9 aktivitete që mund të ndiqni gjatë muajit Nëntor-Dhjetor - Business Magazine Albania

9 aktivitete që mund të ndiqni gjatë muajit Nëntor-Dhjetor


Vjeshta dhe Dimri janë stinët ku nuk mungojnë aktivitetet e ndryshme në çdo cep të Shqipërisë. Ditët e ftohta që afrojnë nuk janë një pretekst për t’u mbyllur dhe ndenjur në shtëpi, por dilni dhe shijoni ngjyrat karakteristike të kësaj periudhe si dhe ndiqni disa nga aktivitetet që do ju bëjnë të dashuroheni me vendin tuaj. 

Çelja e sezonit turistik dimëror në Llogara, Vlorë, Nëntor

Në çeljen e sezonit turistik dimëror bashkia organizon aktivitete të ndryshme sportive, kulturore, argëtuese, duke mbledhur shumë vizitorë, duke promovuar kështu bukuritë natyrore të Llogarasë.

Lexoni: 10 vende fantastike për të kaluar vjeshtën 2019

Festa e Mandarinave, Konispol, Nëntor

Kjo festë ka të bëjë me promovimin e prodhimeve bujqësore dhe blektorale. Karakteristikë në këtë ditë është vizita në blloqet e agrumeve, ku vrojtohet procesi i vjeljes së mandarinës.

Panairi i librit “Tirana 2019”, 13-16 Nëntor

Ky Panair do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë.

Festa e Ngjalës, Divjakë, 29 Nëntor

Ngjala e Lagunës së Karavastasë është e famshme në të gjithë vendin. Ndaj në traditën myzeqare në këtë të vit, banorët organizojnë një festë kushtuar kësaj specie. Festa shoqërohet me këngë e valle popullore, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, ku nuk mund të mungojë as e famshmja “Valle e Ngjalave”, si dhe me shijimin e gatimeve tradicionale të ngjalës.

Nata e Bardhë, Tiranë, 29 Nëntor

Nata e Bardhë tashmë është një festë tradite për qytetin e Tiranës. Në kuadër të festimeve të kësaj dite ftohen të marrin pjesë artistë me famë botërore, të cilët performojnë live në një nga sheshet kryesore të Tiranës.

Turizmi me njerëzit me aftësi të kufizuar, Pukë, 3 Dhjetor

Gjatë kësaj dite, organizohen lojra popullore, vizita turistike, këngë dhe valle popullore të zonës dhe drekë tradicionale për persona me aftësi të veçanta, ku ndërkohë promovohen dhe vlerat turistike të zonës.

Lexoni: Eventet që do ju zbukurojnë Nëntorin

Konkursi i verërave, Pogradec, 16 Dhjetor

Prodhimi i verës së bashku me vreshtarinë janë disa nga traditat dhe zakonet e shumta të jetës së përditshme të qytetit të Pogradecit. Në vazhdim të traditës pogradecare, organizohet konkursi i promovimit të verës më të mirë.

Dita e gatimeve tradicionale, Berat, 20 Dhjetor

Si një qytet që ruan çdo traditë në kulturë, Berati ruan edhe një tjetër traditë, atë të gatimit tepër të veçantë, të trashëguar në vite. Në këtë panair gatimet janë nga më të larmishmet, por epiqendra është përsheshi me gjelin e detit dhe kulaçi.

Korça Open Air, 27-29 Dhjetor

Aktiviteti tre ditor “Korça Open Air”, organizohet me mbështetjen e Aeronautikës Shqiptare. Gjatë paradites në malin e Moravës, organizohen fluturime të lira të aeronautistëve nga vende të ndryshme të botës. Për të gjithë të apasionuarit pas sporteve në natyrë, do të zhvillohen fluturime dyshe me ndihmën e profesionistëve. Pas përfundimit të garave, realizohet Ceremonia Zyrtare e ndarjes së çmimeve për fituesit e Kampionatit të Fluturimeve të Lira.

Lexoni: Horoskopi i karrierës dhe biznesit për muajin Nëntor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0