Ekziston vetëm një mënyrë e saktë për të kërkuar falje kur gabojmë në punë - Business Magazine Albania

Ekziston vetëm një mënyrë e saktë për të kërkuar falje kur gabojmë në punë

Të kërkosh falje është një nga gjërat më të vështira që duhet të bëjmë, jo vetëm si udhëheqës, por edhe si njerëz.

T’i thuash dikujt se ke gabuar kundrejt tyre nuk është kurrë e lehtë. Kur gjejmë më në fund guximin dhe përulësinë që na duhet për të kërkuar falje, ne priremi të gjejmë justifikime për ta shamngur. E vetmja falje e pranueshme është falja pa justifikim. Mos përdorni më shprehje të tilla si “nëse kam ofenduar dikë”!

Pranoni të vërtetën

Njerëzit që nuk janë të besueshëm përpiqen të krijojnë errësirë, dyshime dhe mister të panevojshëm. Ata ndërtojnë një variant të ri të asaj që ndodhi për të minimizuar gabimet e tyre, të paktën në mendjen e tyre. Nga ana tjetër, njerëzit të cilëve mund t’u besohet, krijojnë transparencë sa më shpesh të jetë e mundur – në mënyrën se si marrin vendime, cilat janë kriteret e suksesit, si i zbatojnë projektet etj. I njëjti parim i transparencës zbatohet dhe për të kërkuar falje: pranoni atë që ndodhi dhe gabimin tuaj në të.

Duket e frikshme t’i tregosh hapat e tua të gabuara – por në momentin e pranimit të një faljeje të sinqertë, shumica e njerëzve janë mirënjohës dhe shpesh  vërtetë falës. Një falje e mirë mund ta kthejë kritikuesin tuaj në anën tuaj në të ardhmen.

Bëni një përpjekje të sinqertë për të ndryshuar

Shumë njerëz kërkojnë falje, por nuk e ndryshojnë sjelljen që nxiti gabimin. Vetëm ju mund të ndryshoni rrugën tuaj për të mos përsëritur të njëjtat  probleme që keni shkaktuar. Ju mund të ndryshoni sjelljen për të shmangur këto gabime. Nëse dëshironi që dikush ta besojë faljen tuaj, do t’ju duhet të ndryshoni mënyrat tuaja të të vepruarit.

Ju madje mund t’ju duhet të ofroni një lloj kompensimi. Ky nuk është domosdoshmërisht financiar dhe mund të jetë aq i thjeshtë sa të kërkosh falje në të njëjtin pozicion në të cilin ka ndodhur gabimi. A keni komentuar vazhdimisht një anëtar të ekipit në një takim javor? Kërkoni falje për atë sjellje në fillim të takimit tjetër dhe ndaloni së komentuari mbi anëtarët e ekipit tuaj. Nëse ofendimi juaj ishte personal, merrni mënjanë personin që keni ofenduar, shikojeni në sy dhe kërkoni një falje pa justifikime.

Lexo: Ja cilat janë startupet fituese te “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023”

Mos ndiqni turmën

Në ditët e sotme, mënyra më e mirë për t’u rikuperuar nga një gabim duket se është të mos pranosh asgjë, të mohosh gjithçka, të fajësosh njerëzit e tjerë dhe të dalësh me një narrativë alternative. Por, këto taktika janë thjesht manipuluese: qëllimi i vërtetë është t’i ktheni gabimet tek personi tjetër dhe t’i bëni ata të duken më shumë si një nxitës sesa si viktimë.

Kjo është udhëheqje toksike. Është e kundërta e sjelljes parimore, të besueshme dhe një shembull se si të krijosh një marrëdhënie. Nëse dëshironi të rindërtoni një marrëdhënie, do t’ju duhet të veproni në një mënyrë shumë më të rrallë: duke marrë përgjegjësinë për veprimet tuaja dhe duke u ndjerë rehat duke pranuar se e keni gabim.

Inc.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0