Ndërkohë që çmimet janë në rritje, sidomos për ushqimin dhe energjinë, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është duke u thelluar në Gjermani. Megjithëse Gjermania është një nga vendet më të pasura të botës, shenjat e varfërisë në rritje janë duke u bërë gjithnjë e më të dukshme, kudo në vend. Të pastrehët flenë jashtë në kushte të vështira, nënat nuk i hanë të gjitha vaktet në mënyrë që të kursejnë për të ushqyer fëmijët, dhe pensionistët mbledhin shishet e përdorura për të fituar pak para nga shitja e tyre.
Sipas Paritätische Wohlfahrtsverband, një shoqatë bamirësie që ka mbledhur nën vete shumë shoqata humanitare, 13,8 milionë gjermanë ose jetojnë në varfëri ose janë në rrezik të bien nën nivelin e varfërisë.Qeveria gjermane ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.
Koncepti i varfërisë këtu nuk do të thotë se miliona njerëz në Gjermani kërcënohen nga uria ose vdekja nga të ftohtit. Ai ka të bëjë me varfërinë relative, e cila llogaritet nga kushtet mesatare të jetesës në shoqërinë në fjalë.
Në vitin 2021, Gjermania u rendit në 20 vendet më të pasura të botës, llogaritur me prodhimin e brendshëm bruto për frymë. Kjo do të thotë se nëse mblidhni vlerat e gjithë të mirave të prodhuara dhe komoditeteve të krijuara në vend dhe i pjestoni ato me numrin e banorëve, atëhetë merrni si rezultat të ardhurat mesatare vjetore për person në Gjermani, që janë 50. 700 dollarë (52.200 euro). Sa për krahasim, kjo shifër është 136.700 dollarë në Luksemburg, vendin më të pasur të botës dhe 270 dollarë në vendin më të varfër të botës, që është Burundi.
Varfëria varet nga çfarë quan varfëri
Në Europë, megjithëse relativisht pak njerëz jetojnë në varfëri absolute, miliona njerëz janë prekur nga varfëria relative, krahasuar me mesataren në vendin përkatës. Kjo do të thotë se ata jetojnë me mangësi të caktuara materiale dhe janë në gjendje t’ia dalin, vetëm nëse heqin dorë nga mënyra e jetesës, të cilën pjesa më e madhe e popullsisë së vendit e sheh si të vetëkuptueshme.
Në BE, një person shihet i rrezikuar nga varfëria ose vlerësohet si i varfër nëse të ardhurat e tij janë më të pakta se 60 përqind e mesatares së vendit përkatës. Nëse të ardhurat janë më pak se 50 përqind e mesatares, personi konsiderohet në varfëri ekstreme.
Për Gjermaninë, kjo do të thotë se një person që ka të ardhura më të pakta se 1,148 euro në muaj konsiderohet se jeton nën nivelin e varfërisë. Për një prind të ndarë dhe me një fëmijë kjo shifër është 1,492 euro, dhe për një ekonomi shtëpiake me të dy prindët dhe dy fëmijë kjo shifër është 2,410 euro.
Rrjeti i sigurisë sociale bën pak për përmirësimin e gjendjes ekonomike
Gjermania mendon se ka një sistem të fortë sigurie sociale. Kujtdo që nuk është në gjendje të gjejë një vend pune, ose nuk është në gjendje të punojë, i jepen para për të pasur bazën e sigurisë sociale, një sistem që në gjuhën popullore njihet si Hartz IV. Këto para jepen për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës si qiraja, ngrohja, dhe uji dhe sigurisht sigurimi shëndetësor.
Me këtë sistem, personat e veçantë dhe prindët e ndarë marrin vetëm 449 euro për ushqime, veshje, pajisjet shtëpiake, produktet e higjenës personale dhe faturat e internetit, telefonit dhe dritave. Për çdo fëmijë, një prind i ndarë, ose prindët si çift marrin nga 285 euro deri në 376 euro në varësi nga mosha e fëmijës.
