Sipërmarrjet prodhuese i kanë kërkuar qeverisë të zbatojë 10 masa kundër situatës së koronavirusit.
Bashkimi i Prodhuesve, ka propozuar masa lehtësuese që parashikojnë edhe pagesa direkte por edhe lehtësimin nga taksat.
Sipas letrës së tyre, “Përtej vijimit dhe mbështetjes të domosdoshme ndaj kujdesit shëndetësor dhe social për popullatën është mjaft e rëndësishme të merren në konsideratë risqet dhe impakti që epidemia nga njëra anë, por edhe masat kufizuese që po ndërmerren për parandalimin e përhapjes së saj nga ana tjetër, do të kenë në ekonominë e vendit.
Padyshim që kjo situatë e jashtëzakonshme do të shoqërohet me një krizë konsumi në shumë sektorë, por edhe me një krizë likuiditeti për mjaft industri prodhuese, disa prej të cilave u goditën edhe nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të shkuar.
Kriza e rëndë ekonomike mund të pasohet me probleme të shumta sociale që do të shkaktoheshin nga pamundësia e bizneseve të mbyllura apo që kanë reduktuar në mënyrë të ndjeshme punën, për të paguar pagat apo detyrimet mujore”.
Lexo: Shefja e FMN: Ekonomia globale ka hyrë në recesion për shkak të Covid-19
Propozimet:
- Të përfshihen në skemat shtetërore të mbështetjes dhe lehtësirave, të gjithë sipërmarrjet të cilave u është ndaluar aktiviteti apo kanë një reduktim me mbi 25% të xhiros.
- Për sipërmarrjet prodhuese që u është ndaluar aktiviteti të subvencionohen nga shteti, për një periudhë 9 javore, në masën 80% të pagës mujore të punonjësve dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa për sipërmarrjet prodhuese që kanë një reduktim me mbi 25% të të ardhurave nga shitja, shteti t’i subvencionojë, për një periudhe 9 javore, 80% të pagesës mujore të punonjësit dhe punëdhënësi të paguajë 20% të saj.
- Të miratohen rregulla dhe procedura të posaçme për rregullimin e marrëdhënieve të punes dhe mundësia për kalimin në asistencë të përkohshme të punonjësve në rastet e gjendjes së jashtezakonshme, kur sipërmarrjet kanë pamundësi të pagesës së pagave dhe kontributeve mujore.
- Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e mallrave.
- Të anullohen këstet e parapagimit të tatimfitimit për vitin 2020, për sipërmarrjet prodhuese.
- Të bëhet menjëherë rimbursimi i TVSH-së së prapambetur për të gjithë sipërmarrjet prodhuese.
- Të bëhet shtyrja automatike e pagesave të kredive apo overdrafteve, për një periudhë jo me pak se 3 mujore, në të gjithë sistemin financiar të huadhënies, si dhe të mundësohet aksesi në grante apo hua me interes jo me të lartë se 0.5 % (përfshirë kostot administrative), me procedura të përshpejtuara dhe pa ju referuar pozicionit të mëparshëm, si kredimarrës në sistemin bankar, për sipërmarrjet prodhuese.
- Të shtyhen për një periudhë 90 ditore, duke filluar nga data e shpalljes së karantinës, të gjitha skadencat e procedurave administrative dhe ligjore, të cilat nuk mund të përmbushen për shkak të situatës së krijuar nga epidemia Covid-19.
- Të shtyhen deri në fund të vitit 2020, të gjitha pagesat për taksat dhe tarifat lokale të lokale të sipërmarrjes prodhuese ndaj pushtetit vendor.
- Të reduktohet në masën 50% çmimi i energjisë elektrike, për një periudhë 90 ditore duke filluar nga data e shpalljes se karantinës, për sipërmarrjet prodhuese.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.