Festim Peposhi, i diplomuar në Fakultetin e Shkencave në Tiranë, punon sot në Gjermani në kompani teknologjie dhe IA. Një projekti i nisur rreth dy vite më parë prej tij dhe një ekipi po rezulton i suksesshëm. ZERI.app ju mundëson të dëgjoni në vend që të lexoni lajmet.
Ai tregon se kishte vënë re se mungon në Shqipëri një nga shërbimet e mirëfillta, ai të paturit audio të gjeneruar automatikisht për një tekst të shkruar, apo e thënë ndryshe ai i konvertimit të tekstit në zë/audio (text to speech).
Sigurisht Google ofron një shërbim të tillë përmes Google Translate, por në këtë rast kemi të bëjmë me një zë të kompjuterizuar, i cili është shumë larg zërit natyral. Gjithashtu, ky shërbim për gjuhën shqipe është jo fort i përshtatshëm për përdorim profesional dhe të besueshëm.
Zanafilla e Zërit nis gjatë punës në një projekt për krijimin e një sistemi që grumbullon dhe i prezanton lexuesit artikujt informativ më të fundit nga të gjitha platformat informative shqipfolëse. Ajo u mendua si mundësi për të ndihmuar lexuesit në dëgjimin e informacionit, pra gjenerimin audio të informacionit përmes integrimit të një shërbimi të tillë. Në këtë mënyrë lexuesi mund të ndjekë lajmin duke ecur, ngarë makinën, vrapuar. Informacioni do të ishte i aksesueshëm edhe nga personat me mungesë shikimi.
“Pasi kërkova për një shërbim që mund të kryente këtë funksion, kuptova që një i tillë nuk ekziston në gjuhën shqipe. Këtu filloi gjithçka”, thotë ai.
Pas një pune kërkimore në shumë artikuj dhe publikime të ndryshme, ai fillon ta konsiderojë zhvillimin e një shërbimi që i mundësonte audio zanore të materialeve të shkruara në gjuhën shqipe. Ai tregon se, “sa më shumë lexoja aq më shumë sfida paraqiteshin si në planin profesional, eksperiencën, kohën apo burimet”.
Lexo: Ekspertet e IT. Ja tri vajza shqiptare që po shtrojnë rrugën e suksesit në botë
“Me ZERI-n kemi kohë që punojmë dhe përpos studimit, testimit dhe kodimit, kemi arritur që të regjistrojmë afro 100.000 fjalë në gjuhën shqipe, e cila ka marrë shumë kohë për t’i siguruar. Ai ka bashkëpunuar me profesionistë të fushës. Me gjithë këto zëra të regjistruar dhe të përpunuar, është e mundur të kemi një mbulim të mbi 80% të fjalëve më të përdorshme të gjuhës shqipe”, thotë Festimi.
Por, ai tregon se gjithë këto burime, nuk mund t’u ofrohen përdoruesve pa aplikimin e teknologjive Machine Learning (ML) dhe Artificial Intelligence (AI), të cilat na mundësojnë përmirësimin e vazhdueshëm të zërave dhe konvertimin e tekstit në audio/zë.
Aplikacioni në vetvete paraqet shumë sfida, duke filluar nga përpunimi i tekstit, konvertimi i tij në diçka të njohur për algoritmin, gjenerimi i audios/zërit, aplikimi i machine learning për intonacionin deri në produktin final.
“Puna me Zërin vazhdon, por ne vendosëm ta publikojmë në mënyrë që të bëhet i njohur si shërbim dhe të aplikohet ana juaj. E pse jo të kemi një feedback kur është e mundur. Në këtë mënyrë ne mund ta përmirësojmë këtë shërbim që t’u përshtatet më së miri nevojave tuaja”, thotë ai.
Për të kthyer një tekst në audio, për ju tashmë është shumë e thjeshtë. Mjafton të krijoni një llogari në ZERIapp dhe të fusni tekstin që dëshironi të konvertoni. Zërin e gjeneruar mund ta shkarkoni offline, ose mund të kopjoni linkun dhe ta shpërndani, në varësi të nevojave tuaja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.