Vazhdon konflikti i HEC-eve me qeverinë - Business Magazine Albania

Vazhdon konflikti i HEC-eve me qeverinë


Investitorët e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe qeveria shqiptare janë përfshirë në një konflikt disavjeçar, që ka të bëjë me cenimin e pikave thelbësore të kontratës që këto HEC-e kishin me qeverinë e para 2013-s. Pas uljes së çmimit, së fundmi prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a., me anë të një VKM-je dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE-në rrezikon të çojë çështjen në gjykatat ndërkombëtare.

Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese të HEC-eve private me KESH sh.a., me anë të një VKM-je dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shpjegon se, thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme, është roli që qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet. Për më tepër, kërkohet që investitorët e huaj e shqiptarë të pranojnë një kontratë, kushtet specifike të së cilës do të përcaktohen në një ligj që nuk është miratuar ende dhe që është në proçes draftimi.

Por, për Ministrinë e Energjetikës nuk ekziston ky shqetësim. Kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cenon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesioare, sqaroi Ministria, pasi ky ndryshim i operatorit, nuk prek asnjë nga të drejtat dhe garancitë e fituara nga investitorët, të tilla si afati i kontratës koncesionare, afati i kontratës së shitblerjes së energjisë, apo çmimi që shitet kjo energji, të cilat, edhe me ndryshimet e kontratës së miratuar së fundmi nga ERE, mbeten të pandryshuara dhe garantojnë të njëjtin regjim për këto kompani. Por investitorët e HEC-eve këmbëngulin se nëse kontratat do të ishin identike, siç pretendon qeveria me anë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të duhej që të ndryshohej vetëm emri i blerësit të energjisë, nga KESH sh.a në OSHEE, duke mos prekur apo duke mos shtuar nene të tjera, nën të cilët fshihet shkelja e të drejtave të fituara më parë.

Kryetarja e Bordit të AREA-s, Anita Shushku, sqaron se përmbajtja e kontratës u hap rrugën ndryshimeve, që sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë janë të udhëzuara nga BE. Por efektet e tyre, jo vetëm nuk janë ende të qarta, por nga ana tjetër kanë edhe efekt prapaveprues për investimet e mëparshme, çka është në kundërshtim të hapur edhe me vetë direktivat e BE-së.

Ajo thotë se, nëse investitorët do të ishin dakord për ndryshimin e blerësit, mund të procedohej me një aneks të kontratës ekzistuese kur të shënohej se blerësi ndryshon nga KESH në OSHEE. Më tutje, kontrata e re ka një mbështetje ligjore të ndryshme nga ajo ekzistuese dhe ky është një element thelbësor. Investitorët e prodhimit të energjisë së rinovuehsme dhe qeveria shqiptare janë përfshirë në konflikt disavjeçar që ka të bëjë me cenimin e pikave thelbësore të kontratës që këto HEC-e kishin me qeverinë e para 2013-s. Në themel të kësaj kontrate detyrimi, Korporata Shtetërore Elektroenergjetike ishte e detyruar të blinte energjinë e prodhuar nga HEC-et deri në 15 MË kundrejt një çmimi më të lartë se 9 lekë për kilovatorë.

Duke qenë se HEC-et e vogla prodhuan përtej normave të parashikuara nga KESH, korporata nuk mundi të shlyejë në kohë faturat. Për pasojë, nga shtator 2013-dhjetor 2014, prodhuesit u përballën me vonesa pothuaj 1-vjeçare në pagesat e faturave të prodhimit. Kjo rezultoi në vështirësi të mëdha financiare dhe pothuaj të gjithë investitorët u detyruan të marrin overdrafte apo hua të reja nga banka me interesa më të larta se ato të parat. Kjo ndaloi gjithashtu pothuaj plotësisht vazhdimin e investimeve të filluara apo fillimin e projekteve të reja.

Shumë kompani të huaja dhe vendase, që kishin planifikuar të investonin në Shqipëri, i ndërruan planet e tyre.
Në fund të vitit 2014, nëpërmjet një VKM–je u ul çmimi i shitjes së energjisë nga HEC-et me 18%, duke marrë si referencë një çmim të një burse europiane (HUPX).

