvepron me ne. Me të drejtë, shumë prej nesh e quajnë kohën që po jetojmë si “epoka e teknohumanizmit”, pasi teknologjia luan rol kyç në çdo hallkë të aktivitetit tonë të përditshëm. Nëse ne nuk e kuptojmë atë dhe përdorim siç duhet mjetet dhe aplikacionet, nuk do të jemi në gjendje të përshtatemi me mjedisin që na rrethon.
Pikërisht në këtë mjedis ndryshimesh dramatike, në kohën kur secili prej nesh do të duhet të mësojë dhe të rrisë aftësitë ndërvepruese, ne po krijojmë Klubin e Librit Bytes & Books ku do të përzgjidhen për lexim dhe diskutim botimet më të mira që janë shkruar nga autorët më të njohur në botë lidhur me zhvillimet teknologjike e ndikimin e tyre në shoqëri siç janë Yuval Noah Harari, Paul Scharre, Walter Isaacson, Ashley Vance, Sulejman Mustafa, Brad Smith, Chris Miller, Henry Kissinger, Matt Burges, Eric Shmid, etj.
Sigurisht, leximi vetëm sa na krijon idenë rreth asaj që po ndodh në botën tonë, por përmes këtij klubi ne synojmë që të bëjmë bashkë të gjithë ekspertët e fushës; nxënës dhe studentë të pasionuar pas teknologjisë, lexues dhe botues. Përmes diskutimeve dhe përvojave që do të ndajmë bashkërisht, do të kemi mundësinë që të kuptojmë më qartë atë që po ndodh në kohën tonë. Njëherësh, ne duam të ndajmë përvoja dhe njohuri cilësore për mënyrën sesi tekonologjia formëson mjedisin dhe sesi ndikon në përditshmërinë tonë.
Librat e përzgjedhur për t’u diskutuar lidhen me teknologjinë dhe ndikimin e saj në mendjen njerëzore, arsimin, tregun e punës dhe shoqërinë në përgjithësi. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të Inteligjencës Artificiale, mundësive, por edhe rreziqeve që ajo ofron përballë shoqërisë, por dhe nevojës gjithnjë në rritje për një rregullim ligjor dhe aspekteve etike të përdorimit të saj. Diskutimet do të shërbejnë si një platformë e rëndësishme ku vlerësohen marrëdhëniet mes teknologjisë dhe sipërmarrjes, zhvillimet më të fundit në fushën e automatizimit, prodhimi i robotëve humanoidëve, ndikimet e tyre në profesione të ndryshme dhe tregun global, ç’ka po karakterizon atë që sot përkufizohet si “Revolucioi i Katërt Industrial”.
Klubi i Librit “Bytes & Books” ka një bord drejtues në përbërje të të cilit janë: z. Geron Kamberi, ekspert dhe studiues me përvojë në fushën e çështjeve të politikave të kërkimit shkencor, inovacionit e integrimit europian, Dr. Albert Gjoka, studiues dhe drejtues me eksperiencë të gjatë në menaxhimin e librit dhe promovimin e leximit, drejtor Ekzekutiv i “Institutit Kulturë dhe Edukim për Zhvillim”, dhe z. Gerti Boshnjaku, ekspert i sipërmarrjes, inovacionit, drejtor i revistës “Business Mag” dhe “Albania Tech”.
Kjo nismë vjen si nevojë e ngutshme, sidomos për të rinjtë tanë, por njëherësh edhe si kërkesë për të mbledhur bashkë në një agorë (forum) lexuesit dhe librat, diskutimet mbi teoritë e ndikimit të teknologjisë në shoqëri, por veçanërisht rreth qasjes së zbatimit praktik të saj në jetën e përditshme. Debatet lidhur me sfidat e revolucionit teknologjik që po përjetojmë, sidomos ato që kanë të bëjnë me zbatimet e ndryshme të Inteligjencës Artificiale, shpresojmë të nxisin ndërveprimin e duhur mes ekspertëve më të mirë, nxënësve dhe studentëve, sipërmarrësve dhe inovatorëve.
Lexo edhe: Episodi #3 “Future Fridays”: Në fokus Inteligjenca Artificiale dhe e ardhmja!
Forumet e këtij klubi do të zhvillohen një herë në muaj dhe secili prej tyre do të ketë në qendër të diskutimit një libër, të përzgjedhur me kujdes nga grupi nismëtar dhe që flet për temat më të nxehta të aktualitetit global mbi rolin e teknologjisë në shoqërisë.
Të gjithë individët e interesuar për këto tema dhe që dëshirojnë të shkëmbejnë njohuri dhe opinion në këto fusha, janë të mirëpritur për tu bërë pjesë e këtij klubi, duke u regjistruar paraprakisht, pasi ka një numër të kufizuar vendesh. Si pjesëmarrës në takimet tona të përmuajshme ata do të kenë mundësi që të marrin informacione të detajuara për librin, të përfitojnë nga përvojat e lexuesve të tjerë, të marrin libra me një çmim në ofertë, si dhe do të kenë rast që të takojnë njerëz me të cilët do të ndajnë lirisht ide dhe mendime për këto tematika të nxehta të kohës tonë.
Përmes këtij klubi, çdokush do të përftojë një kuptim më të mirë të teknologjisë dhe ndikimit në jetën tonë duke rritur vetëdijen për një përdorim sa më të dobishëm të saj për veten dhe mjedisin ku jeton.
“Bytes & Books” është i hapur për bashkëpunime me institucionet shkollore apo universitare, botën e biznesit, sidomos sipërmarrjet që kanë në themel të punës zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit, ashtu sikurse me botues, autorë dhe përkthyes apo grupet e ndryshme të leximit.
Përmes këtij klubi libri dhe takimeve të përmuajshme do synojmë që të krijojmë një komunitet aktiv lexuesish mbi teknologjinë e komunikimit dhe informacionit, të rrisim ndërgjegjësimin mbi ndikimin që po ushtron në jetet tona dhe biznes e të fuqizojmë nivelin e njohurive të të rinjve e studentëve mbi debatin që zhvillohet sot në botë rreth këtij revolucioni të ri teknologjik. Po ashtu, shpresojmë të ndërtojmë një model të qëndrueshëm të bashkëpunimit mes biznesit, botuesve dhe komunitetit, sidomos të lexuesve që kanë interesa në këto fusha.
Krijimi i këtij komuniteti, mbajtja dhe zhvillimi i tij është sfida më e madhe që kanë nismëtarët dhe anëtarët që e mbështesin prandaj janë të ftuar të gjithë që të kontribuojnë në këtë drejtim. Sepse me këtë qasje do të kuptojmë më mirë atë që po ndodh dhe do të ndërveprojmë më mirë me realitetin që na rrethon.
Prandaj, jeni të lutur që tani që të aplikoni dhe të bëheni anëtar të Klubit të Librit “Bytes & Books”.
Regjistrohuni këtu për takimin e parë në 5 mars tek kubi i One tek Piramida
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.