Kompania nga Kosova, Viva Fresh Store, njoftoi të enjten se ka arritur një marrëveshje për blerjen e Spar Albania nga grupi shqiptar Balfin.
Sipas njoftimit publik të Viva Fresh, ky investim synon të rrisë praninë e grupit në tregun shqiptar dhe të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dyja vendeve, duke krijuar vende të reja pune, duke fuqizuar prodhuesit vendas dhe duke modernizuar industrinë e shitjeve me pakicë. Vlera e transaksionit nuk është bërë publike.
Viva Fresh Store zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.
Vitin e kaluar, Rexhepi bleu nëpërmjet kompanisë së tij SMA Holding edhe Top Shop (Studio Moderna), kompaninë më të hershme të shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit) në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Deri në vitin 2023, Spar Albania ishte kompania më e madhe në tregun e shitjeve me pakicë për nga xhiroja e realizuar. Spar Albania raportoi një xhiro prej 10.7 miliardë lekësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Fitimi para tatimit arriti në 406 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 62%.
Ndërkohë, në klasifikimin si franchise (duke përfshirë edhe xhiron e kompanive që përdorin më të njëjtën markë, por që kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga palë të tjera) Spar vlerësohet të jetë rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market. “Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 26.6 miliardë lekë në 2023-n, dhe fitime prej 1.5 miliardë lekësh.
Duke përfshirë të gjithë rrjetin e franchise, të ardhurat e konsoliduara të Spar Albania arritën në 18.8 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16%. Ndërsa fitimi para tatimit i rrjetit ishte 890 milionë lekë, 37% më shumë krahasuar me 2022. Norma e fitimit nga xhiroja për të gjithë rrjetin Spar Albania arriti në 4.7%, nga 4% një vit më parë.
Lexo edhe:Ndërtesat më të çuditshme në botë
Sipas informacionit zyrtar të Spar Albania, në fund të 2024 rrjeti i saj përbëhej nga 90 markete dhe dy hipermarkete.
Për grupin Balfin, të kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane, kjo është shitja e dytë e rëndësishme në tregun e retail. Në vitin 2007, Mane e shiti rrjetin e tij të shuitjeve me pakicë Euromax te kompania serbe Delta maxi Group, për 29 milionë euro. Kompania ndryshoi kontroll më vonë pasi grupi serb u ble nga kompania belge Delhaize Group dhe më pas nga një joint venture greko-francez, nën markën e grupit Carrefour. Megjithatë, ish-rrjeti Euromax ndoqi një trajektore rënëse, derisa në vitin 2015 Carrefour u tërhoq përfundimisht nga tregu, duke ia shitur rrjetin e dyqaneve me pakicë grupit balfin të Samir Manes.
Më tej, Balfin lidhi një marrëveshje me grupin me qendër në Hollandë, Spar, duke marrë ekskluzivitetin e franchise dhe produkteve të Spar për Shqipërinë. Gjatë një dekade në kontrollin e Balfin, Spar Albania ka ndjekur një trajektore rritëse, duke u bërë kompania më e madhe e shitjeve me pakicë në vend.
Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është grupi i dyti më i madh në vend, sipas qarkullimit vjetor, pas Kastrati.
Të ardhurat e 9 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 44 miliardë lekë, me rritje prej 14% me bazë vjetore. “SPAR Albania” është kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave në vitin 2023, me 24% të totalit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.