Fill pas kësaj, në shkurt 2015, ERE vendos se çmimi i vitit 2013 dhe 2014 duhet të rishikohet dhe si konkluzion, borxhi i KESH-it ndaj nesh automatikisht u zvogëlua me një tjetër 20%. Pra, në mënyrë retroaktive, u zvogëlua një çmim për të cilin HEC-et kishin lëshuar faturat dhe paguar edhe taksat.

AREA: Qeveria po zhbën kontratat e koncesioneve me HEC-et
Kryetarja e Bordit të AREA-s, Anita Shushku, në një intervistë për “Monitor” sqaron se nuk mund të anulohet një kontratë e koncesionit me anë të një VKM. Sipas saj, prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese të HEC-eve private me KESH sh.a., dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë. Ajo shpjegoi se përmbajtja e kontratës u hap rrugën ndryshimeve, që sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë janë të udhëzuara nga BE. Por ajo shpjegon se, efektet e tyre jo vetëm nuk janë ende të qarta, por nga ana tjetër kanë edhe efekt prapaveprues për investimet e mëparshme, çka është në kundërshtim të hapur edhe me vetë direktivat e BE-së. Ajo thotë se, nëse investitorët do të ishin dakord për ndryshimin e blerësit, mund të procedohej me një aneks të kontratës ekzistuese kur të shënohej se blerësi ndryshon nga KESH në OSHEE. Më tutje, kontrata e re ka një mbështetje ligjore të ndryshme nga ajo ekzistuese dhe ky është një element thelbësor.

Ju pretendoni se qeveria ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën e prodhuesve privatë të energjisë me KESH, duke i transferuar ato tek OSHEE-ja. Pse nuk është arritur të bihet dakord?
Ndërtimi dhe operimi e HEC-eve të vogla është realizuar në bazë të një strategjie të qeverisë shqiptare me qëllime kryesore, si rritjen e prodhimit vendas, rritjen e prodhimit dhe përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe thithjen e investimeve vendase dhe të huaja në këtë sektor vital të industrisë në Shqipëri. Zbatimi i kësaj strategjie shënon një revolucion për ekonominë dhe në veçanti, zhvillimin e industrisë në Shqipëri.

Mjeti për të realizuar këto u gjet në kontratat e koncesionit, si një mënyrë partneriteti e qeverisë me privatët, ku pasi këto vepra do të projektoheshin, ndërtoheshin dhe operoheshin nga privatët për 30-35 vjet, ato do të kalonin në pronësi të shtetit. Për ta bërë këtë të mundur, shteti garantoi se energjia e prodhuar në 15 vitet e para do të blihej e tërë nga shteti nëpërmjet Furnizuesit Publik me Shumicë, KESH. Ky detyrim do të ishte të paktën 15 vjet dhe do të implementohej me anë të një kontrate shitblerje me KESH sh.a.

Në mars të 2016-s, ndërkohë që AREA ishte i përfshirë profesionalisht në grupin drejtues për hartimin e Modelit të ri të Tregut të Energjisë ku drafti përfundimtar i tij u realizua nga konsulenti vetëm më 23 qershor 2016, MEI paraprakisht nxitoi t’i propozojë qeverisë shqiptare për miratim një model transitor tregu të energjisë (VKM 244/2016), pa dijeninë, konsulencën dhe miratimin e grupeve të interesit.

Kjo rezultoi me vendimmarrjen prej qeverisë mbi rishikimin arbitrar të kontratave afatgjata ekzistuese të shitblerjes së energjisë midis PVE dhe KESH, pa miratimin paraprak të grupit të biznesit (AREA) dhe si pasojë në kundërshtim me rregullat dhe parimet e BE-së në kuadër të Komunitetit të Energjisë. Ndërkohë, në draftin përfundimtar të MTE (June Package: 23 June 2016)) thuhet që çdo ndryshim në skemat mbështetëse me efekt retroaktiv do të dakordësohet me mbajtësit e këtyre kontratave (Any changes in the support scheme with retroactive effect will be agreed with the holders of these contracts).

