Kompensimi i naftës për transportin publik do të zgjatet edhe me tre muaj. Vendimi është miratuar sot nga qeveria dhe sipas ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku kjo masë mbështetëse do të jetë e vlefshme deri në fund të muajit tetor.
Sipas saj, kjo masë nuk do të ketë kosto shtesë për arkën e shtetit, pasi përgjatë kësaj periudhe do të përdoret pjesa e pashfrytëzuar e parave që ishin planifikuar në paketën e parë antikrizë për transportin publik.
“Nga paketat e vënë në dispozicion gjatë prillit është konsumuar rreth 60% e fondeve në dispozicion. Do të preferonim që këto fonde të ishim konsumuar të gjitha. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vazhdojë dhe të qëndrojë në fuqi deri në tetor. Nuk do të ketë asnjë impakt shtesë në buxhetin e shtetit pasi është parashikuar që nga fillimi I vitit në paketën anti krizë” – tha Belinda Balluku
Paketa për kompensimin e naftës 100 lekë për litër për transportin publik, një nga sektorët më të prekur nga pandemia dhe kriza e çmimeve ka hyrë në fuqi ne mes të muajit prilli.
Lexo edhe: Çmimi i energjisë drejt rritjes. Nga tetori konsumatorët familjarë në dy fasha
Ndërsa fondi i vënë në dispozicion për të mos rritur çmimin e biletave për shkak të shtrenjtimit të naftës ishte 500 milionë lekë.
Me gjithë çmimin më të lartë të naftës krahasuar me vendet fqinje dhe akuzat e opozitës se bordi i transparencës është bordi i vjedhjes së qytetarëve, Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, thotë se çmimi me të cilin sot shitet një litër naftë nuk është abuziv.
“Bordi i transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës. Bordi i transparencës është aty për të kontrolluar dhë për të bërë transparencë publike. Ne si bord as nuk e rrisim e as nuk e ulim dot çmimin. Flitet që çmimi i naftës ka rënë në bursa ndërkohë që në Shqipëri ngrihet, fakt që është totalisht i rremë dhe nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Çmimi që i referohen zotërinjtë ka të bëjë më çmimin e produktit krudo, ndërkohë çmimi të cilit ne i referohemi në bordin e transparencës ka të bëjë më çmimin e produktit, pra më çmimin e naftës, benzinës apo gazit dhe i referohemi çmimit të bursës plants. Kështu që ështe shumë e lehtë për ta parë si janë çmimet në bursë, janë në rënie apo në ngritje.” – u shpreh Belinda Balluku.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto