18 ditë mes vapës përvëluese, dy atletë britanikë kalojnë Alpet me karrige me rrota - Business Magazine Albania

18 ditë mes vapës përvëluese, dy atletë britanikë kalojnë Alpet me karrige me rrota

Jo të gjitha rrugët janë të barabarta. Mjafton të pyesni Ben Spencer dhe Peter Smorthit. Këtë korrik, dy atletët britanikë u bënë të parët që përshkuan Alpet me karrige me rrota. Në një udhëtim 18-ditor, përmes nxehtësisë përvëluese dhe pjerrësive të tmerrshme, ata përshkuan 422 kilometra, ekuivalenti i 10 maratonave nga Montreux, në brigjet e liqenit të Gjenevës në Zvicër, deri në liqenin Como në Itali. Por kjo nuk ishte aspak një rrugë e lehtë. Vetëm pak ditë pas nisjes, ata u përballën me një ngjitje të thepisur përmes një gryke të ngushtë. Meqenëse nuk kishte asnjë rrugë të aksesueshme përpara, Smorthit një 33-vjeçar la karrigen dhe u tërhoq bashkë me të për më shumë se një kilometër në ngjitje. Spencer e ndoqi nga pas, duke avancuar vetëm pak metra njëherësh. U deshën dy orë për ta kaluar atë segment.

“Një akt i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie,” e përshkruan Spencer këtë moment, gjatë një telefonate nga një stacion rrugor në Francë, ku të dy kishin ndaluar në kthim drejt Mbretërisë së Bashkuar. Por për Spencerin, dhimbja fizike ishte një çmim i vogël për një qëllim shumë më të madh: rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbledhjen e fondeve për ataksinë, një sëmundje e rrallë neurologjike që prek rreth 12,500 persona vetëm në MB, përfshirë edhe vetë Spencerin.

Një kauzë për të cilën ia vlen të ngjitesh
Ekzistojnë disa forma të ataksisë, por të gjitha ndikojnë në të folurën, ekuilibrin, koordinimin, dëgjimin dhe kontrollin e fshikëzës urinare. Në shumicën e rasteve, sëmundja është progresive dhe nuk ka një kurë universale.

Që nga viti 2022, Spencer jeton me ataksi cerebele, një formë e sëmundjes që lidhet me dëmtimin e trurit të vogël (cerebellum). Përkeqësimi i gjendjes e ka detyruar të mbështetet pothuajse plotësisht te karrigia me rrota. Ai përjeton lodhje të shpejtë, vështirësi në të folur dhe probleme me fshikëzën urinare, por këto sfida nuk janë aspak të dukshme nga jeta e tij aktive.

Ai dhe Smorthit janë më aktivë sesa pjesa më e madhe e popullsisë globale. Të dy luajnë regbi me karrige me rrota dhe kanë marrë pjesë në qindra gjysmëmaratona, maratona dhe madje edhe ultramaratona. Ata kanë përshkuar edhe qafën Applecross në Skoci, një nga rrugët më sfiduese në MB, me pjerrësi që shkojnë deri në 20%.

Smorthit ka udhëtuar vetëm për 1,407 kilometra nga Land’s End në jug të Anglisë deri në John o’ Groats në veri të Skocisë, duke tërhequr një rimorkio me një karrige standarde me rrota.

Në vitet 2024 dhe 2025, të dy morën pjesë në maratonën e Londrës, ku Spencer mblodhi fonde për Ataxia UK – një organizatë që financon kërkime për kurën dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, si dhe ofron këshilla dhe mbështetje për të prekurit.

Lexo edhe: Bricks.ai, startupi që nisi pa fonde, por me një ide të qartë nga Laert Bejtaj!

Pikërisht për këtë organizatë u ndërmor edhe sfida e fundit në zemër të Evropës – “Alps 4 Ataxia”.

Përtej bukurisë alpine: Vapë përvëluese dhe rreziqe reale
Kjo sfidë ishte më e rënda që ata kanë përballuar ndonjëherë. Përveç ngjitjeve të pjerrëta, Alpet ofruan temperatura ekstreme që afroheshin 40°C dhe situata potencialisht të rrezikshme për jetën.

“Peter është praktikisht një atlet qëndrueshmërie, por për mua dhe ataksinë time, duhej të gjenim një ritëm që më lejonte të vazhdoja dhe të rikuperohesha,” shpjegon Spencer, duke përmendur kalimet mbi 2,000 metra dhe nxehtësinë ekstreme.

Ata planifikuan rrugën duke përdorur shtigjet e biçikletave EuroVelo dhe rrugët e qeta të Zvicrës dhe luginës së Rhône-s. Një ekip mbështetës prej tre vetash, përfshirë dy persona të tjerë me ataksi, ndihmoi me logjistikën.

Fillimisht planifikuar për 10-12 ditë, por udhëtimi u zgjat në 18 ditë për shkak të vapës. “Të dy kemi vështirësi në rregullimin e temperaturës trupore,” shpjegon Spencer.

Kjo përvojë theksoi edhe një të vërtetë të pakëndshme: bota është ende larg të qenit e aksesueshme për të gjithë. “Ky udhëtim tregoi qartë se ka ende shumë për të bërë,” thotë Spencer. Shumë kampe që pretendonin të ishin të aksesueshme nuk kishin infrastrukturë të përshtatshme, ndërsa disa rrugë biçikletash përfshinin segmente me zhavorr dhe pengesa pothuajse të pakalueshme. “Që përdoruesit e karrigeve me rrota të përfshihen në sportet në natyrë, sidomos në terrene të vështira apo rurale, ka ende shumë punë për të bërë.” Por për Spencerin, sfida e Alpeve solli një mësim më të thellë për të gjithë.“Pavarësisht se çfarë gjendje apo paaftësie ke, thjesht mos u dorëzo kurrë.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0