Ndërsa në variantin shqip të publikuar nga qeveria, thuhet “Çdo ndryshim në skemën mbështetëse do të përcaktohet në ligjin për burimet e rinovueshme.” Pasoja e VKM për prodhuesit ishte njoftimi nga KESH se ato nuk njihnin më kontratën me prodhuesit që prej 1 korrikut 2016. A mund të anulohet një kontratë e lidhur më parë në bazën e kontratës së koncesionit me anë të një VKM sot? Çfarë do të ndodhë nëse nesër del një VKM tjetër dhe ndërron përsëri kushtet dhe termat e kontratës? Vendimet e VKM sot u adresohen investimeve që do të vijnë dhe ato mund të kenë efekte retroaktive, vetëm nëse këto kanë efekte përmirësuese për investitorët dhe bëhen me dakordësinë e tyre. Kontrata e shitblerjes janë zemra e një investimi të tillë afatgjatë dhe asnjë VKM e marrë sot apo nesër nuk duhet të këtë asnjë efekt që investitorët nuk e pranojnë. Ky parim është thënë shumë qartë në nenin 4 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në udhëzimet e Komitetit të Energjisë dhe gjithë udhëzimeve europiane. Cili është qëllimi? Kush përfiton nga kjo? Natyrisht jo investitorët? E qartë jo qytetarët. Përgjigjen e saktë duhet ta japin në fakt autorët.

Me trishtim pranoj se qeveritë shqiptare nuk po mësojnë se vendimet e tyre, që prekin interesat e investitorëve apo qytetarëve, duhet vërtet të diskutohen dhe dakordësohen me to. Ky vendim ishte një vërtetim i qartë i saj.
Që nga viti 2009, kur investitorët vendosën të investojnë, prej tyre u ngrit problemi se kjo kontratë duhet të kishte të përcaktuar jo vetëm kohën, por edhe çmimin, i cili duhet të ishte i aftë të siguronte kthimin e investimit brenda 7-10 vjetësh. Për këtë, qeveria nëpërmjet ERE-s, ndërmori studime për të gjetur një metodologji më të përshtatshme se ajo e vendosur në 2007-n që mbështetej në çmimin e importit, duke shtuar një inventivë prej 10%. Në 2010 ERE doli me studimin se metoda më e përshtatshme do të ishte në gjetjen e një çmimi fiks, i mbështetur në vlerën e investimit dhe kostot e prodhimit.

Kjo metodologji u kristalizua me ligjin e energjive të rinovueshme që megjithëqë ishte gati që në fund të vitit 2011, u miratua vetëm në qershor 2013. Së pari, siç e përmenda më lart, logjikisht nuk duhet të kishte një kontratë të re. Nëse investitorët do të ishin dakord për ndryshimin e blerësit, mund të procedohej me një aneks të kontratës ekzistuese kur të shënohej se blerësi ndryshon nga KESH në OSHEE. Më tutje, kontrata e re ka një mbështetje ligjore të ndryshme nga ajo ekzistuese dhe ky është një element thelbësor.

Çfarë të drejtash dhe përfitimesh cenohen për investitorët nga ky transferim?
Kontrata, në themel, është një marrëveshje që bëhet midis palëve që bien dakord të realizojnë një objektiv të caktuar në një kohë dhe periudhë të caktuar, e cila ka ligje dhe rregulla të caktuara. Nëse çdo sekondë del një ligj dhe rregull i ri dhe nga kjo ndryshon, edhe ky dokument nuk është më kontratë, por një letër, pa vlerë dhe pa asnjë kuptim.
Pra me këtë kontratë të re, ne kalojmë në një pjesë të panjohur, të pasigurt. A ka ndonjë investitor në këtë planet që mund të nënshkruajë një kontratë të tillë? A mund të nënshkruajmë ne një kontratë ku baza ligjore nuk është më ligji 138 për BRE, por ligji për energjinë ku energjitë e rinovueshme nuk janë subjekt dhe kur dihet se pala e re blerëse, në bazë të modelit të ri të tregut, do të transformohet së shpejti?

