Rëndësia e sektorit të prodhimit të bulmetit në Shqipëri dhe perspektivat për të ardhmen - Business Magazine Albania

Rëndësia e sektorit të prodhimit të bulmetit në Shqipëri dhe perspektivat për të ardhmen

Shkroi: Andrea Angjellari, themelues i fabrikës “Angjellari Radanj”

Blegtoria është një sektor agroushqimor shumë i rëndësishëm në Shqipëri, në të cilin shumica e fermerëve janë të angazhuar në sektorin e prodhimit të qumështit. Ky sektor është shumë i rëndësishëm pasi ndikon jo vetëm në sasinë e prodhimit të nënprodukteve tradicionale të qumështit siç janë djathi, gjiza, kosi, gjalpi, por edhe të nënprodukteve më pak të njohura për konsumatorin shqiptar siç janë djathrat pikant, Mozzarella, Ricotta apo dhe djathrave të tjerë të thatë. Sigurisht që cilësia mikrobiologjike dhe shija e nënprodukteve të qumështit varen plotësisht nga lloji i lëndës së parë, në këtë rast i qumështit. Gjithashtu edhe përbërësit kimikë dhe prania e enzimave varen kategorikisht nga lloji i tij. Tendencat për prodhimtari në sektorin blegtoral kanë qenë në rritje përgjatë 2 dekadave të fundit, pas një ulje drastike gjatë dekadës së parë, gjatë fillimit të tranzicionit politik. Kjo shpjegohet me konsolidimin e vazhdueshëm dhe rritjen e rendimentit të këtij sektori pavarësisht faktit së uljes së numrit të gjethëve dhe bagëtive të imta në këtë sektor. 

Përpunimi dhe rajonalizimi

Aktualisht, për vetë karakteristikat gjeografike apo edhe nevojat në Shqipëri, prodhimi i qumështit dominohet kryesisht nga ai i lopës që arrin në mbi 80% të sasisë totale. Fieri është qarku me nivelin më të lartë të prodhimit të qumështit të lopës i cili kontribuon me afërsisht 20% të prodhimit të qumështit të kësaj kategorie. Përsa i përket llojit të qumështit nga bagëtitë e imta, pra dele dhe dhi, qarqet me përqëndrim më të lartë janë Vlora, Gjirokastra, Korça dhe Elbasani. Bazuar në ato pak të dhëna formale që disponohen, kjo për shkak edhe të informalitetit të madh në këtë sektor, nënprodukti kryesor i qumështit në Shqipëri është djathi fetë lope me rreth 75% të prodhimit total. Djathi i dhisë kontribuon me afërsisht 8-9% të prodhimit të përgjithshëm, në të cilin peshën kryesore e mbajnë qarqet e Korçës dhe Vlorës. Në veçanti rrethi i Kolonjës është i dalluar në këtë sektor kjo për shkak të karakteristikave gjeografike, kryesisht me një terren të thyer kodrinor-malor. 

Lexo: Aplikimet për investime në agroturizëm kanë 10 ditë afat për lejen e ndërtimit, sipas udhëzimit

Prodhimi i fabrikës “Angjellari Radanj” është fokusuar mbi djathin fetë nga qumështi i dhisë. Aktiveti kohor i operimit të kësaj fabrike është sezonal, në përputhje me disponueshmerinë e qumëshit të dhisë. Kjo pasi cikli i prodhimit të qumëshit të dhisë është i shkurtër dhe varion 100-150 ditë në vit. Pasterizimi i qumështit ndodh në temperaturën prej 68C dhe për një kohë prej 30 minutash, ndërsa transformimi i qumështit në djathë bëhet pasi është ftohur në temperaturë prej 30-30C. Në këtë hap kazeina, e cila është një ndër proteinat kryresore të qumështit, i nënshtrohet proçesit të koagulimit. Ky transformim përfshin një numër të madh ndryshimesh fiziko-kimike, biokimike dhe strukturore. Më pas djathi i nënshtrohet disa proceseve të stazhionimit në ambiente me temperaturë të kontrolluar prej 18-20C dhe ruajtja në dhoma frigoriferike në temperatuë 2-4C.  Gjatë proçesit të stazhionimit ndodhin gjithashtu ndryshime me karakter biokimik dhe mikrobiologjik që prekin kryesisht laktozën, proteinat dhe yndyrën prezente në djath. 

Përse cilësia e lartë e qumështit është e rëndësishme?

