Gjatë pandemisë, 30% e sipërmarrjeve ulën numrin e të punësuarve. 7% e tyre mbyllën aktivitetin. Pozitive: zhvillimi tregtisë online
Anketa e zhvilluar nga Dhoma Ekonomike e Gruas me gratë sipërmarrëse në biznes nxjerr në pah efektet e pandemisë dhe sfidat e grave në biznes. Anketa e kryer dy muajt e fundit me 80 gra sipërmarrëse vë në dukje se 30% e tyre ulën numrin e të punësuarve nga 10-70%, krahasuar me një vit më parë. Flasim për një kategori sipërmarrjesh që kishte siguruar qëndrueshmëri më parë, pasi rreth 70% e tyre, raportojnë të kenë mbi 5 vite në treg dhe 37% e totalit të të anketuarve kanë mbi 10 vjet.
Gjatë vitit të kaluar gati 36% e sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë ulën aktivitetin, por theksuan se nuk pushuan punonjës nga puna. Ndërsa vetëm 8% vazhduan normalisht si më parë.
Gjatë kulmit të pandemisë, gati një e treta e sipërmarrjeve të drejtuara nga gra e kanë menduar mbylljen e aktivitetit dhe 7% e tyre e kanë mbyllur atë në vijim. Për pjesën më të madhe të grave në biznes, shqetësimi kryesor ishin: pasigurua, e shoqëruar me ndryshime të vazhdueshme të masave mbrojtëse dhe pamundësia financiare e tyre për të rritur kapitalin. Pasiguria ishte shqetësimi kryesor i 37 % të të anketuara, ndërsa pamundësia për të shtuar kapitalin, si dhe ulja e kërkesës në treg janë shqetësim parësor për 23% të tyre.
Edhe në këtë periudhë kritike, vijoi të mbetej shqetësim fuqia punëtore e pakualifikuar. Ajo u rendit si shqetësim kryesor nga 11% e sipërmarrjeve. Zhvillimi pozitiv i kësaj periudhe ishte aktiviteti online i kompanive. 53% e tyre thonë se kanë shënuar zhvillime pozitive në sipërmarrje pikërisht për shkak të periudhës tranzitore dhe fokusit në shitje online. Kjo mundësoi ulje të kostove operative për shumë kompani.
Në drejtim të shërbimeve online, ato zhvilluan dëgët e tyre të shërbimeve të mëparshme, ose produkte tërësisht të reja.
Disa nga pergjigjet ishin:
1-Shitje online dhe futje e një produkti të ri
2- Përshtatje e aktivitet dhe shtim i shërbimeve
3- Zhvillim i shitjeve online për t’u përshtatur me tregun dhe kushtet e pandemisë
4- Hapje e një sipërmarrje të re me fokus tregtinë online
5- Zhvillim i aplikacionit online
Në këtë periudhë, vetëm 26% e sipërmarrjeve të anketuara pohojnë se arritën të përfitojnë nga mbështetje financiare, si projekte apo masa të posacme, nga të cilat gati 70% ishin grante.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.