Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të ndaluar TikTok-un, tronditi ekosistemin global të rrjeteve sociale. Tiktok u mbyll në SHBA, por megjithatë 12 orë më pas u rikthye te përdoruesit e tij.
Kjo lëvizje jo vetëm që do të prekte 150 milionë përdorues amerikanë, por do të sillte implikime të thella për tregjet globale dhe ekonominë digjitale, ku këtu përfshihet edhe Shqipëria, ku TikTok është një nga platformat më të fuqishme për marketing dhe biznes.
TikTok tashmë është pushtet i ekonomisë digjitale dhe si e tillë ka transformuar mënyrën se si markat dhe individët ndërveprojnë me audiencën e tyre. Kompanitë përdorin platformën për të krijuar përmbajtje të personalizuar, për të rritur angazhimin dhe për të shitur produkte direkt nga videot. Mbyllja e TikTok-ut në një nga tregjet më të mëdha si SHBA do të krijonte një boshllëk në industrinë globale të reklamave, me ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e marketingut dhe strategjitë digjitale.
Lexo edhe: “Boomerang-u” i TikTok!
Po çfarë do të ndodhte nëse do të mbyllej TikTok?
Aktualisht në Shqipëri TikTok është kthyer në një motor të fuqishëm për bizneset e vogla kryesisht, mbyllja e tij mund të sjellë një sërë sfidash, por në të njëjtën kohë dhe mundësish.
-Humbja e një platforme kryesore për marketing
TikTok është veçanërisht efektiv për bizneset e vogla dhe të mesme që synojnë të rinjtë duke qenë se është audienca më prezente në platformë. Mbyllja e mundshme e këtij aplikacioni do të detyronte bizneset shqiptare të zhvendosin strategjitë e tyre drejt platformave të tjera si Instagram apo YouTube.
-Konkurrenca në teknologji
Viteve të fundit Tiktok është parë si platforma më e rëndësishme, një vakum i krijuar nga TikTok mund të nxisë zhvillimin e aplikacioneve lokale ose rajonale të ngjashme, të cilat do të përpiqen të zënë vendin e tij.
-Diversifikimi i strategjive të marketingut
‘’Algoritmi i artë’’, u kishte dhënë mundësinë bizneseve të jenë më të afërt me audiencën e tyre, pa bërë fushata të mirëfillta të marketingut. Megjithatë, bizneseve shqiptare do t’ju duhet të investojnë më shumë në marketing-un shumëkanalësh për të arritur audiencën e tyre, duke ndjekur një qasje më të qëndrueshme për të shmangur varësinë nga një platformë e vetme. Fundja, asnjë prej nesh nuk do donte që gjithçka e ngritur të shuhej kur një platformë të vendoste të pushonte.
-Përqafimi i inovacionit
Krijimi i përmbajtjeve unike dhe kreative do të bëhet një element kyç për të fituar vëmendjen e konsumatorëve. Si rrjedhojë, secili biznes do jetë më i fokusuar për të bërë diferencën në treg.
Mbyllja e TikTok do ishte një moment vendimtar për botën digjitale aktuale dhe një paralajmërim për rëndësinë e diversifikimit dhe inovacionit. Për Shqipërinë, kjo lëvizje është një thirrje për të rishikuar marrëdhënien e saj me teknologjinë dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja në tregun digjital, të cilat duket se nuk janë të pakta
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.