21 vjeçari shqiptar, një sukses në Kanada, ku ka sjellë 3 projekte inovative. Mes tyre "Cool Historians", një rrëfim ndryshe mbi historinë - Business Magazine Albania

21 vjeçari shqiptar, një sukses në Kanada, ku ka sjellë 3 projekte inovative. Mes tyre “Cool Historians”, një rrëfim ndryshe mbi historinë

Cool Historians
~5 minuta lexim

Shqipëria ka talente të mrekullueshëm, të cilët me vullnet, këmbëngulje dhe pasion ecin përpara dhe krijojnë gjëra të bukura dhe inovative kudo që janë, të cilat u shërbejnë njerëzve apo profesioneve specifike. Ky është dhe rasti i këtij të riu që ne patëm mundësinë të bënim një intervistë me të.

Vetëm 21 vjeç, Luka Lamaj nga Tirana, studion për Biokimi në Universitetin Bishop në Kanada. Ai jeton dhe studion atje, ku po punon me 3 projekte të ndryshme Docere App, Cool Historians dhe Lavel NFT.

Luka veçon si projektin e tij kryesor Docere, ku është bashkëthemelues dhe CEO. Docere është një startup teknologjik në fushën e mjekësisë dhe më konkretisht është një platformë komunikimi mes mjekëve dhe pacientëve ku ekzaminimet mjekësore bëhen online me ndihmën e veçorive si: grafikët e trupit 3D, pagesa e mjekëve me kriptovaluta, hartat e mjekëve, etj.

“Siç është motoja e kompanisë sonë: “Ars Longa, Vita Brevis” (Jeta është e shkurtër, arti mbetet përgjithmonë), ne po krijojmë një platformë që do të jetë gjithmonë e vlefshme për qytetarët kanadezë,” thotë për BusinessMag i riu.

Me këtë startup ai ka fituar çmimin e tretë nga 200 kompani nga e gjithë Kanadaja, që aplikuan në një konkurs të zhvilluar nga organizata qeveritare kanadeze CCSBE (Këshilli Kanadez për Biznesin e Vogël dhe Sipërmarrjen) në bashkëpunim me Universitetin e New Brunswick.

Aktualisht Luka na tregon se janë në procesin e mbledhjes së fondeve, ku kanë mbledhur 10,000 dollarë fonde deri tani. Ai madje është pranuar kohët e fundit në Inkubatorin DMZ nga Ryerson University, i cili është një nga Inkubatorët dhe Akseleratorët më të mirë të Biznesit në Kanada me një normë pranimi prej 5%.

Ai na thotë se “Gjatë muajit dhjetor ne po planifikojmë të bisedojmë me Investitorët Super-Engjëll nga Kanadaja dhe Amerika për të investuar në kompaninë tonë dhe në fillim të vitit të ardhshëm për të lançuar aplikacionin Docere për Android dhe IOS.”

Lexo: OriginAL, programi që synon të afrojë të rinjtë e diasporës me atdheun

Projekti tjetër që Luka ka krijuar ka të bëjë me historinë, por tashmë në një format krejt ndryshe, duke e paraqitur në një mënyrë më argëtuese dhe interesante për publikun.

“Cool Historians është një podcast ku unë personalisht flas për histori interesante nga e gjithë bota. Formati i këtij podcast është i shkurtër, i thjeshtë dhe tërheqës. Meqenëse historia perceptohet nga shumë njerëz si shumë e mërzitshme, po përpiqem ta bëj atë “cool” për publikun,” thotë Luka.

Deri tani janë lançuar 21 episode, ku është folur për histori si: Lufta e Madhe Emu, The Lady Pirates, Genghis Khan, Thomas Edison apo Lufta Civile Amerikane.

Podcasti “Cool Historians” dëgjohet në 33 vende të botës dhe praktikisht në çdo kontinent. Deri tani Luka është shfaqur në 3 emisione të ndryshme në kanalet televizive kombëtare shqiptare me një audiencë të madhe. Por ky është vetëm fillimi. Vizioni i tij për Cool Historians është të krijojë komunitetin më të madh të dashamirësve të historisë në të gjitha platformat e mediave sociale, dhe me ritmin e rritjes që po sheh podcast-i, kjo ditë do të vijë shumë shpejt.

“Qëllimi dhe arsyeja pse e nisa këtë podcast është të ndaj sa më shumë vlera me publikun, veçanërisht audiencën e re, dhe pse jo për t’u bërë një ‘Ndikues intelektual’,” shprehet Luka.

Për të gjithë ata që janë të apasionuar pas historisë mund të ndjekin episodet e Podcast-it të Cool Historians në: Spotify, Apple Podcast, Google Podcast etj, dhe gjithashtu në llogaritë e Instagram dhe TikTok: @coolhistorians

Projekti i tretë i tij është Lavel NTF. Luka thotë se ky është një projekt i veçantë që po e bën me vëllain e tij dhe do të sjellë risi në tregun ballkanik, pasi janë të parët që sjellin termin NFT në Ballkan.

Por çfarë është një NFT? Është një njësi unike dhe jo e këmbyeshme e të dhënave të ruajtura në një libër digjital.

NFT-të mund të përdoren për të përfaqësuar artikuj lehtësisht të riprodhueshëm si foto, video, audio dhe lloje të tjerë skedarësh dixhitalë si artikuj unikë, dhe përdorin teknologjinë blockchain për të krijuar një provë të verifikuar dhe publike të pronësisë.

Pra, NFT-të janë çdo gjë origjinale që dikush zotëron (kryesisht arti dixhital). “Unë besoj fort në këtë projekt, sepse NFT është një trend ende shumë i ri dhe një mundësi shumë e mirë për t’u bërë i suksesshëm. Unë do ta krahasoja atë me Bitcoin në 2011,” thotë Luka.

Dhe mbi të gjitha zotërimi i një NFT sipas tij është në thelb transformimi në një status social. Ashtu si njerëzit blejnë çanta dhe rroba Gucci ose Louis Vuitton sot, kështu ata do të blejnë NFT nga kompani të ndryshme në të ardhmen e afërt.

Ata sapo kanë lançuar NFT-në e tyre të parë, i cili shitet në marketplace “Rarible.com”.

Mesazhi i tij për të rinjtë në përfundim të intervistës për BusinessMag është: “Dua të inkurajoj të gjithë të rinjtë që të ndjekin pasionet e tyre, sepse jemi në kohën e duhur për të bërë ndryshimin!”

Bota është e jotja, thjesht bëhu gati ta pushtosh atë!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0