Twitter bllokoi llogaritë e politikanëve serbë dhe përfaqësues të ambasadave - Business Magazine Albania

Twitter bllokoi llogaritë e politikanëve serbë dhe përfaqësues të ambasadave

Twitter

Twitter raportohet se ka pezulluar llogaritë e të paktën 16 figurave politike në Serbi, të gjithë ose anëtarë të Partisë Progresive Serbe në pushtet ose mbajtës të posteve të larta shtetërore.

“Në këtë rast, ne morëm gabimisht masa për të suspenduar një numër të llogarive dhe tani ato janë rikthyer. Prioriteti ynë kryesor është të mbrojmë diskutimet e shëndetshme në Twitter”, tha kompania në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Më 18 gusht, kompania Twitter ka pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi dhe të një zyrtari qeveritar. Twitter tha se vazhdon të zbatojë politikat e sigurisë për llogaritë në këtë rrjet social.

Në mesin e personave që u ishte pezulluar llogaria në rrjetin social Twitter është edhe Arno Gujon, drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe serbët në rajon, i cili është emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë.

“Twitter sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34.000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, tha Gujon përmes një postimi në Facebook.

Edhe pse Gujon është i njohur për publikun në Serbi si një humanist që ndihmon serbët në Kosovë, aktiviteti i tij politik është i lidhur me lëvizjen e ekstremit të djathtë.

Në të njëjtën kohë Twitter pezulloi llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksander Vuçiq.

Mes tyre ishte edhe llogaria e organizatës joqeveritare CRTA që monitoron punën e Kuvendit.

Kompania Twitter po ashtu pezulloi llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të qytetit të Beogradit, Miroslav Çuçkoviq, si dhe Slavisha Miçanoviqit, që sipas mediave udhëheq ekipin për media të SNS-së.

Siç thuhet në faqen zyrtare, Twitter ka të drejtë të pezullojë llogari nëse këto llogari shkelin rregullat e kompanisë.

“Shumica e llogarive që ne pezullojmë, pezullohen sepse ato janë të rreme ose paraqesin rreziqe të sigurisë për Twitter apo për këto që përdor Twitter-in”, thuhet në faqen e kësaj kompanie.

Në ueb-faqen e Twitter-it po ashtu thuhet se llogaritë mund të pezullohen nëse dyshohet se janë hakuar. Pezullimi në raste të tilla zgjat derisa llogaria t’i kthehet pronarit.

Kompania po ashtu mund të pezullojë llogari nëse janë në kundërshtim me politikat e kompanisë.

Ky është viti i tretë radhazi që Twitter ose mbyll ose shton mesazhe paralajmëruese në llogaritë në Serbi.

Në gusht të vitit 2021, Twitter etiketoi një numër gazetash dhe stacionesh televizive të njohura në Serbi si media, mbi përmbajtjen editoriale të të cilave shteti ushtron kontroll “përmes burimeve financiare dhe presioneve të drejtpërdrejta ose të tërthorta politike”.

Në prill 2020, Twitter hoqi pothuajse 8,558 llogari për të cilat tha se “po punonin për të promovuar partinë në pushtet të Serbisë”, Partinë Progresive Serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë njoftoi më 22 gusht se llogaritë në Twitter të ambasadave serbe në Armeni, Iran, Indonezi, Nigeri, Zimbabve, Gana dhe Kujvat, por edhe të Konsullatës së Përgjithshme në Çikago, janë pezulluar më 18 gusht.

Sipas kësaj ministrie, pezullimi i llogarive “u bë pa asnjë sqarim dhe pa asnjë njoftim paraprak që do të tregonte për ndonjë shkelje të mundshme të rregullave të komunikimit në këtë rrjet social”.

MPJ e Serbisë tha se “kjo është e papranueshme për misionet diplomatike të një shteti demokratik që nuk është subjekt i asnjë sanksioni”.

“Disa prej llogarive të pezulluara janë hapur së fundmi dhe nuk kanë qenë aktive, ndërkaq të tjerat nuk kanë asnjë përmbajtje që mund të konsiderohej e papërshtatshme”, u tha në njoftim.

Ministria e Jashtme tha se Serbia është e përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe respekton liritë “sipas standardeve më të larta evropiane”.

“Është absurde që një numër i misioneve tona diplomatike dhe konsullore të censurohen në median sociale që promovon demokracinë dhe pluralizmin e mendimit”, u tha në njoftim.

Serbia ka kërkuar nga kompania Twitter që të zhbllokojë këto llogari. Ministria e Jashtme serbe po ashtu tha se shpreson se pezullimi i llogarive “nuk është pjesë e përpjekjeve për të heshtur Serbinë në luftën për të vërtetën”, veçmas për situatën lidhur me Kosovën.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u rritën pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë, bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe.

balkaninsight
cna

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0