Çmimi i naftës rritet në nivele rekord. Rritje edhe për benzinën, gazi i pandryshuar - Business Magazine Albania

Çmimi i naftës rritet në nivele rekord. Rritje edhe për benzinën, gazi i pandryshuar

Çmimi i naftës nuk ndal rritjen duke iu afruar niveleve rekord. Me vendimin e ri të Bordit të Transparencës nga 1 qershori nafta do të shitet për 248 lekë litri, duke u shtrenjtuar me 9 lekë më shumë.

Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe çmimi i benzinës. Në pikat e karburanteve konsumatorët do ta blejnë atë për 244 lekë litrin, nga 237 lekë që ishte, duke bërë që qytetarët të paguajnë kosto gjithnjë e më të larta për karburantet.

Ndërsa çmimi i gazit nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të tregtohet për 90 lekë litri.

Edhe në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ka qëndruar i lartë duke arritur në mbi 120 dollarë për fuçi këtë të hënë, niveli më I lartë në dy muaj. Kjo si rrjedhojë e shqetësimeve në rritje lidhur me furnizimin e tregut nga Rusia.

Lexo edhe: BE bie dakord të ndalojë importin e 2/3 të naftës ruse

“Sytë” janë nga Bashkimi Europian, nëse ky i fundit do të vendosë apo jo kufizime për të ndaluar importet e naftës nga Rusia në kuadër të sanksioneve që blloku po ndërmerr ndaj saj.

Këto luhatje do të ndikonin drejtpërdrejt edhe çmimet në tregun vendas, pasi pavarësisht qëllimit për kufizimin e çmimeve, vendimet e Bordit të Transparencës  po i nënshtrohen ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare.

Nëse rritja në bursa vazhdon, me shumë gjasë çmimi i naftës në vend mund të prekë nivelin rekord që shënoi në fillim të marsit kur arriti në 260 lekë litri.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0