Gjakova: Një eksplorim shpirtëror i qytetit familjar - Business Magazine Albania

Gjakova: Një eksplorim shpirtëror i qytetit familjar

Gjakova

Ermal Hasimja

U desh pak kohë dhe shumë këmbëngulje për të bindur kamarierin e restorantit që të pranonte bakshishin 5 eurosh. Jo për krenari besoj, por kamarieri ndoshta mendon se ti po harxhon më shumë sesa duhet. Në këtë qytet puna është burim respekti dhe paraja trajtohet si njësi matëse pune që duhet vlerësuar e jo shpërdoruar. Kjo i ka sjellë qytetit stereotipin e dorështrënguarit, por vetë banorët e konsiderojnë si virtyt kursimi e respekti ndaj djersës së derdhur në punë.

Në mbrëmje, në një kafe tjetër, teksa dëgjojmë Petrit Çarkaxhinë e grupit Jericho të këndojë «unplugged» të mrekullueshmen «Dul behari» për një grup të kufizuar miqsh, një fytyrë e njohur na qeras me birra. Është kamarieri ynë i dashur. E pamundur ta shoh më veten si klient. Kamarieri tashmë është një mik.

Në fakt, me shumë gjasa jo vetëm mik. Këtu të gjithë janë “ilake”, një term që nënkupton “i afërm” në kuptimin më shpirtëror e gjenetik të mundshëm. I gjithë qyteti është një ndërthurje lidhjesh familjare të disafishta. Nuk ka rëndësi sa e largët është lidhja. Ajo regjistrohet përmes katalogimit oral familjar dhe konsiderohet e afërt.

Në këtë qytet askush nuk mburret se është i afërm i një personi të famshëm. Thjesht sepse të gjithë konsiderohen të afërm të të gjithëve. Gjyshja ime gjakovare e quante “dajë” Bajram Currin, pavarësisht se askush prej fëmijëve të saj nuk e dinte saktësisht lidhjen familjare me të. Por, kjo lidhje ishte mjaftueshëm e fortë për gjyshen time sa për t’u kujdesur gjatë gjithë jetës për bijën e heroit në Tiranë. Mjafton të thuash mbiemrin tënd dhe personi përballë teje do të gjejë patjetër një apo disa nga këto fije të shumta. Kështu ti mund të ndjesh thellë në asht e gjak gjallimin e gjithë të shkuarës dhe të tashmes së qytetit. Kështu çdo emër i njohur i qytetit, dhe … oh sa shumë ka nxjerrë ky qytet, është në fakt një “i afërm” yti. Ndërsa ti nuk je thjesht nënprodukt i dy prindërve, por i gjithë qytetit.

Ky nuk është qytet, por qenie e gjallë. Aq e vërtetë është kjo sa ky ishte i vetmi qytet gjatë luftës së 1999’s që ngriti një brigadë të vetën urbane për të luftuar kriminelët e Milosheviçit. Një brigadë me fëmijët e vet, studentë, juristë, ekonomistë, nga të cilët plot janë tashmë në panteonin e dëshmorëve.

Në studiot e televizionit SYRI Vizion TV, gazetarja e buzëqeshur me emrin domethënës Janina të tregon fotot nëpër muret e korridorëve. Nuk janë foto VIP-ash. Janë fotot e burrave e grave që kanë dhënë më shumë, nganjëherë edhe jetën për qytetin e dashur. Të duhen vetëm pak minuta bisedë me Ednorin, një djalë hiperenergjik, për të mbetur me gojë hapur nga lista e aktiviteteve kulturore që organizon çdo vit vullnetarisht bashkë me të tjerë. Një grup tjetër vullnetarësh, nga të cilët vetëm një pjesë jetojnë aktualisht në qytet, janë organizuar për të krijuar “Ditët e shqiptarit”, një shfaqje shumëpërmasore kulturore me koncerte, filma, gastronomi vendase e poezi. Fokusi: më e mira e qytetit, më e mira e shqiptarisë. Një tjetër pinjoll i qytetit, Shkëlzen Doli, rikthehet çdo vit në vendlindje për koncerte me plot të ftuar. Nuk është dhe aq e çuditshme të ndeshësh në kafet e Çarshisë edhe Lorik Canën, brezi i dytë i një familje të njohur futbollistësh dhe i pazëvendësuar ende moralisht si Kapiten i Kombëtares.
Ky qytet ka historinë e Krujës, muzikën e vjetër qytetare dhe humorin e Shkodrës, mikpritjen dhe kuzhinën e Dibrës, qytetarinë dhe pazarin e Korçës, traditat dhe pastërtinë e Gjirokastrës, arkitekturën e shtëpive të Beratit, patriotizmin e Vlorës, krenarinë e Dukagjinit dhe njerëzit e vet unikë.