Kontrata me KESH u prish në mënyrë të njëanshme dhe ky është një akt i rëndë i cenimit të sigurisë juridike. Kjo kontratë sigurohej nga dy elemente madhore, Ligji 138/2013 i BRE dhe kontrata e koncesionit. Para se të mendohej ndryshimi apo negocimi i një kontrate të re, duhej që MEI si Autoriteti Kontraktues dhe garanti i këtyre kontratave, të bisedonte dhe negocionte me investitorët. Ky proces nuk duhej dhe nuk do të mund të bëhet me urdhër.

Ministria e Energjisë thotë se kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cenon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesionare…
Me Vendimin 244/2016, qeveria shqiptare, pa asnjë njoftim paraprak dhe në mungesë të plotë të informacionit, vendosi të ndryshojë blerësin e energjisë për HEC-et e vogla. Me këtë VKM, OSHEE ngarkohet me detyrimin e shërbimit publik që është çdo detyrim ndaj impianteve të energjive të rinovueshme.

Ky vendim është në kundërshtim me ligjin e BRE në fuqi dhe si rrjedhojë është antiligjor. Ai mbart gjithashtu një anashkalim të rëndë ligjor të detyrimeve të vendosura nga 2009/28/BE mbi energjitë e rinovueshme në kuadër të pjesëmarrjes në Traktin e Komunitetit të Energjisë dhe procesit të integrimit europian.

Përcaktim në fakt i njohur në vetë Ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (Ligji 43/2015) ku referuar prodhuesve me përparësi, deklarohet se janë pjesë e një regjimi të veçantë të rregulluar. Kështu që kurrsesi nuk mund të trajtohen në kuadër të normave të modelit dhe rregullave të tregut, por nga një normativë e posaçme që është Ligji Nr. 138/2013 “Për burimet e energjisë së rinovueshme” (“Ligji 138/2013”). Funksioni i dhënë OSHEE është jo vetëm në shkelje ligjore, por edhe mospërputhje e funksioneve të vetë OSHEE-së, ku sipas vetë Paketës së Tretë Rregullatore të Energjisë të BE-së konsistojnë në atë të menaxhimit të sistemit të shpërndarjes (rrjetit të sistemit elektrik të shpërndarjes).

Duke ju referuar pikërisht ligjit që rregullon marrëdhëniet për prodhuesit e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme të energjisë (BRE) elektrike të ashtuquajtura prodhues me përparësi i energjisë elektrike, në pikën 1 të Nenit 14, të Ligjit 138/2013 mbi detyrimin për të blerë energji elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme energjie përcaktohet se (citojmë): “Blerësi i energjisë elektrike të prodhuar nga prodhuesi që ka përparësi, nëse kërkohet nga ky i fundit, është Furnizuesi Publik me Shumicë”. Pra blerësi, sipas dispozitave ligjore në fuqi është FPSH (KESH).

Ndërkohë, sipas Udhëzuesit të Politikave për Reformën e Skemave Mbështetëse në EnC, rekomandohet si i domosdoshëm emërimi i një institucioni ad hoc për të menaxhuar skema mbështetje për prodhuesit e ripërtërishëm të energjisë.

Në këtë kohë, ne jemi duke negociuar draftin e ligjit për energjitë e rinovueshme, i cili është një përmbysje e ligjit 138/2013 për BRE. Ky draft synon të transformojë kontratat e shitblerjes ekzistuese në kontrata për diferencë që do të funksionojnë të tilla të plota në kushtet e një tregu të lire të energjisë. Ne si investitorë të organizuar në dy shoqata, AREA dhe FIAA, i kemi dërguar MEI dhe Sekretariatit të Energjisë propozimin tonë dhe jemi në pritje të negocimit të këtij ligji. Nxitimi për të ndryshuar blerësin në këtë situatë të paqartë dhe qartësisht të pasigurt për ne, e rrit në nivel të lartë pasigurinë e kthimit të investimeve të realizuara.

