Interneti është lënë pa fjalë nga një video ku… nuk ndodh absolutisht asgjë.
Jo “asgjë” në kuptimin figurativ, ku dikush bën diçka të parëndësishme apo qesharake, por literalisht asgjë. Videoja në fjalë është thjesht një ekran bosh, pa pamje dhe pa zë, duke i lënë të gjithë ata që e hapin tërësisht të hutuar. Në pamje të parë, kjo mund të mos duket ndonjë gjë e pazakontë. Në YouTube ka pafund video pa përmbajtje reale. Por ajo që e bën këtë rast të veçantë është fakti se videoja ka mbledhur mbi 2 milionë shikime, megjithëse është publikuar vetëm më 5 janar. Dhe kjo nuk është as pjesa më e çuditshme.
Videoja rezulton të ketë një kohëzgjatje mbi 140 vjet. Po, e lexuat saktë. Zakonisht videot në YouTube zgjasin nga disa minuta deri në gjysmë ore, ndonjëherë një orë apo më shumë. Edhe formatet ekstreme, si videot 10-orëshe ku përsëritet i njëjti moment nga filmat – duken qesharake përballë kësaj videoje, të cilën asnjë njeri nuk do të mund ta shihte të plotë gjatë jetës së tij.
Videoja është publikuar nga një llogari me emrin “shinywr” dhe ka vetëm një pikëpyetje si titull, gjë që natyrisht ka ndezur imagjinatën e internetit. Pyetja që po bëjnë të gjithë është: si është e mundur që një video pa përmbajtje, pa titull dhe pa shpjegim të bëhet virale? Sipas të dhënave, videoja ka një gjatësi të listuar si 1,234,567:30:00, por kur klikohet, shfaqet vetëm një kohëzgjatje prej 12 orësh, një tjetër detaj që shton misterin. Teoritë e konspiracionit nuk kanë vonuar. Disa përdorues pretendojnë se kanali ka lidhje me Korenë e Veriut, duke e bërë situatën edhe më enigmatike. Të tjerë thjesht po parashikojnë se kjo video do të shndërrohet në një legjendë të internetit me kalimin e kohës.
“Kjo është PIKËRISHT fillimi i një teorie konspirative që njerëzit do ta diskutojnë pas 10 vitesh,” shkruan një komentues. Një tjetër shton: “Fakti që videoja vjen nga një kanal në Korenë e Veriut do të ndezë pafund teori konspirative.”
Ndërsa një përdorues tjetër përmbledh ndjesinë e përgjithshme: “Kjo video do të ketë një ‘lore’ të çmendur pas 10 vitesh.” Ironikisht, edhe pas 10 vitesh, një shikues do të kishte parë vetëm një të katërmbëdhjetën e videos. Një video bosh, pa zë, pa mesazh, por që tashmë ka hyrë në historinë e mistereve më të çuditshme të internetit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.