Ekonomia në hall nga hemoragjia e burimeve njerëzore - Business Magazine Albania

Ekonomia në hall nga hemoragjia e burimeve njerëzore

burime njerëzore

Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy

Emigracioni i vazhdueshëm dhe i pandalshëm vitet e fundit ka “goditur” tregun e punës, duke materializuar efektet e pritshme të kësaj situate. Të gjesh punëtorë sot, qoftë edhe të pakualifikuar është shndërruar në një sfidë. Teksa kërkesa është më e lartë sesa oferta, për herë të parë balanca anon për nga burimet njerëzore.

Aktualisht, thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë po vuajnë për fuqi punëtore, duke bërë që shumë industri të punojnë me kapacitet të kufizuar. Situata është më problematike në turizëm, me sezonin turistik në prag dhe fluksin prej 14 milionë turistë që presim këtë vit, por edhe në degë të tjera, si shërbimet, prodhimi, bujqësia dhe ndërtimi.

Ndërkaq të dhënat zyrtare flasin për rënie të papunësisë deri në 10.6% në fund të vitit 2023, niveli më i ulët i viteve të fundit. Kundrejt 2022-it, papunësia në vend është zvogëluar me 0.2%.

 

Por kjo rënie nuk reflekton situatën reale në tregun e punës. Kjo duke pasur parasysh tre faktorë. Së pari, tkurrjen e popullsisë nga emigracioni i lartë. Duke mbetur më pak njerëz në vend, rrjedhimisht edhe papunësia del më e ulët.

Së dyti, jo të gjithë të papunët i drejtohen zyrave të punësimit për t’u regjistruar. Kjo do të thotë se ekziston një papunësi informale, e cila nuk është përfshirë në shifrën zyrtare.

Faktori i tretë është situata në sektorin e bujqësisë. Sipas ligjit, kushdo që jeton në fshat dhe zotëron një ngastër toke quhet automatikisht i punësuar, pavarësisht nëse e punon atë  apo jo apo nxjerr të ardhura. Sipas INSTAT, në bujqësi rezultojnë të punësuar mbi 450 mijë vetë.

Për të mbushur boshllëqet në tregun e punës,  qeveria ka hedhur idenë për zëvendësimin e punonjësve shqiptarë me të huaj. Një eksperiment që nga vetë biznesi ka mbi dy vite që ka nisur dhe që po rezulton i pasuksesshëm.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të huaj me leje pune në vendin tonë janë 9825 individë. Kundrejt vitit 2022, numri është rritur me 1520. Por pavarësisht tendencës në rritje, të huajt me leje pune përbëjnë më pak se 1% të totalit të të punësuarve në vend, duke bërë që të jenë të papërfillshëm kundrejt kërkesave dhe nevojave të tregut.

Të huajt me leje pune rezultojnë kryesisht të angazhuar në akomodim dhe shërbim ushqimor; në ndërtim dhe tregti, duke lënë të pambuluar shumë sektorë të tjerë ku ka nevoja.

Një fjalë e urtë popullore thotë: “shtëpia nuk mbahet me miell hua”. Ndaj zgjidhja, më shumë sesa me sy nga të huajt duhet të jetë në vend, me përmirësimin e kushteve të punësimit, ku përvec pagave të garantohen edhe elementë të tjerë që e bëjnë një person të punojë me kënaqësi. Kjo do të thotë një ndryshim i mendësisë ku punëmarrësi të shihet si “aset” nga punëdhënësi, por edhe biznesi të mos jetë i vetëm në këtë proces, që rrit kostot për të, në një moment të vështirë. Por të ndihmohet nga qeveria, që të finale të përfitojnë të gjithë.

Fastnews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0