Në mendjen e një No-Vax - Business Magazine Albania

Në mendjen e një No-Vax

Luc Ferry- Në trajtimin e komplotit që rri pezull mbi pandeminë, kushdo që përpiqet të argumentojë, të nxjerrë në pah faktet, merret si agjent sekret i vetë komplotit.

Me të drejtë Emmanuel Macron, bashkë me të gjithë demokratët, janë të shqetësuar nga përshkallëzimi i lëvizjeve konspiracioniste që bëjnë thirrje për mosbindje civile. Thënë kështu, nëse keni ndërmend të bindni dikë, është më e rëndësishme të kuptoni strukturën psikologjike ku mbështetet mendimi i tyre, në vend që ta mbuloni atë me fyerje ose fjalime të mëdha.

Janë të shumtë njerëzit, fort të bindur se “ata po na gënjejnë”, se vdekjet nga Covid janë shumë më pak se sa thuhet apo që, virusi nuk është asgjë më shumë se një shpikje e atyre që janë në pushtet dhe duan t’u imponojnë popujve masa liberticide, siç pohonte filozofi Giorgio Agamben. Është e qartë se kontradiktat e atyre që na qeverisin, fillimisht kundërshtues dhe më pas në favor të Green Pass, të përmbledhura në një zbatim të vonuar të kësaj mase, në mesin e pushimeve verore, sigurisht që nuk ndihmuan.

Megjithatë, mbetet fakti që, përtej një sërë pyetjesh legjitime, ndonjëherë ekziston edhe një strukturë paranojake që është e pamundur të kontrollohet në mënyrë racionale. Në trajtimin e komplotizmit, që vërtitet mbi pandeminë, kushdo që përpiqet të argumentojë, të nxjerrë në pah faktet, merret si agjent sekret i vetë komplotit. Për fat të mirë, shumica e qytetarëve nuk lejojnë që të mashtrohen dhe kujdesen për veten dhe të tjerët, dhe për këtë arsye janë plotësisht të vetëdijshëm mbi realitetin e një virusi, që tashmë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 4 milion njerëzve në të gjithë botën.

Kur studioja psikologji në universitet (nuk vija nga Ecole Normale Supérieure, në të vërtetë, as që kisha tentuar provimin e përzgjedhjes dhe isha i bindur se nuk do të më pranonin kurrë në studimet e filozofisë; kështu, rastësisht, u regjistrova në psikologji …), një psikiatër të cilin e admiroja për inteligjencën dhe aftësinë e tij pedagogjike, na dha një kurs të mrekullueshëm në psikopatologji. Ishte profesori Hanus, dhe ai na tregoi një histori, për të na ndihmuar të kuptonim ndryshimin midis psikozës dhe neurozës.

Psikotiku, tha ai, është dikush që distancohet nga realiteti dhe fillon të delirojë. Ndryshe nga neuroza, e cila manifestohet përmes simptomave të tjera, është deliri karakteristika kryesore e një psikoze. Psikotiku është ai që pretendon se “dy plus dy bëjnë pesë”. Nëse përpiqemi ta kundërshtojmë, ai do të na identifikojë menjëherë si armiq, dhe nëse këmbëngulim ai do të mendojë se jemi të përfshirë në komplot kundër tij. Kam njohur një zonjë që besonte se Mickey Mouse jetonte në lavamanin e saj të kuzhinës, na tha profesori. Isha përpjekur ta bëja të arsyetonte: “Zonjë, ju e dini, apo jo, se Mickey Mouse nuk ekziston dhe se, në çdo rast, ai nuk do mund të jetonte në tubat e një lavamani …”. Zonja arriti në përfundimin se unë isha pa dyshim bashkëpunëtor i Mickeyt.

Edhe personi që vuan nga neuroza, ashtu si ai që vuan nga psikoza, beson se dy plus dy bëjnë pesë, por, specifikoi profesori, ndryshe nga psikotiku “kjo gjë e shqetëson dhe fakti që ai ndihet jo rehat, është një shenjë që e di se e ka gabim, një shenjë kjo që ende nuk e ka humbur lidhjen me realitetin”.

LEXO: Pasaporta e vaksinimit, francezët “arratisen” në restorantet dhe kafenetë belge

Neurotikët e mëdhenj, në fakt, shpesh ndiejnë një lloj turpi, ata përpiqen të fshehin simptomat e tyre nga të tjerët. Ata nuk janë delirantë, janë të vetëdijshëm për sjelljen e tyre jashtë normës, por asnjë shpjegim i besueshëm nuk mund t’i bindë, e tillë është fuqia e tërheqjes dhe ngurrimit. Një psikiatër gjerman i përmblodhi këto sjellje me hijeshi, por edhe me një ashpërsi të konsiderueshme: “Neurotiku ndërton kështjella në ajër, psikotiku jeton në to dhe psikiatri merr qiranë!”.

Ky përshkrim qesharak i një marrëdhënie të veçantë na lejon të kuptojmë dy elementë thelbësorë, nga të cilët qeveritarët tanë duhet të frymëzohen kur u drejtohen qytetarëve: në sundimin e ligjit çdo vendim i qeverisë ratifikohet nga Parlamenti, dhe për këtë arsye është delir i pastër të vazhdohet të flitet për “diktaturë të shëndetit”, por duhet të merret parasysh se prirjet paranojake nuk janë çështje inteligjence.

Dhe është për këtë arsye që njerëzit e arsimuar, shpesh edhe intelektualë prestigjiozë, futen në barrikadë në një logjikë konspiracioniste; në këtë lloj situate, për të bindur ata që nuk janë ende të bindur, politikanët tanë do të bënin më mirë t’u jepnin fjalën personaliteteve që frymëzojnë besim të vërtetë – ndoshta simbole të mëdha të sportit, ose të botës së artit, apo të ndonjë fushe tjetër, përveç politikës – në vend se të hipin vetë me pompozitet në “katedër”, për t’u dhënë leksione demonstruesve, të cilët asnjë argument racional nuk mund t’i bindë, se armiku i vetëm i lirive tona nuk është vaksina, madje as Green Pass, por virusi.

Autori është një Filozof, ish-ministër i Rinisë, Arsimit dhe Kërkimit Kombëtar në qeverinë Raffarin (nga 2002 deri në 2004), profesor i Filozofisë në Universitetin VI-Jussieu të Parisit.

Repubblica

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0