Zbuloni profesionet që paguhen më shumë në vend, specialistët e IT-së ngjiten në vend të tretë - Business Magazine Albania

Zbuloni profesionet që paguhen më shumë në vend, specialistët e IT-së ngjiten në vend të tretë

Kushdo që kërkon të vazhdojë arsimin e lartë, apo të mësojë për një profesion të caktuar, në finale ka si qëllim të arrijë të paguhet sa më mirë. Edhe avancimi në karrierë ka të njëjtin synim, krahas realizimit profesional. Të dhënat e INSTAT për pagat mesatare për grup profesionet, tregojnë që ata që kanë mbaruar ekonomik dhe arrijnë në pozicion drejtues, administrativ apo komercial, kanë dhe mundësinë që të përfitojnë më shumë të ardhura. Ndërsa së fundmi, e preferuar po bëhet dhe teknologjia e informacionit. Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2019 ishte 52.4 mijë lekë, sipas INSTAT, me një rritje prej 3.5% në raport me vitin e kaluar. E indeksuar me inflacionin, rritja është minimale, rreth 1.5%.

Por, cilat janë profesionet që paguhen më shumë në vend.

Është normale që pozicionet drejtuese janë ato që shpërblehen më shumë, duke pasur paga tre herë më të larta se mesatarja kombëtare. Sipas INSTAT, Drejtuesit administrativë dhe komercialë kanë një pagë mesatare bruto prej 154 mijë lekësh në muaj. Në raport me një vit më parë, paga e tyre është rritur me rreth 10% dhe në vlerë absolute ata kanë përfituar shtesën më të madhe të të ardhurave nga të gjithë profesionet e tjera. Në vend të dytë janë sërish drejtuesit, por ata të prodhimit dhe shërbimeve të specializuara, me 114 mijë lekë në muaj. Edhe ky grup ka shënuar një rritje të pagës me 9%.

Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë kaluar për herë të parë në vend të tretë, me një pagë mujore prej 92 mijë lekësh. Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë dhe nevoja e bizneseve për t’u përshtatur dhe qenë konkurrues, po i bën gjithnjë e më të kërkuar profesionistët e IT-së. Puna në shtet nuk shpërblen më dhe aq shumë, edhe nëse je drejtues. Paga mestarë për Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ishte 87.6 mijë lekë në 2019-n, me një rënie prej rreth 3% në raport me vitin e mëparshëm, duke zbritur nga vendi i tretë ku ishte në 2018-n. Ndërsa nëpunësit e zyrave paguhen mesatarisht 49.4 mijë lekë.

Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë janë një profesion që ka parë rënie të pagës mesatare me rreth 1.2% në 84.7 mijë lekë. Specialistë të administrimit dhe biznesit kanë të ardhura bruto mujore prej rreth 83 mijë lekë, ndonëse në 2019-n, nuk ka pasur rritje për ta.

Mësuesit paguhen mesatarisht me 63.4 mijë lekë, me rritje 3.3% me bazë vjetore. Më pak i vlerësuar është profesioni i mjekut, i cili sidomos sot ka marrë një rol të veçantë.  Grup profesioni “Specialistë të shëndetësisë” ka një pagë mesatare mujore bruto prej 60 mijë lekësh, me një rritje prej 2.8% me bazë vjetore. “Asistentë të specializuar të shëndetësisë” paguhen me 48 mijë lekë.

Profesionet e tjera, që përgjithësisht janë punë që nuk kërkojnë shumë kualifikime, si në ndërtim, shitje, bujqësi, punëtore shtëpie, industri paguhem mes 30-40 mijë lekëve në muaj. Më pak të paguarit janë “Punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme”, me 30 mijë lekë në muaj, teksa krahu i lirë i fuqisë punëtore është një ndër avantazhet kryesore të eksportuesve shqiptarë.

MONITOR

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0