Në shkollat publike kjo është dita e parë ë shkollës.
Është njëkohësisht viti i dytë që fëmijët nisen drejt shkollave me maska. Ndërkohë, në pranverën e vitit 2019 mundësia më e madhe ishte dalja në ballkon.
Pandemia na ka sfiduar të gjithëve. Të rriturit, institucionet, i ka vënë në një provë të madhe. Të vegjlit i ka kufizuar, për shkak të kufizimeve të përgjithshme, por edhe për shkak të ndonjë mos organizimi të duhur apo pamundësie organizimi nga ana e të rriturve.
Në Tiranë, fatkeqësisht ka shkolla me 4 turne, ku fëmijë të klasave të treta dhe të katërta u duhet ta nisin mësimin pas orës 15:00. Në pasdite, është shpenzuar pjesa më e mire e energjive të fëmijës dhe përqëndrimi ka rënë në mënyrë të theksuar.
Të dashur fëmijë!
Kjo letër ju drejtohet juve.
Mos e humbni dëshirën dhe pasionin për mësim e lojë. Madje ushqejeni atë cdo ditë. Pikërisht kur na u cënua më shumë e kuptuam se shëndeti mendor është i rëndësishëm. Ne si prindër e mësues jemi të shqetësuar nëse ju po merrni më të mirën nga shkolla. Në të njëjtën kohë janë angazhuar përpjekjet për ta ulur këtë shqetësim. Prindërit, mësuesit dhe edukatorët po synojnë të kenë më shumë vëmendje tek ju, pikërisht për shkak të këtij dyshimi. Sigurisht, mirë do të ishte që shkollat të mos kenë 4 turne mësim. Mësuesit po bëjnë punë dyfishe me klasat e ndara, pikërisht që ju të mos prekeni nga virusi e të mos sëmuren as familjarët tuaj.
Lexo: Aftësia për të mësuar: Talent i lindur, apo i fituar?
Kjo është një kohë që do të kalojë dhe ne jemi me fat në një vend me diell si Shqipëria, ndaj mësoni dhe pastaj luani. Nuk ka si shoqëria, ajo e shkollës, e lagjes, e qendrave pas shkolle, e klubeve sportive, e ditëlindjeve (të vogla) e takimeve me kushërinjtë.
Duke shpresuar që cdonjëri nga ju mundi të shkojë sot në shkollë i përgatitur për të mësuar, dhe jo vetëm i veshur bukur 🙂 ju urojmë shumë suksese!
Pas pushimeve të gjata, është koha për t’u zhytur në libra, për t’u angazhuar në kurse të ndryshme, në mënyrë që të mos humbasim asnjë mundësi, pavarësisht pengesave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.