Zef Preçi: Dedikim një heroi të kohës sonë... - Business Magazine Albania

Zef Preçi: Dedikim një heroi të kohës sonë…

heroi

Titulli i këtij komenti të së Djelës nuk ka asnjë lidhje me romanin e mirënjohur të Lermontovit gati dy shekuj më parë. Unë po shkruaj për Arjanin, për atë djalin që vetëm katër ditë më parë dha jetën mes tymit dhe flakëve për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Mendimi i parë është se për sa kohë ka individë të tillë, heronj të heshtur dhe të vërtetë, ka shpresë se Shqipëria do të bëhet. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Por nuk ishte ky qëllim i këtij komenti. Me siguri shpura e qeveritarëve, në kërkim të disa “like” e “share” më shumë, do ta gjejë rrugën për te shpia e këtij djaloshi guximtar, që meriton respektin e pafund të gjithkujt flet shqip.

Pyetja 1: Përse organi i akuzës nuk heton ngjarjen, kushtet e respektimit të rregullave kundra zjarrit, sistemet e alarmit, gatishmërinë e njësive përkatëse, etj. Në këtë mënyrë, edhe pse me një kosto njerëzore të dhimbshme, edhe pse në mënyrë reaktive dhe jo proaktive, mund të shkundej pak sistemi dhe të rritej siguria edhe në fusha të tjera. Për këtë mjafton të kujtojmë se ç’ndodh me bombolat e gazit të lëngshëm, si në përdorimin familjar, ashtu edhe për qëllime biznesi… Jetojmë në mëshirën e fatit se ata që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit, e kanë mendjen te koncesionet, tenderat, te mashtrimi elektoral i radhës, te pasurimi i vetes, familjarëve, klanit politik e nepotik që i rrethon.

Pyetja 2: Numri kaq i madh dhe në rritje i humbjeve të jetës në kantiere ndërtimi, në miniera, nga helmet e ndryshme, nga aksidentet, nga zjarri, nga uji i detit dhe dëmet nga përmbytjet, etj., duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për të rishikuar, plotësuar e përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional në fushën e sigurisë së jetës dhe të pronës. E pra, kjo është detyrë e atyre që kanë marrë apo duan të marrin përsipër të qeverisin vendin. Asgjë e re prej nja njëzet vjetësh.

Lexo: Pagesat e punonjësve dhe sigurimet, problemi kryesor i kompanive sot. SME Albania sjell rezultatet e anketës me biznesin

Pyetja 3: Ku janë shoqëritë e sigurimeve që pas çdo fatkeqësie natyrore i zënë derën kryeministrit për ndonjë lëshim të radhës, kuptohet si sigurim i detyrueshëm dhe që penalizon gjithë qytetarët për të shtuar fitimet e tyre. Ku janë promocionet marramendëse të tyre dhe asnje hap përpara për të lidhur sigurimin vullnetar me perfitimet e palës së dëmtuar? Asnjë hap përpara. Madje, në një prononcim në rrjetet sociale të pronarit të kompanisë ku punonte prej 10 vitesh heroi ynë i vërtetë e që po i dedikojmë këto radhe, përveç vlerësimit dhe mirënjohjes së merituar, asnjë fjalë se me çfarë do të jetojë prej sot e tutje familja e tij, djali 2 vjeçar dhe bashkëshortja (nuk na nxë goja fjalën vejushë, për një Zi ndoshta as 25 vjeç)? E pra, më e pakta, u duhej lidhë një pension i posaçëm, të paktën derisa fëmija të mbushë moshën 18 vjeç, e nëse vazhdon shkollën e lartë, derisa ta përfundojë atë, por jo më vonë se deri në 25 vjeç. E pra, asnjë fjalë, as për këtë detyrim elementar, ndoshta të parashikuar apo nënkuptuar edhe në kontratën e tij të punës. Nëse pronari kujdeset për fitimet e veta, duhet të jetë gjykata, shteti dhe pushteti që t’i japë zgjidhje dhe të unifikojë praktikat në këtë fushë.

I shkrova këto radhë duke besuar se ndokush me fuqi vendimmarrese do të zgjohet nga emocionet që shkakton te çdo njeri një ngjarje e dhimbshme, e pashembullt si kjo dhe t’i drejtohet arsyes, pikërisht arsyes shtetërore, për të cilën ky vend ka kaq shumë nevojë. E nëse këtë nuk e bëjnë ata që qeverisin sot, uroj të kenë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë ta bëjnë ata që do të qeverisin nesër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0