Arjan Sala, heroi mes nesh - Business Magazine Albania

Arjan Sala, heroi mes nesh

Arjan Sala

Për tre ditë, fotoja me shikimin drejt në sy të Arjan Salës na preku të gjithëve. Punonjësi i kompanisë private të sigurimit u bllokua mes flakëve që përpinë magazinën e qendrës tregtare në Tiranë, pasi kishte nxjerrë 20 punonjës. Flakët që nuk shuheshin dhe tymi i padepërtueshëm rritën ankthin e familjes dhe njëkohësisht të gjithë shqiptarëve. 32 vjeçari, baba i një fëmije të vogël, nuk po gjendej dhe shpresat për ta shpëtuar të gjallë u shuan ditën e tretë të kërkimeve, me 27 Mars, kur u gjet trupi i pajetë.

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë konfirmuan praninë e “Heroit mes nesh”. Arjani vraponte të futej në zonën e rrezikut për të shuar flakët dhe për të nxjerrë punonjësit. Zjarri ishte më i madh se guximi i tij, por, sigurisht guximi dhe përgjegjesia e tij ishin ndër më të lartat që mund të gjenden mes mesh. Kjo e bëri atë heroin mes nesh dhe tashmë edhe zyrtarisht heroi i popullit.

Këshilli i Ministriave e shpalli Salën “Dëshmor i Atdheut” me motivacionin “Humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në rast fatkeqësie”. Çmimi iu dorëzuar familjes nga Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në familje.

Pak ditë më parë, Presidenti i vendit Ilir Meta, i akordoi pas vdekjes “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Meta theksoi se, “Mes dhembjes, por me mirënjohjen dhe krenarinë e çdo shqiptari i akordova sot Heroit Arjan Sala, pas vdekjes, “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, “Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.

Aktet heroike janë gjithnjë mbresëlënëse, por në realitetin e sotëm, ky veprim vjen në një kohë kur çdonjëri po rend drejt diçkaje që nuk ka në fokus kujdesin për tjetrin. Vendi është në prag zgjedhjesh dhe palët politike prej muajsh po rendin drejt fitores. Fushata elektorale shpesh shkon përtej normave qytetare duke kaluar në komente dhe ofendime personale.

Kompani pranë pushtetit rendin drejt sigurimit të avantazheve përfshirë tendera, madje edhe individë që rendin drejt suksesit me çdo kusht. Në të gjitha këto raste, nuk merret parasysh dëmi që shkaktohet përreth, në shoqëri. Këtë lloj rendje nuk arriti ta ndalë as pandemia, e cila në vetvete na tregoi se më shumë se paratë dhe sukseset, vlen kujdesi për tjetrin. Në këtë epokë konsumizmi, konceptet e përgjegjshmërisë dhe altruizmit janë dobësuar gati në zhdukje. Kjo bëri që Arjani, të cilësohej si heroi mes nesh edhe nga qytetarët.

Sigurisht një reagim i tillë deri në vetëflijim, nuk është i rastësishëm. Çdokush që mund të jetë ndalur për ta menduar këtë koncept e ka kuptuar se ai është edukuar për të qenë i tillë.

Daljet publike të familjes e vërtetuan këtë. Xhaxhai dhe vëllai i tij, na prezantuan një familje të thjeshtë, të përulur dhe plot vlera. Një model që fatkeqësisht e shohim rrallë në televizor e në mediat online, ndaj dhe bën përshtypje djali që nuk mendoi për veten në moment rreziku, por për të tjerët.

Arjan Sala, sot është heroi për të cilin të gjithë kishim nevojë. Kishim nevojë të ndriçojë udhëtimin tonë të përgjegjësisë në shoqëri, në punë. Ai lindi dhe u rrit në periferi të Tiranës për t’u bërë publik përmes këtij akti, që tejkalon përmasat kombëtare. Sakrificat e tij deri në vetëflijim e bëjnë atë një hero global të shoqërisë së sotme.

Ky artikull u publikua në median rajonale okruzenje.net  nga kryeredaktorja e businessmag.al Albana Mucaj

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0