Nga Enio Jaço, sipërmarrës, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Shqipëria po përballet me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndër dekada dhe është koha për politika të forta për përmbysjen e trendit. Përndryshe mund të jetë pak vonë.
Numri i njerëzve në vend ka rënë nga 3.2 milionë në 2.8 milionë në vetëm 15 vitet e fundit, ndërsa vetëm vitin e kaluar parashikohet të jetë ulur me 20,000 njerëz. Dhe ky trend paraqet kosto të madhe ekonomike.
Forca Punëtore: Më pak njerëz po hyjnë në tregun e punës, që do të thotë se Shqipëria po lufton të ruajë status-quonë e ekonomisë e saj dhe të konkurrojë në nivel rajonal dhe global. Kjo është veçanërisht sfiduese për Shqipërinë, duke marrë parasysh se disa nga industritë kryesore si: bujqësia, turizmi dhe fasoneria kërkojnë një fuqi punëtore të fortë dhe të aftë për të triumfuar.
Ulja e të Ardhurave nga Tatimet: Me më pak tatimpagues, qeveria do të ketë vështirësi për të financuar shërbimet thelbësore sociale për qytetarët. Kjo çon në një ulje të cilësisë së shërbimeve publike, si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, duke bërë që vendi të jetë edhe më pak atraktiv për të jetuar.
Lexo: Bashkimi Europian parashikon se në 2023 nis përmirësimi ekonomik
Presion mbi Pensionet: Pensionet në Shqipëri janë të njohura për nivelin e ulët dhe të pamjaftueshëm, por me numrin më të ulur të të rinjve dhe me rritjen e numrit të të moshuarve, Shqipëria po përballet me një popullatë në plakje dhe që po bëhet gjithnjë e më e varur nga shërbimet sociale dhe shëndetësia. Kjo po vë nën presion të ndjeshëm burimet financiare, pasi qeveria duhet të gjejë një mënyrë për t’u kujdesur për qytetarët e saj të moshuar, ndërkohë që duhet të ruaje një fuqi punëtore më të re dhe më produktive.
Por, përse po zvogëlohet popullsia? Një nga arsyet kryesore është emigrimi. Shqiptarët po largohen nga vendi në masë, duke kërkuar mundësi ekonomike më të mira dhe një jetë më cilësore në vende të tjera. Ky trend është i theksuar tek të rinjtë dhe profesionistët, të cilët kanë arsimimin dhe aftësitë e nevojshme për të qenë të suksesshëm edhe në vende të tjera. Kjo “rrjedhje truri” po i vjedh Shqipërisë burimit të saj më të çmuara – njerëzit.
A ka ndonjë zgjidhje? Shqipëria nuk ka pasur kurrë një investim serioz drejt zhvillimit të një klase të mesme. Por kjo është e domosdoshme – veçanërisht tani – për të kthyer mbrapsht disa nga tendencat kryesore, si emigrimi dhe ulja e lindjeve të reja. Njerëzve, veçanërisht të rinjve dhe profesionistëve, i duhet t’u kthehet besimi se vendi mbetet alternativa më e mirë për të qëndruar.
Tri politika:
1) Inkurajimi i numrit më të lartë të lindjeve, përmes stimulimeve për çiftet që të kenë fëmijë, siç janë ulja e taksave dhe lejet e lindjes për prindërit.
2) Rritja e cilësisë së kujdesit shëndetësor, përfshirë një kujdes specifik për fëmijët
3) Përmirësimi i kushteve ekonomike përmes mundësive të punësimit dhe krijimit të një mjedisi biznesi konkurrues që tërheq investime do ishin thelbësore për të filluar të shohim një kthim mbrapsht të tendencës në 5 vitet e ardhshme. Por, nëse këto politika nuk janë të forta dhe të shpejta, parashikimet flasin për një ulje të popullsisë në 2.2 Milionë në 2050 dhe 1.5 Milionë në 2090. Në atë moment, dëmi mund të jetë i pariparueshëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.