Ju thoni se qeveria ka aplikuar masa diskriminuese në tre vitet e fundit, sa kanë ndikuar masa në rezultatet financiare të bizneseve të sektorit?
Nga shtator 2013-dhjetor 2014, prodhuesit u përballën me vonesa pothuaj 1 -vjeçare në pagesat e faturave të prodhimit. Kjo rezultoi në vështirësi të mëdha financiare dhe pothuaj të gjithë investitorët u detyruan të marrin overdrafte apo hua të reja nga banka me interesa më të larta se ato të parat. Kjo ndaloi pothuaj plotësisht vazhdimin e investimeve të nisura apo fillimin e projekteve të reja. Shumë kompani të huaja dhe vendase që kishin planifikuar të investonin në Shqipëri i ndërruan planet e tyre. Në fund të vitit 2014, kur AREA me mbështetjen e përfaqësuesve të vendeve investitore në këtë sektor, Itali, Francë, Austri bënin përpjekje maksimale për të gjetur një rrugët për të zgjidhur problemin e mospagesave dhe zbatimin e ligjit të energjisë së rinovueshme me anë të plotësimit të akteve nënligjore si llogaritja e çmimit etj., në mënyrë të papritur MEI, me anë të një VKM–je ul çmimin e shitjet së energjisë nga HEC-et me 18%, duke marrë si referencë një çmim të një burse europiane (HUPX). Për ironi, as Hungaria nuk e përdor këtë çmim si referencë për llogaritjen e çmimit për HEC-et e vendit të tij. Pra, pas një viti kalvari vështirësish, për shkak të mospagesave të faturave, si ngushëllim vjen ulja e çmimit me 18%. Fill pas kësaj, në shkurt 2015, ERE vendos se çmimi i vitit 2013 dhe 2014 duhet të rishikohet dhe si konkluzion, borxhi i KESH ndaj nesh automatikisht u zvogëlua me një tjetër 20%. Pra në mënyrë retroaktive na u zvogëlua një çmim për të cilin ne kishim lëshuar faturat dhe ishin paguar madje edhe tatimfitim, pa u paguar nga KESH. Në shkurt 2015, shoqata AREA iu përgjigj iniciativës së MEI për rishikimin e ligjit të BRE dhe llogaritjen e çmimit fiks të energjisë me një propozim i hartuar nga ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ky propozim nuk është marrë parasysh dhe duket se gjithë energjia dhe kostot e ekspertëve shkuan kot dhe në 2016-n u vendos e njëjta formulë si në 2015, por që këtë herë përsëri, për fat të MEI, ishte në regres.

Të gjitha këto më sipër janë një përshkrim i shkurtër që në fakt nuk duhet të ishte historia jonë. Ne si të parët që morëm guximin për të investuar dhe për të realizuar këto vepra kaq të vështira dhe komplekse meritonim një trajtim dinjitoz, mbështetje nxitëse që do të jepte fryte shumë të mira në dobi të zhvillimit në Shqipëri, do të ishte një shprehje e mendësisë europiane të qeverisë shqiptare dhe do të siguronte një zhvillim stabël të ekonomisë.

Ministria e Energjisë: Kalimi i kontratave të HEC-eve tek OSHEE, pjesë e reformës në energjetikë
Ministria e Energjisë, nga ana e saj, ka sqaruar se zhvendosja e kontratave të shitjes së energjisë nga KESH tek OSHEE është pjesë e një reforme të madhe që po ndërmerret në sektorin e energjetikës.

Ministria e mbështet vendimin e qeverisë, duke pohuar se, po zbatohet ligji 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili synon mbështetjen e një reforme të thellë në sektor dhe që përafron plotësisht direktivën e BE-së 2009/72, mbi rregullat e funksionit të tregut të brendshëm të energjisë elektrike. Ky ligj përcakton një ndarje të qartë të rolit të operatorëve pjesëmarrës të sektorit, duke përcaktuar, ndër të tjera, funksionet e gjeneruesve të energjisë elektrike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Pikërisht, në zbatim të këtyre detyrave, në bashkëpunim të ngushtë me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Ministria e Energjisë ka hartuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që do të bëjnë të mundur funksionimin e sistemit të sektorit në përputhje me rregullat dhe parimet e BE-së. Ndërmjet këtyre akteve janë edhe projektligji i Burimeve të Rinovueshme dhe Modeli i Tregut të Energjisë.

