5 fakte për protestën e studentëve në Shqipëri - Business Magazine Albania

5 fakte për protestën e studentëve në Shqipëri


Studentët kërkojnë ulje të shpenzimeve në arsim dhe të drejta të tjera lidhur me universitetin dhe përfaqësinë e tyre. Këto ditë ata janë kryefjala e çdo bisede dhe njëkohësisht dhimbja e kokës për kryeministrin, i cili kërkon të dialogojë me ta.

Ne ju sjellim pesë fakte që po ndodhin me studentët dhe protestën e tyre:  

1- Prej dy javësh studentët po protestojnë. Përmes 8 kërkesave të tyre, ata duan arsim më të lirë e me një standard më të lartë. Në formë të organizuar ata janë nisur sot nga fakultetet e tyre për t’u bashkuar para Kryeministrisë.

2- Studentët nuk pranojnë dialog me Kryeministrin, duke deklaruar se kërkesat e tyre janë të qarta. Kjo tregon edhe mungesë besimi të tyre tek politika për negociata cilësore e komunikim transparent.

3- Kryeministri Edi Rama pas disa kërkesave për dialog, zhvilloi një ditë më parë takim me një grup studentësh e pedagogë të fakultetit të Gjeologjisë dhe ka bërë të ditur se do të vijojë takimet.

Rama shkroi në Twitter: “Faleminderit për mikpritjen grupit të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologjikut, me të cilët patëm një bashkëbisedim të dobishëm për Dialogun (e në fakt zhvilluam vetë Dialogun) 😉 Mësova gjëra të reja prej tyre, mbase edhe ata e kuptuan mirë se ku e kam hallin unë 😁 Nesër vazhdojmë”.

4- Përfaqësuesit e studentëve thonë se nuk do të politizojnë protestën. Kjo i ka rritur përpjekjet e tyre, krahas protestës e kërkesave për qeverinë, të “mbrojnë” grupet e protestuesve nga eksponentë që mund ta shfrytëzojnë lëvizjen për interesa personalë apo partiakë.

Lexo: Student, nuk e ke idenë çfarë ke bërë!

5- Institucioni i Avokatit të Popullit apelon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.

Në një deklaratë, Avokati i Popullit thotë: “Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë, të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0