Australia ndalon DeepSeek në pajisjet qeveritare për shkak të rrezikut të sigurisë - Business Magazine Albania

Australia ndalon DeepSeek në pajisjet qeveritare për shkak të rrezikut të sigurisë

Australia ndalon DeepSeek në pajisjet qeveritare për shkak të rrezikut të sigurisë

Australia ka ndaluar përdorimin e DeepSeek në të gjitha pajisjet dhe sistemet qeveritare, duke e cilësuar si një rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare. Kompania kineze e inteligjencës artificiale (AI) tronditi botën në janar kur prezantoi një chatbot që rivalizonte me sukseset e kompanive amerikane, ndërkohë që pretendonte se kishte kosto shumë më të ulët trajnimi.

Si pasojë e kësaj, miliarda dollarë u fshinë nga tregjet ndërkombëtare të aksioneve, përfshirë edhe Australinë, ku aksionet e kompanive të lidhura me AI, si prodhuesi i çipave Brainchip, pësuan rënie të ndjeshme. Qeveria australiane ka theksuar se ky ndalim nuk është për shkak të origjinës kineze të aplikacionit, por për shkak të rrezikut të lartë të sigurisë që ai paraqet.

Masat e ndërmarra

Australia ka kërkuar nga të gjitha entet qeveritare që të ndalojnë përdorimin ose instalimin e produkteve, aplikacioneve dhe shërbimeve online të DeepSeek në pajisjet dhe sistemet e tyre. Gjithashtu, është urdhëruar edhe fshirja e çdo versioni të mëparshëm të instaluar në pajisjet qeveritare. Kjo do të thotë se një gamë e gjerë punonjësish nuk do të mund të përdorin më këtë mjet, përfshirë ata që punojnë në Komisionin Zgjedhor Australian dhe Byrosë së Meteorologjisë. Nuk është ende e qartë nëse ndalimi do të shtrihet edhe në institucionet publike të tjera, si shkollat. Megjithatë, masa nuk ndikon tek pajisjet e përdoruesve privatë.

Lexo edhe:Si DeepSeek po rrënon inovacionin dhe investimet në AI, duke lënë liderët e teknologjisë të habitur

Dyshime të shtuara mbi teknologjitë kineze

Shtetet Perëndimore kanë treguar shpeshherë dyshime ndaj teknologjive kineze, siç ka ndodhur më parë me Huawei dhe rrjetin social TikTok, të cilët janë kufizuar për arsye të sigurisë kombëtare. Fillimisht, DeepSeek u prit ndryshe nga publiku, duke u bërë aplikacioni më i shkarkuar falas në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Madje, ish-presidenti Donald Trump e quajti atë një “thirrje zgjimi” për SHBA-në dhe tha se mund të ishte një zhvillim pozitiv nëse do të ulte kostot e AI-së. Por me kalimin e kohës, kanë dalë në pah shqetësime serioze. Një ministër australian i shkencës paralajmëroi në janar se vendet duhet të jenë “shumë të kujdesshme” ndaj DeepSeek, duke përmendur shqetësimet mbi të dhënat dhe privatësinë. Italia e hoqi chatbot-in nga dyqanet e aplikacioneve pasi politika e privatësisë së tij u vu në dyshim. Më parë, qeveria italiane kishte ndaluar përkohësisht ChatGPT në mars të vitit 2023 për arsye të ngjashme. Ndërkohë, autoritetet rregullatore në Korenë e Jugut, Irlandë dhe Francë kanë nisur hetime mbi mënyrën se si DeepSeek trajton të dhënat e përdoruesve, të cilat ruhen në serverë në Kinë. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar se SHBA po shqyrton gjithashtu implikimet e mundshme të sigurisë nga DeepSeek. Ndërkohë, Marina Amerikane ka raportuar se e ka ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni nga anëtarët e saj, megjithëse ende nuk e ka konfirmuar këtë publikisht.

Rreziku i ruajtjes së të dhënave

Të gjitha mjetet e AI-së analizojnë kërkesat e dërguara nga përdoruesit për të përmirësuar produktin e tyre. Kjo është e vërtetë si për ChatGPT dhe Google Gemini, ashtu edhe për DeepSeek. Të gjitha këto platforma mbledhin dhe ruajnë informacione, përfshirë adresat e email-it dhe datat e lindjes. Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se ata që punojnë në sektorë konfidencialë ose të sigurisë kombëtare duhet të jenë të kujdesshëm me informacionin që hyjnë në këto chatbot-e, pasi ai mund të ruhet dhe analizohet nga zhvilluesit e këtyre mjeteve. Për më tepër, DeepSeek është përballur me akuza se ka përdorur padrejtësisht teknologji amerikane. OpenAI ka shprehur shqetësime se rivalët e saj, përfshirë ato kineze, po shfrytëzojnë punën e saj për të përparuar me produkte të reja në mënyrë të shpejtë.

DeepSeek ende nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi këtë ndalim.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0