Banka e Shqipërisë prezantoi gjatë ditës së martë prerjet e reja të kartëmonedhës 1.000 lekë dhe për herë të parë atë të 10.000 lekëve. Ato do të hynë në qarkullim legjitimisht më datë 30 qershor 2021. Guvernatori i Bankës, Gent Sejko tha në ceremoninë e prezantimit se kartëmonedha 10.000 lekëshe doli si nevojë e tregut për të dhe vetë ekonomisë.
Numizmatika e kartëmonedhës së re është figura e Asdrenit, autorit të Himnit kombëtar të Shqipërisë. “Ekzistenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e në punën tonë për të administruar stokun e parasë dhe për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut për para. Duke parë cilësinë e këtyre kartëmonedhave, mund të themi me besim të plotë se puna e bërë për realizimin e tyre ka qenë mjaft e vlefshme. Në emër të Bankës së Shqipërisë, falënderoj ata që kanë ndihmuar për realizimin e këtyre kartëmonedhave. Dëshiroj të vlerësoj edhe kontributin e shumë akademikëve, historianëve, albanologëve, historianeve dhe ekspertëve të kompanive të njohura në botë në fushën e prodhimit të kartëmonedhave”, tha Sejko.
Kartëmonedhat e reja duhet të dilnin në qarkullim në fund të vitit 2020, por BSH e shtyu për në qershor të vitit momental. Vitet e fundit BSH-ja ka përmirësuar mekanizmat e prodhimit të kartëmonedhave, në siguri dhe më rezistente ndaj dëmtimeve apo agjentëve atmosferikë.
“Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si p.sh. ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese. Banka e Shqipërisë planifikon me kujdes për të garantuar plotësimin e kësaj kërkese të tregut, si në situata normale ashtu edhe në ato jotipike. Edhe situata më e fundit e pandemisë COVID-19, është një shembull konkret në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe, ka rezultuar një rritje shtesë e kërkesës së ekonomisë për para fizike. Kështu gjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019. Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cili jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.”
Shqiptarët, mbështetur në statistika të BSH-së dhe biznese të ndryshme, janë konservatorë të parasë së thatë. Në fund të vitit 2020, në Shqipëri qarkullonin 156 milionë kartëmonedha në lekë, që përktheheshin në 350 miliardë lekë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.