Falë zhvillimeve të fundit në inteligjencën artificiale, një fenomen i ri po formësohet në botën e teknologjisë: gjithnjë e më shumë njerëz pa formim teknik po krijojnë aplikacione të vogla, personale, vetëm për nevojat e tyre. Në vend që të blejnë zgjidhje të gatshme, ata po i ndërtojnë vetë.
Një shembull tipik është Rebecca Yu, një e re që brenda vetëm një jave ndërtoi një aplikacion për të zgjidhur një problem shumë të përditshëm, vendosjen se ku do të hanin ajo dhe miqtë e saj. E lodhur nga bisedat e pafundme në grupin e WhatsApp-it, ajo përdori ChatGPT dhe Claude për të krijuar “Where2Eat”, një aplikacion që sugjeron restorante bazuar në preferencat e përbashkëta të grupit.
Ajo nuk është rast i vetëm. Po shfaqet një trend i ri i quajtur “micro apps”, “personal apps” ose “fleeting apps”, aplikacione të vogla, të përkohshme dhe shumë specifike, që ekzistojnë vetëm për aq kohë sa u duhen krijuesve të tyre. Këto aplikacione zakonisht nuk synojnë tregun, nuk publikohen në App Store dhe nuk janë të destinuara për përdorim masiv. Ato janë thjesht mjete personale, të ndërtuara për të zgjidhur probleme shumë konkrete: organizimin e jetës, hobit, shëndetin, punën apo argëtimin.
Disa njerëz kanë krijuar lojëra të vogla familjare vetëm për pushimet e fundvitit dhe i kanë mbyllur sapo kanë përfunduar pushimet. Të tjerë po zhvillojnë aplikacione për përkthimin e podkasteve vetëm për përdorim personal. Ka edhe artistë që kanë ndërtuar aplikacione për të monitoruar zakonet e tyre gjatë fundjavës, apo inxhinierë që kanë krijuar mjete për planifikimin e gatimeve si hobi. Ajo që ka ndryshuar sot është se, falë mjeteve si Claude, Replit, Bolt apo Lovable, nuk është më e nevojshme të jesh programues për të ndërtuar një aplikacion funksional në web. Mjafton të përshkruash në gjuhë të thjeshtë atë që dëshiron, dhe AI ndihmon në ndërtimin e kodit.
Lexo edhe :Fshati që po sfidon industrinë e turizmit/ Ski falas për të gjithë këtë dimër
Megjithatë, aplikacionet për celular mbeten më të ndërlikuara, veçanërisht për iPhone, pasi kërkohet një llogari e paguar Apple Developer për t’i publikuar. Megjithatë, startup-e të reja si Anything dhe VibeCode po e bëjnë më të lehtë krijimin e aplikacioneve mobile edhe për jo-zhvilluesit. Ekspertët e krahasojnë këtë moment me revolucionin e Shopify-t apo rrjeteve sociale, kur papritur çdokush mund të hapte një dyqan online apo të krijonte përmbajtje pa qenë profesionist. Tani e njëjta gjë po ndodh me aplikacionet.
Sigurisht, kjo qasje nuk është pa probleme. Shumë nga këto aplikacione personale mund të kenë gabime teknike ose dobësi sigurie. Për më tepër, ndërtimi i tyre kërkon kohë, durim dhe shpesh abonime në platforma që mund të bëhen të kushtueshme. Megjithatë, potenciali është i madh. Ka shembuj shumë domethënës: një inxhinier ndërtoi një aplikacion për një shoqe me probleme zemre, që ajo të regjistronte episodet dhe t’ia tregonte mjekut më lehtë. Një tjetër krijoi një aplikacion që skanon dhe paguan automatikisht gjobat e parkimit, fillimisht vetëm për vete, por më pas shumë miq e kërkuan. Një strategiste mediatike ndërtoi një aplikacion për të menaxhuar alergjitë e saj, dhe më pas një tjetër për organizimin e punëve të shtëpisë. Ajo e përfundoi projektin në të njëjtën kohë që i shoqi doli për darkë dhe u kthye.
Shumë ekspertë besojnë se në të ardhmen njerëzit do të heqin dorë nga abonimet mujore për aplikacione dhe do të ndërtojnë vetë mjete të personalizuara. Këto micro-apps pritet të zënë një hapësirë mes Excel-it dhe softuerëve profesionalë — më intuitive, më vizuale dhe më të përshtatura për çdo individ.
Siç thotë një profesore e teknologjisë, këto aplikacione “mbushin boshllëkun mes spreadsheets dhe produkteve të plota teknologjike”.
Dhe siç përfundon Rebecca Yu: “Është vërtet emocionuese të jesh gjallë në këtë kohë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.