Bill Gates premtoi të enjten se do të dhurojë 200 miliardë dollarë përmes fondacionit të tij bamirës deri në vitin 2045 dhe kritikoi ashpër Elon Musk, duke e akuzuar miliarderin më të pasur në glob se po “vret fëmijët më të varfër në botë” përmes shkurtimeve të mëdha në buxhetin e ndihmës së jashtme të SHBA-së.
69-vjeçari, bashkëthemelues i Microsoft, tha se po përshpejton planet për të shpërndarë thuajse të gjithë pasurinë e tij dhe se fondacioni i tij do të mbyllet më 31 dhjetor 2045 – vite më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Gates shpreson që fondet të kontribuojnë në zhdukjen e sëmundjeve si poliomieliti dhe malaria, në parandalimin e vdekjeve të parandalueshme të grave dhe fëmijëve, si dhe në reduktimin e varfërisë globale.
Ky njoftim vjen në kohën kur disa qeveri, përfshirë administratën Trump, kanë prerë buxhetet për ndihma ndërkombëtare, të përdorura për të luftuar sëmundjet vdekjeprurëse dhe urinë. Shkurtime të mëdha janë bërë nën drejtimin e Musk dhe Departamentit të Efikasitetit Qeveritar të SHBA-së (DOGE), i cili ka propozuar shkurtime për rreth 80% të programeve të USAID. Vetëm në vitin fiskal 2023, agjencia kishte shpenzuar 44 miliardë dollarë globalisht.
“Pamja e njeriut më të pasur në botë që vret fëmijët më të varfër në botë nuk është aspak e këndshme,” tha Gates për Financial Times.
Në një intervistë për Reuters, Gates paralajmëroi për një përmbysje dramatike të përparimit të bërë ndër dekada në uljen e vdekshmërisë globale, për shkak të këtyre shkurtimeve.
Lexo edhe: “Jam në arenë!” – Melinda Gates përballet me kritikat e Elon Musk për filantropinë
“Numri i vdekjeve do të fillojë të rritet për herë të parë… do të kemi miliona më shumë vdekje për shkak të mungesës së burimeve,” tha ai.
Fondacioni Gates do të ketë një buxhet vjetor prej 9 miliardë dollarësh deri në vitin 2026 dhe më pas do të arrijë rreth 10 miliardë në vit. Gates ka paralajmëruar se fondacioni i tij dhe të tjerë nuk mund të mbushin boshllëkun që lënë pas qeveritë.
Gates dhe Musk dikur ndanin mendime të ngjashme për rolin e të pasurve në dhurimin për bamirësi, por kohët e fundit kanë pasur përplasje të ashpra. I pyetur nëse kishte kontaktuar me Musk për ta bindur të ndryshojë qëndrim, Gates u përgjigj se tani kjo është në dorën e Kongresit amerikan.
Në platformën X, Musk reagoi ndaj një postimi ku shfaqej një intervistë e Gates, duke shkruar: “Gates është një gënjeshtar i madh”. Zëdhënësit e Musk nuk ishin të disponueshëm për koment.
Gates tha se edhe pse fondacioni ka fonde të mëdha, progresi nuk është i mundur pa mbështetjen e qeverive.
“Ka shumë probleme urgjente për t’u zgjidhur që unë të mbaj burime për vete,” shkroi Gates në faqen e tij zyrtare. “Nuk është e qartë nëse vendet më të pasura të botës do të vazhdojnë të mbrojnë më të varfrit.”
Ai përshëndeti përgjigjen e disa vendeve afrikane që kanë riorientuar buxhetet për të kompensuar shkurtime të ndihmës, por theksoi se zhdukja e poliomielitit, për shembull, nuk do të ishte e mundur pa financim nga SHBA.
Njoftimi u bë me rastin e 25-vjetorit të themelimit të fondacionit, të krijuar në vitin 2000 nga Gates dhe ish-bashkëshortja e tij Melinda French Gates, së bashku me investitorin miliarder Warren Buffett.
Që nga themelimi, fondacioni ka dhuruar mbi 100 miliardë dollarë, duke shpëtuar miliona jetë dhe duke mbështetur iniciativa si Gavi (për vaksinat) dhe Fondi Global kundër HIV/AIDS, tuberkulozit dhe malaries.
Fondacioni do të mbyllet pasi të ketë shpërndarë rreth 99% të pasurisë personale të Gates. Fillimisht, mendohej se do të mbyllej disa dekada pas vdekjes së themeluesve. Sot, pasuria e Gates vlerësohet në rreth 108 miliardë dollarë.
Fondacioni ka qenë subjekt i kritikave për ndikimin e madh që ka, pa llogaridhënie të mjaftueshme, përfshirë në organizata si OBSH. Gates gjithashtu ka qenë në qendër të teorive konspirative gjatë pandemisë COVID-19.
Ai tha për Reuters se ka folur disa herë me Trump muajt e fundit – dy herë që kur ai mori detyrën në janar – për rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në shëndetin global.
Reuters
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.