Shumica e fermerëve janë të organizuar në njësi të vogla me tufa që arrijnë deri në 200-250 krerë dhi. Në të gjitha rastet ushqimi kryesor për dhitë ndodhet në kullotat malore dhe mjelja kryhet akoma në mënyrë manuale. Për fat të keq vihet re një tendencë e zvogëlimit të numrit të njësive të kësaj tiplogjie mbarështrimi të dhive. Kjo për shkak të shumë problemeve të trashëguara siç mund të përmendimin:

  • Problemet e pronësisë mbi kullotat;
  • Mungesa e fuqisë punëtore; pjesa më e madhe e fuqisë punëtore aktive ka emigruar ose nuk preferojnë të punojnë në blegtori;
  • Mbarështuesit e  bagëtive të imta janë kryesisht individë të moshës së mesme ose të moshuar;
  • Mungesa e burimeve financiare për të blerë kafshë, ushqim për kafshët, etj., në të gjitha qarqet
  • Teknologjitë akoma manuale të mbarështrimit dhe mjeljes ulin produktivitetin 
  • Kosto të larta të mbarështrimit dhe fitim i ulët

A po mbështet ky sektor nga politikat qeverisëse?

Si në të gjithë sektorët e tjerë edhe sektori i prodhimit të bulmetit duke përfshirë të gjithë zinxhirin përpunues nga mbarështrimi i bagëtive e deri te konsumimi final, vuan vazhdimisht mungesën e investimeve apo mbështetjen e strukturave qeverisëse përkatëse. Të mos harrojmë që Shqipëria është ndër vendet më të varfëra në Europë dhe si e tillë do të duhet vazhdimisht që bujqësia apo blegtoria të mbështeten dhe të zhvillohen. Në këtë mënyrë sigurohen produktet bazë të shportës me cilësi dhe sasi të besueshme dhe të brendëshme pa patur nevojën e importimit nga shtetet e tjera. Për fat të keq kjo gjë jo vetëm që nuk është e realizuar por ka vazhdimisht përpjekje absurde në formë ligjesh apo reformash për të tkurrur apo demaskuar këtë sektor. Mjafton të përmendim këtu skemën e TVSH në fuqi prej viti 2019 në të cilën vlera e kompensimit të TVSH-së është reduktuar ndjeshëm. Ndryshimet fiskale të viti 2019 sollën rishikimin e nivelit të TVSH-së 6% në blerje (faturim me 6% të TVSH për qumështin që blihet nga fermerët) dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Për rrjedhojë ky ndryshim TVSH rriti kostot e prodhimeve të produkteve të bulmetit dhe për më tepër, po favorizon shitjen e produkteve të importuara dhe informalitetin. Të mos harrojmë gjithashtu edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm që shpesh nuk përmendet. Shqipëria është ndër të vetmet vende në Europë që aplikon TVSH rreth 20% te produktet e bulmetit ndërkohë që mesatarja e shumë vendeve të Europës është midis 4-6%. Megjithate, shpresat për ndryshimin e kesaj reforme janë të mëdha dhe le të shpresojmë që do të ketë përmirësime në këtë aspekt. 

Lexo: Pas bukës shtrenjtohet kafja dhe sheqeri në bare dhe restorante

Perspektivat e sektorit të prodhimit të bulmetit

Padyshim që sfidat në këtë sektor janë të mëdha. Mbi të gjitha perspektivat lidhen me aftësinë e këtij sektori për të kaluar me sukses probleme me të cilat ky sektor përballet. Këtu mund të përmendim nevojat e financimit për investim, garanci të shitjes së produkteve dhe mbi të gjitha mbështetje nga ana e qeverisë me anë të politikave favorizuese dhe subvencionuese. Skema aktuale për subvencionime është konfuze dhe jo e qartë. Ka interes shumë të lartë nga ana e fermerëve për subvencione, por mundësitë aktuale nuk arrijnë të përmbushin të gjitha kërkesat për subvencion, dhe për më tepër nuk ka përzgjedhje apo prioritet se cilat kërkesa do të përmbushen. 

Aktualisht, perspektivat e operimit të fabrikës sonë janë shumë të mëdha dhe premtuese. Gjithsesi, këto perspektiva do të varen edhe nga fakti nëse fermerët do të jenë të aftë që të përshtaten dhe ti mbijetojnë realiteteve të reja sfiduese. Për fat të keq politikat e qeverisë janë për favorizimin e fermerëve për mbarështrimin e gjedhëve në mënyrë masive duke ulur në mënyrë të konsiderueshme mundësinë që fermerët më të vegjël të mbarështrimit të të imtave dhe dhive në veçanti të ulen. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0