Për të 23-in vit radhazi, JPMorgan publikoi zgjedhjet e saj për 10 librat që duhet të lexohen gjatë kësaj vere, bazuar te rekomandimet nga këshilltarët e klientëve të saj në mbarë botën. Përzgjedhjet e vitit 2022 përfshijnë libra me tema aktuale për ndryshimet klimatike dhe NFT-të, si dhe një libër mbi mitologjinë greke dhe një koleksion fotografish rreth identitetit të afrikanëve. JPMorgan tha se lista e këtij viti synon të shërbejë si “një kujtesë për mënyrën se si parimet thelbësore të njeriut, si guximi, kreativiteti, kurioziteti dhe kujdesi na bëjnë bashkë, duke kapërcyer kufijtë dhe kohën”.
‘CEO Excellence: The Six Mindsets That Distinguish the Best Leaders from the Rest’
Shkruar nga partnerët senior të McKinsey & Company, Carolyn Dewar, Scott Keller dhe Vikram Malhotra, “Ekseleneca e CEO-ve” shqyrton mënyrën se si disa nga CEO-të më të njohur në botë udhëheqin kompanitë e tyre. Ky libër përfshin më shumë se dy dekada kërkime, bashkë me intervista me drejtuesit kryesorë të Netflix, GM, Sony dhe shumë të tjerë.
‘Race for Tomorrow: Survival, Innovation and Profit on the Front Lines of the Climate Crisis’
Gazetari i Financial Times, Simon Mundy, udhëtoi në 26 vende dhe gjashtë kontinente për të raportuar mbi krizën klimatike. Libri përmban histori nga shkencëtarë, sipërmarrës dhe shumë të tjerë që ndërtojnë një të ardhme ndryshe për shkak të krizës klimatike.
‘Being Present: Commanding Attention at Work (and at Home) by Managing Your Social Presence’
Në librin e saj “Being Present”, profesorja e Georgetown, Jeanine W. Turner, ofron disa strategji për të komunikuar në një botë ku shumë prej nesh ndihen gjithnjë e më të lidhur me pajisjet dhe më të distancuar nga kolegët tanë.
‘The Comprehensive Guide to NFTs, Digital Artwork, Blockchain Technology’
Nëse jeni ende të paqartë për kuptimin e një NFT-je, Marc Beckman është këtu për t’ju ndihmuar. Beckman, themeluesi i platformës NFT Truesy, krijoi një udhëzues për teknologjinë që shpjegon mënyrën se si u krijuan NFT-të, si ato mund të riformësojnë shoqërinë dhe si sipërmarrësit mund të përfitojnë nga NFT-të.
‘The Power of Regret: How Looking Backward Moves Us Forward’
Shkruar nga autori Daniel H. Pink, “Fuqia e pendesës” kritikon filozofinë e të jetuarit pa pendesa. Po sikur, argumenton Pink, pendesa të mund të përdoret për të na ndihmuar që të bëjmë një jetë më të mirë? Duke ndryshuar mënyrën tonë të të menduarit, thuhet në libër, pendesa mund të nxisë vendimmarrje më të mirë dhe arritje më të mëdha.
‘Fixed. How to Perfect the Fine Art of Problem Solving’
Amy E. Herman, një juriste dhe historiane e artit, zhvilloi një seminar vëzhgimi dhe komunikimi që është përdorur nga shumë organizata, duke filluar nga FBI e deri te Microsoft. Në librin e saj të fundit, “Fixed.”, Herman nxit përdorimin e artit për të ndryshuar këndvështrimin tuaj dhe për të zgjidhur më mirë problemet.
‘Hayao Miyazaki’
Ky libër me ilustrime, i botuar nga Muzeu i Akademisë së Filmit, kremton artin e regjisorit japonez Hayao Miyazaki dhe shqyrton procesin e tij krijues, mënyrën e të treguarit të ngjarjeve dhe personazhet e tij. Kjo punë e animuar shqyrton temat e jetës, të fëmijërisë dhe gjithë procesin e rritjes së njeriut.
‘As We Rise: Photography from the Black Atlantic’
“As We Rise” është një përmbledhje e punës nga dhjetëra artistë me ngjyrë nga e gjithë bota. Përzgjedhja e fotografive përkujton identitetin e tyre dhe eksploron temat e bukurisë, të vetë-përfaqësimit, të gëzimit dhe të përkatësisë.
Autori Teju Cole shkruan në parathënien e librit se “shumë shpesh, në kulturën më të gjerë, ne shohim imazhe të njerëzve me ngjyrë që qëndrojnë të dëshpëruar, në dhimbje ose në izolim brutal. ‘As We Rise’ e refuzon këtë.”
‘Between the Mountain and the Sky: A Mother’s Story of Love, Loss, Healing, and Hope’
Në librin e saj me kujtime “Between the Mountain and the Sky”, autorja Maggie Doyne tregon historinë e udhëtimit në Nepal pasi përfundoi shkollën e mesme dhe mënyrën se si përdori kursimet e saj për të hapur një shtëpi për fëmijë, e cila u zgjerua për t’u bërë më pas një organizatë jofitimprurëse.
Historia e saj tregon mënyrën se si një person mund të sjellë ndryshime afatgjata në jetën e shumë njerëzve të tjerë.
‘Greek Myths’
Antologjia e miteve greke nga shkrimtari gjerman Gustav Schwab rishqyrton historitë e njohura për botën e sotme.
Vëllimi përmban 47 mite klasike me ilustrime shoqëruese, duke nxjerrë në pah temat dhe mësimet që janë ende të rëndësishme, edhe në kohët moderne.
Business Insider
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.