Lexo edhe: Samiti i Gruas së Diasporës- Ja çfarë duhet të dini

Po flasim për Gjakovën, natyrisht.

Historinë e vjetër e të re e ndesh kudo në qytet, sepse gjurmët e saj janë ruajtur. Çarshia e Madhe është më e madhja ndër shqiptarët. Dhe më e ruajtura. Rruga kryesore është mbushur me lokale. Një pjesë kombinojnë kafet me restorantet. Monumenti kryesor është Xhamia e Hadum Agës. Ngritur në shekullin e XVI nën pushtimin osman kompleksi i xhamisë u pasurua me hamam e mejtep dhe shpejt mblodhi rreth vetes mbi 2.000 shtëpi dhe 300 dyqane zejtarësh. Struktura origjinale e esnafëve është ruajtur e ndarë sipas rrugicave. Kulla është forma autentike e shtëpisë, sepse qyteti është furnizuar me ADN malësie. Gjakova ka rreth 18 kulla të ruajtura brenda e rrotull saj, teqe, nga të cilat më e veçanta ajo pranë Çarshisë, ura të ndërtuara nga esnafët (si ajo e ngritur mbi lumin Erenik) e shumë të tjera. Kur ngjitesh në katin e dytë të Hanit të Haraçisë, tashmë restorant i njohur, dërrasat e vjetra të errëta kërcasin nën këmbë si për të të rrëfyer histori të vjetra me gjuhën e tyre.

 

Gjakova

 

Qyteti shërben edhe si porta e alpeve shqiptare, vetëm 50 minuta larg Valbonës. Lumi Krena përshkon qytetin, por në fakt lumi më i dashur për vendasit është Ereniku, produkt i alpeve dhe gjithashtu edhe plazhi i gjakovarëve. Kafja mbi liqenin mbresëlënës të Dukagjinit (Radoniqit) pihet me pamjen e murit të alpeve që rri zbardhur nga bora shumicën e vitit. Shpella e Kusarit është një tjetër atraksion natyror jo larg prej qytetit. Kodra e Çabratit, e njohur për betejën mes formacioneve të UÇK-së dhe forcave serbe, i rri Gjakovës mbi krye dhe të kujton se një qytet mund të jetë i bukur pa patur nevojë për kulla 40 katëshe.

Gjakova ka kuzhinën e vet tipike të dallueshme ku shkëlqejnë tavat me perime e mish. Përgatitja e tyre merr rreth 12 orë. Amvisat i përgatisin tavat në shtëpi, por zakonisht i pjekin në furra druri në qytet. Vetë procesi i gatimit është një spektakël më vete. Samunat me suxhuk e jagliat janë të famshme dhe të paimitueshme.

Gjakova ka muzikën e vet të vjetër qytetare. Një pjesë të saj në Shqipëri e njohin mirë dhe me shumë gjasa mendojnë se është nga Shqipëria e Mesme. Një pjesë të këtyre këngëve në ekranet e para 40 viteve i sillte Esat Bicurri, i ekzekutuar nga trupat e Milosheviçit gjatë luftës. Çdo fundjavë këtë repertor e shpalos ëmbël nëpër lokalet e Çarshisë grupi “Ashikët”, siç e do tradita me raki dhe meze përpara. Nuk janë të vetmit në fakt. Nezafete Shala me grupin e saj familjar ruan në mënyrë fanatike të njëjtat thesare gjakovare.
Në Shqipëri njihet ndoshta më tepër Shkëlzen Jetishi dhe i ndjeri Ismet Peja. E veçanta është në fakt grupi “Rilindja” i përbërë prej adoleshentësh 13-14 vjeçarë gjakovarë të pasionuar pas trashëgimisë së paraardhësve të tyre.

 

Gjakova

 

Zanatet e vjetra, që nga zejet e deri te muzika trashëgohen ende brez pas brezi. Po ashtu edhe traditat dhe normat shoqërore. Çfarë ndjesie kur dëgjon djem e vajza të vegjël a të rinj t’i drejtohen një të panjohuri me terma familjarë si “dajë” a “axhë”, varësisht prej moshës! Duket se qyteti përpiqet fort që t’i rezistojë tundimeve të modernitetit. Paradoksi qëndron në faktin se qyteti me njerëzit më të arsimuar e emancipuar në Kosovë (këtë e pranojnë edhe ata që i kritikojnë për krenarinë dhe lokalizmin) është njëkohësisht edhe ruajtësi më i mirë i traditave shqiptare. Ka vetëm një shpjegim për këtë: fryma dhe vetëdija e të qenit një familje e vetme e madhe shqiptare me emrin Gjakovë.

 

Gjakova

 

travel-al.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0