Sipas ministrisë, këto nisma legjislative bazohen mbi angazhimet e marra nga Shqipëria në nënshkrimin e Traktatit të Komuniteti të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që lidhen kryesisht me detyrimet për përafrimin e legjislacionit të sektorit të energjisë me Acquis të BE-së. Hapja e tregut dhe pjesëmarrja e të gjithë operatorëve në platformën e energjisë elektrike të ditës në avancë është një nga kërkesat kryesore të procesit të Berlinit për integrimin në tregun rajonal dhe europian të energjisë. Kjo kërkon marrjen e një sërë masash ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike.

Në zbatim të Direktivës së BE-së dhe ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, është nevoja tashmë e përcaktimit të qartë të ndarjes së operatorëve të energjisë elektrike, në përputhje me funksionet e tyre. Në këtë kuptim, është përcaktuar që OSHEE, në funksion të rolit të saj si operator i shpërndarjes, të jetë operatori përgjegjës për blerjen e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë.

Kontratat e blerjes së energjisë elektrike të prodhuara nga shoqëritë private që kanë marrë me koncesion ndërtimin e hidrocentraleve janë kontrata të veçanta, të cilat në bazë të ligjit të sektorit të energjisë elektrike, konsiderohen të rregulluara dhe miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë, sqaron më tej Ministria e Energjetikës.

Dikasteri i Gjiknurit dha garanci se, kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cenon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesionare. Kjo pasi ky ndryshim i operatorit, nuk prek asnjë nga të drejtat dhe garancitë e fituara nga investitorët, të tilla si afati i kontratës koncesionare, afati i kontratës së shitblerjes së energjisë, apo çmimi që shitet kjo energji, të cilat edhe me ndryshimet e kontratës së miratuar së fundmi nga ERE, mbeten të pandryshuara dhe garantojnë të njëjtin regjim për këto kompani.

Duke shpjeguar këtë situatë, Ministria i cilësoi të nxituara dhe të pabazuara pretendimet e shprehura në deklaratën publike të AREA-s. Shqetësimi për cenimin e të drejtave e garancive të fituara tashmë nga shoqëritë investuese nuk qëndron.

Ministria sqaron se deri më datën 12.08.2016, në zbatim të përcaktimeve të reja ligjore, nga 85 shoqëri që kanë në pronësi HEC-e, 62 prej tyre kanë lidhur kontratën me OSHEE-në duke u shkëputur nga KESH. Këto shoqëri kanë vazhduar normalisht me rakordimin e energjisë së shitur pranë OSHEE dhe iu është pranuar fatura tatimore e shitjes, njësoj si në rastin e kontratës së mëparshme me KESH.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë gjen rastin të kujtojë se janë pikërisht këto reforma të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që bënë të mundur shlyerjen e 9.1 miliardë lekë borxheve të prapambetura që shteti u kishte këtyre prodhuesve privatë për shkak të mosreflektimit në tarifë të çmimit të energjisë. Përveç likuidimit të plotë të të gjitha detyrimeve të prapambetura, prodhuesit privatë marrin brenda afatit ligjor pagesën e muajit korent që prej janarit të vitit 2015.

Nga qeveria është treguar kujdes për trajtimin e hidrocentraleve që prodhojnë energji nga burimet e rinovueshme, në mënyrë që t’i garantohet në çdo moment një çmim i nevojshëm për mbulimin e kostove të ndërtimit dhe operimit të centralit. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë është hartuar projektligji për burimet e rinovueshme të energjisë, që është në proces konsultimi të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e sektorit të energjisë elektrike. Në bazë të këtij projektligji përcaktohet se centraleve të energjisë tashmë të ndërtuara, do t’u garantohet gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së shitblerjes, një tarifë e arsyeshme që mbulon kostot dhe siguron një normë të arsyeshme fitimi.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0