5 Këshilla për eliminimin e egos në punë - Business Magazine Albania

5 Këshilla për eliminimin e egos në punë

5 Këshilla për eliminimin e egos në punë

Egot e mëdha mund të dëmtojnë çdo vend pune. Ja se si mund të kultivoni një ego të balancuar në punë dhe të ndërtoni një ekip më të qëndrueshëm. Sigmund Freud argumentonte se egoja, e cila kontrollon mendimet dhe sjelljet tuaja, ndikohet nga id-ja (instinktet tuaja më bazike) dhe superegoja, që përfshin rregullat dhe normat e shoqërisë. Të kesh një ego të balancuar është thelbësore për mirëqenien personale. Në të njëjtën mënyrë, të kesh dhe të udhëhiqesh me një ego të balancuar është çelësi për suksesin profesional dhe të ekipit.

Liderët me ego të fryra mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme te punonjësit dhe kompanitë. Duke qenë më pak të gatshëm për të pranuar ide të kundërta, ata mbytin inovacionin dhe marrin vendime të cilësisë së dobët. Për shkak se egoja e tyre kërkon vazhdimisht vëmendje pozitive, ata janë të ndjeshëm ndaj manipulimit. Për më tepër, tiparet e liderëve egoistë shpesh depërtojnë në të gjithë organizatën, duke minuar potencialisht strukturën e saj. Prandaj është thelbësore që liderët të praktikojnë lënien e egos së tyre jashtë derës.

Ja pesë strategji për të hequr dorë nga ndjenja e rëndësisë suaj dhe për të udhëhequr me më pak ego:

  1. Stërvitni aftësinë tuaj të dëgjimit aktiv si një muskul

Nëse keni qenë ndonjëherë te një terapist, atëherë jeni të njohur me dëgjimin aktiv. Një terapist i mirë dëgjon me vëmendje, interpreton kur është e nevojshme dhe përpiqet të kuptojë atë që po thoni. Ata jo vetëm që ju dëgjojnë, por ju bëjnë të ndiheni të dëgjuar. Në këtë mënyrë, ata lejojnë që egoja e tyre të bjerë. Ashtu si stërvitja e forcës në palestër, ju mund të stërvitni aftësinë tuaj të dëgjimit aktiv sikur të ishte një muskul. Komponentët kryesorë të dëgjimit aktiv janë: kuptimi, mbledhja e informacionit dhe përgjigja. Duke punuar me këto aftësi, ju mund të bëheni një dëgjues aktiv më i mirë.

Gjithashtu, bëni zakon të sqaroni keqkuptimet në moment, për shembull për shkak të shprehive ose shpjegimeve teknike. Bëni pyetje dhe kërkoni shpjegime të mëtejshme. Nëse është e nevojshme, kërkoni që dikush të shpjegojë një koncept me terma që një fëmijë do t’i kuptonte. Shmangni çdo shpërqendrim dhe përpiquni të jeni të vetëdijshëm për paragjykimet tuaja. Dhe më në fund, komunikoni atë që keni kuptuar nga ajo që dikush ka thënë. Dëgjimi aktiv kërkon përpjekje, por ashtu si ngritja e peshave, bëhet më i lehtë me përsëritje.

  1. Shorehni mirënjohje dhe merita rregullisht

Ju me siguri mund të kujtoni një lider që mori meritën për çdo arritje të ndodhur përgjatë afatit të punës së tij. Kjo është një shenjë e qartë e një lideri egoist. Kjo jo vetëm që paraqet një pamje të shtrembëruar të së vërtetës, por gjithashtu ul motivimin e punonjësve. Të mbani egon tuaj në kontroll kërkon të njihni rregullisht kontributet dhe arritjet e punonjësve.

Hulumtimet tregojnë se edhe gjestet e vogla të mirënjohjes kanë përfitime të mëdha, si për punonjësit ashtu edhe për organizatat. Konkretisht, shpërblimet simbolike si kartolinat e urimit, përgëzimet në publik dhe certifikatat mund të rrisin ndjeshëm motivimin e brendshëm dhe performancën. Shprehja e meritave publike (në vend të komplimenteve private) mund të jetë më efektive dhe të inkurajojë anëtarët e tjerë të ekipit gjithashtu.

  1. Merrni përgjegjësi

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme për përgjegjësinë. Disa e perceptojnë përgjegjësinë si një kërcënim – ose një forcë motivuese për aq sa arritja e qëllimeve  shmang pasojat negative. Të tjerët e shohin përgjegjësinë si një sfidë të vlefshme dhe një mundësi për rritje dhe përmirësim. Liderët që arrijnë të kultivojnë llojin e dytë të përgjegjësisë kanë të gjitha shanset të korrin përfitimet e një mentaliteti rritjeje gjithëpërfshirëse në të gjithë organizatën e tyre.

Një mënyrë për të ndërtuar një përgjegjësi pozitive brenda ekipit tuaj është të mbani veten përgjegjës si lider. Pranoni gabimet,  dhe objektivat e papërmbushura në publik, si për shembull në  takimet e rregullta të të gjithë të punësuarve. Ndani dështimet si mundësi për reflektim dhe rritje.

  1. Kufizoni ndërprerjet dhe jini prezentë

Të jesh i pranishëm për punonjësit shkon përtej prezencës fizike. Do të thotë t’u kushtosh atyre vëmendjen e plotë, duke përfshirë kufizimin e ndërprerjeve dhe duke qenë i pranishëm. Të jesh i pranishëm për të tjerët mund të jetë një forcë e qëndrueshme për egon tuaj dhe mund të krijojë një mjedis pune më bashkëpunues dhe empatik.

Për shembull, disa organizata kanë “Ditët e Demo-s” çdo javë, ku ekipet  prezantojnë punën e tyre të fundit dhe çdo ide që u vjen në mendje. Të gjithë presin këto ditë sepse ato ofrojnë mundësinë që punonjësit të kenë hapësirën e tyre dhe të shprehen. Edhe punonjësit më të rezervuar marrin pjesë, duke e ditur se zëri i tyre do të dëgjohet. Ditët e Demo-s mund të kenë sukses vetëm nëse të gjithë, nga liderët te të sapo punësuarit, bien dakord të minimizojnë shpërqendrimet dhe të jenë plotësisht të pranishëm dhe të angazhuar.

Lexo edhe: Si të krijoni të ardhura pasive me mjete të Inteligjencës Artificiale

  1. Angazhohuni për ide edhe kur ato nuk janë tuajat

Si lider, moderimi i egos suaj mund të jetë një sfidë, por gjithashtu është një shenjë mençurie. Siç ka thënë shkrimtari F. Scott Fitzgerald: “Prova e inteligjencës së nivelit të parë është aftësia për të mbajtur dy ide të kundërta në mendje në të njëjtën kohë dhe ende të ruash aftësinë për të funksionuar.”

Një mënyrë që liderët të mbajnë ide të ndryshme të kundërta është të lënë mënjanë idetë e tyre ndonjëherë dhe të angazhohen për ato të të tjerëve. Është në rregull të dëgjosh këndvështrimin e dikujt tjetër edhe nëse është i ndryshëm nga imi – edhe nëse nuk pajtoheni plotësisht.

Punonjësit përfitojnë nga besimi dhe lideri duhet të zhvilloj aftësi mendore duke përqafuar një opinion që ndryshon nga ai i tij. Edhe nëse ideja dështon, përvoja e të mësuarit është përfitim për të gjithë të përfshirët.

 

 

 

 

fc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0