Hartz IV dhe programe të tjera të ndihmës publike janë kritikuar vazhdimisht në Gjermani, sepse mbulojnë vetëm minimumin e nevojave. Për t’iu përgjegjur këtyre kritikave qeveria federale gjermane ka propozuar që me fillimin e 2023 të rrisë nivelin standard, duke e çuar në 503 euro në muaj, dhe të ndryshojë emrin duke e quajtur para për qytetarët, në gjermanisht “Bürgergeld.”
Sidoqoftë, sipas sociologut dhe studiuesit të varfërisë Christoph Butterwege, edhe kjo sasi parash nuk do të jetë aspak mjaft. Butterwege i tha Deutsche Welles, se duhen 650 euro që njerëzit të jetojnë “me dinjitet”, dhe të hanë ushqim të shëndetshëm në çdo vakt. Me sistemin aktual, janë përcaktuar vetëm 5 euro për ushqimin për person, duke i bërë ekonomitë e varfëra shtëpiake që të blejnë më pak ushqim ose të blejnë ushqim me cilësi më të ulët.
Varfëria e pensionistëve
Ndërkohë që inflacioni ka shkuar në stratosferë në Gjermani, gjithnjë e më shumë njerëz ndihen të paaftë të plotësojnë nevojat pa marrë ndihma. Për shumë vetë është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë të arrijnë të blejnë bukën, qumështin, frutat dhe perimet çmimi i të cilave është rritur 12 përqind, në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2020, rreth 1,1 milionë vetë kanë përdorur ofertën e ushqimit me çmim simbolik. Kjo shifër ka arritur tani gati 2 milionë vetë.
Varfëria është në rritje mes të moshuarve. Edhe pas dhjetëvjeçarëve të tërë të punës, pensioni mujor shpesh është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Sidomos gratë e ndiejnë më shumë ngarkesën, sepse ato kanë punuar më shumë me orar jo të plotë pune dhe janë paguar më pak. Sipas një studimi të fundit të Fondacionit Bertelsman në Gjermani, varfëria në moshë të thyer pritet të prekë në vitin 2036 rreth 20 përqind të gjermanëve.
Personat që e kanë pensionin më të ulët se kufiri i përcaktuar lejohet të kërkojnë ndihmë nga shteti. Por, shumë vetë ngurrojnë ta bëjnë këtë gjë sepse druhen se shihen si nevojtarë. Studimet tregojnë se dy të tretat e personave që ju takon të marrin ndihma druhen t’i marrin ato. Të moshuarit shpesh preferojnë të punojnë më gjatë, ose të mbledhin nga kazanët e plehrave kanoçe që rimbursohen për riciklim për të shtuar disa euro në kuletat e tyre.
Të varfërit që punojnë
Në Gjermani është duke u rritur numri i njerëzve që nuk janë në gjendje të jetojnë me të ardhurat pavarësisht se punojnë me orar të plotë pune – kjo pavarërisht rritjes së fundit të pages minimale në 12 euro ora. Me 12 euro për orë, një person që nuk ka fëmijë, që punon 40 orë në javë merr në muaj 1,480 euro neto. Megjithëse kjo shumë është mbi kufirin minimal të varfërisë, sasia e përdorimit është ulur për shkak të rritjes së inflacionit.
Studentët janë prekur rëndë nga kjo situatë, sidomos ata që marrin kredi nga shteti për të studiuar. Këta studentë marrin 934 euro në muaj, ku futet edhe qiraja dhe sigurimi shëndetësor. Kjo sasi parash ka bërë që shumë studentë të jetojnë nën nivelin e varfërisë.
Qeveria gjermane ka bërë plane për të shpenzuar 200 miliardë euro për të zbutur efektet e kostove në rritje të energjisë. Sidoqoftë, kjo nuk mbulon aspak kostot shtesë dhe ekonomistët mendojnë, se inflacioni do të mbetet i lartë. Jeta në Gjermani pritet të mbetet e shtrenjtë në të ardhmen e afërt dhe kjo do të ndihet sidomos nga ata që nuk kanë stabilizatorë financiarë dhe ndonjë kursim. /DW
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.