VANGJEL ZHAPA - Krahina e Gjirokastrës - Business Magazine Albania

VANGJEL ZHAPA – Krahina e Gjirokastrës


Një ndër filantropët më të shquar me prejardhje shqiptare është Vangjel Zhapa nga fshati Labovë e Madhe në Gjirokastër. I lindur në vitin 1800 në një familje të varfër Vangjel Zhapa migroi fillimisht në moshën 14 vjeçare në Janinë, ku gjeti mbështetje te kushuriri i tij Vangjel Meksi, mjek i njohur në këtë qytet. Aty mësoi të fshehtat e mjeksisë, të cilat do t’i shërbenin në të ardhmen.

Pas shpërthimit të Revolucionit Grek, Vangjeli u përfshi në ushtrinë greke ku fitoi edhe disa medalje për trimëri. Pas krijimit të shtetit helen ai u emërua oficer në ushtrinë greke por Vangjeli vendosi të lëvizte prej Greqisë dhe në vitin 1830 do të emigronte në Rumani ku edhe do t’i buzëqeshte fati. Aty si pasojë e ushtrimit të detyrës së mjekut do të shtinte në dorë pasuri të patundëshme, të cilat do t’i administronte me mjaft aftësi. Fitimet e jashtëzakonëshme ai i investoi dhe përmes mprehtësisë që kishte në sipërmarrje i zgjeroi pronat duke u shndërruar në një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë. Beqar i përjetëshëm Vangjel Zhapa vendosi që pasurinë e tij ta përdorte për vepra bamirësie dhe filantropike.

shtepia e Zhapes

Aktiviteti i tij filantropik u shtri në Rumani, Shqipërinë e Jugut, Perandorinë Osmane dhe mbi të gjitha në Greqi. Në qendër të kësaj veprimtarie ishin popullsitë ortodokse. Mecenat i artit dhe i shkencës, mbështetës i lëvizjeve revolucionare në Ballkan që synonin çlirimin e popullsive të krishtera të Ballkanit, aktiviteti i Vangjel Zhapës është jashtëzakonisht i gjerë. Në këtë kuadër ai nuk qëndroi mospërfillës edhe ndaj nacionalistëve shqiptarë që kërkonin zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqiptar. Kështu ai financoi botimin e abetares së parë shqiptare të bërë nga Naum Veqilharxhi, mbështeti krijimin e një alfabeti të shqipes mbi baza të alfabetit grek, të gazetës shqip Pellazgu në Lamia të Greqisë, financoi çeljen e shkollave në një varg fshatrash ortodokse në krahinën e Gjirokastrës dhe Vlorës, si në Labov, Derviçan, Lekël, Dhruvjan, Bubës, Hundkuq, Piqeras, Nivicë, Delvinë, Përmet, Nivan, Karjan, Filat e Qeparo. Në fokus ishte veçanërisht fshati i tij i lindjes, Labova, ku hapi edhe një shkollë profesionale për vjaza, ngriti tre çezma dhe shtroi rrugët e fshatit.

Përveç të tjerash Vangjel Zhapa financoi edhe çeljen e shkollave femërore edhe në Adrianopojë dhe Kostandinopojë, ndërtimin e Universitetit të Bukureshtit, Akademisë së Shkencave Rumune, pallatin e eksopozitave në Athinë, ndërtimin e stadiumit Olimpik në Athinë. Ai financoi gjithashtu edhe rifillimin e lojrave Olimpike në Greqi, punë që do të vazhdohej me nxitjen e një shqiptari tjetër nga fshati Qestorat po nga krahina e Gjirokastrës, Kristaq Zografi, i cili ishte një nga njerëzit më të pasur në Greqi. Vangjel Zhapa bashkë me shumë shqiptarë të tjerë të pasur me prejardhje nga Shqipëria e Jugut si Apostol Arsaqi, Simon Sina, Jani Banga, Jani Dhima etj. ndihmuan financiarisht ndërtimin e veprave të rëndësishme publike në Athinë si Universitetin e Athinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Akademinë greke.

1906_Athens_stadium

Sikurse do të shkruante një historian grek: “asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa Epiri.” Në të vërtetë, tokat e mëtuara si greke janë në shqiptare dhe nëse shkojmë përtej ligjërimit ultranacionalist grek, bamirësit e mëdhenj që emërtohen si grek në shumicë ishin shqiptarë ortodoksë, të cilët për arsye të lidhjeve fetare ndihmonin dhe mbështetnin zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit grek.

Jashtë fokusit të punës filantropike të Vangjel Zhapës nuk mbetën as objektet e kultit. Kështu në trevat shqiptare ai ndërtoi me shpenzimet e veta kishën e Leklit, atë të Papandisë në Labovë, manastirin e Tërbuqit dhe xhaminë e Hormovës kurse jashtë kësaj hapsire ndërtoi kishën e madhe të Shën Triadhës në Kostandinopojë dhe atë të Shën Vangjelizmoit në Broshteni, Rumani.

Sipas vullnetit të tij të përcaktuar në testamentin që ai e hartoi vetë në vitin 1860 pasuria e tij do të përdorej për vepra filantropike ku një vend të posaçëm zinte edhe Labova dhe një varg fshatrash të tjera ortodokse shqiptare, për zhvillimin e arsimit në të cilat do të përdorej pasuria e Zhapës. Për administrimin e trashëgimisë së tij u krijua në Athinë një komision, i cili nuk e kreu asnjëherë detyrën e tij. Në fakt, fatin e pasurisë së Vangjel Zhapës e pësuan edhe pasuritë e shqiptarëve të tjerë që kisihn depozituar fonde në bankat greke për t’i përdorur për vepra bamirësie në vendlindje. Në pjesën dërrmuese të rasteve dëshira e tyre nuk u vërtetësua asnjëherë. Madje ato u përdorën nga Sillogu grek në dëm të çështje kombëtare shqiptare. Mungesa e një shteti shqiptar do t’i shtynte shumë prej këtyre emigrantëve që t’i mbyllnin paratë në banka të huaja, veçanërisht greke, duke pësuar abuzime prej këtyre të fundit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0