Agon Avdimetaj, një nga themeluesit e Vianova tregon për Businessmag misionin e aplikacionit që ndjek pacientët në distancë. Ai dhe skuadra e tij e nismëtarëve, sot kanë disa projekte në duar, mbi 200 të punësuar dhe produkte që kanë arritur të krijojnë impakt në Shëndetësi, Inteligjencë Artificiale, Riciklim, Kompani të Sigurimeve, Industri të Lojërave Kompjuterike dhe Blockchain.
Kjo intervistë u zhvillua gjatë Podim, konferencës më të rëndësishme në rajon për Startup-et dhe Teknologjinë. Emri i Agon Avdimetaj nuk është i panjohur për lexuesit e Business Mag Albania, ndaj ishte kënaqësi e jashtëzakonshme për ne, kur pamë emrin e tij në listën e folësve të përzgjedhur për të prezantuar gjatë panelit mbi Digjitalizimin dhe Transformimin Digjital.
Produkti, të cilin e prezantoi Agoni, ofron zgjidhje në fushën e HealthTech, sidoqoftë ne e filluam intervistën tonë duke e pyetur për fillesat e kompanisë. Si filloi gjithçka?
Gjatë fillimeve me grupin kemi kuptuar që për të ndikuar, duhet të mësojmë si ta bëjmë këtë në aspektin teknik dhe filluam të zhvillojmë software të ndryshëm. Para se të fillonim fakultetin kemi nisur të merremi me teknologji. Gjatë studimeve jam takuar dhe me bashkëthemeluesit, të cilët duhet t’i përmend me patjetër, pasi është një histori e përbashkët e jona. Gjithsecili ka kontribuar me një kuotë që ne e quajmë “aftësia për t’i zgjidhur problemet bashkë”. Më pas, jemi takuar me partnerë të jashtëm, shqiptarë të diasporës, që na kanë dhënë mundësinë të ekspozohemi në projekte më të mëdha.
Çfarë bën konkretisht kompania juaj Vianova ?
Vianova Health është kompani amerikane-kosovare, e regjistruar në Washington DC, e cila ndihmon pacientët me sëmundjet e diabetit tipi 2 që të kontrollojnë më mirë diabetin. Ajo ndihmon spitalet të kontrollojnë pacientët e tyre, ndërkohë që janë në shtëpi dhe të jenë në dispozicion për çdo problem që mund të kenë. Kemi dashur që të kenë një mirëqënie sa më të mirë, t’i ndihmojmë të kenë një jetë të lumtur. Pas zhvillimit të Vianova, kemi kuptuar që kemi aftësi ndërtuese dhe nisëm të ndërtojmë dhe kompani të tjera. Ne kemi ndërtuar një grup Timeless dhe sot kemi mbi 24 kompani në portofol. Bëjmë vetëm produkte, që i ndërtojmë dhe nxjerrim në treg. Kemi dhe partnerë nëpër botë që merren me pjesën e marketingut dhe zhvillimit.
Ju keni filluar që 15 vjeç mesa di?
Po, kompania ime e parë ka qenë kur isha 15 vjeç dhe ishte studio webfaqeve. Zhvillime të thjeshta software-ike, por në një vend të vogël si Peja ishte problem pjesa e bashkëpunimeve. Fillimet ishin të vështira, sidomos për të marrë projekte. Kur shkuam në Prishtinë, kemi filluar me disa kompani. Në fillim kemi ofruar shërbime për klientët e jashtëm, industri të ndryshme: automobile, logjistika, produktivitete, ricklime etj.
Si i keni arritur këto klientë të huaj?
Partnerë shqiptarë jashtë na kanë ndihmuar të ekspozohemi. Ata na kanë mentoruar dhe kanë vlerësuar potencialin tonë, si edhe përmes internetit. Kemi filluar punën me tregun europian, por s’kemi qenë shumë të lumtur, sepse na kanë trajtuar si sekondarë. Amerika na ka dhënë mundësinë e trajtimit në mënyrë të barabartë. Prej aty jemi marrë me ekspozime dhe kemi qenë në shërbim, duke ndërtuar lojëra. I kemi prezantuar Mark Zuckerberg-ut lojën tonë. Në Amerikë kemi bërë edhe një projekt riciklimi që e kemi zhvilluar prej Kosovës. Më pas filluam me produkte, ku kemi qenë zhvilluesit e teknologjisë. Duke kujtuar rrugën e vështirë që kemi kaluar, kemi zgjedhur industrinë më të vështirë, atë të HealthCare-it.
Artikulli u publikua më parë në faqen 72 të numrit 35 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 35 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.