Të lësh një fëmijë 1-vjeçar të hajë vetë shpesh shoqërohet me rrëmujë në tavolinë, por ekspertët thonë se përfitimet shkojnë shumë përtej pastrimit shtesë. Sipas studimeve të fundit ndërkombëtare, autonomia gjatë vaktit lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e gjuhës dhe aftësive sociale te fëmijët e vegjël.
Fëmijët që inkurajohen të ushqehen vetë që nga mosha 12 muajsh tregojnë më shumë vokalizime, përdorin më shpesh gjeste dhe zhvillojnë më shpejt të folurin krahasuar me bashkëmoshatarët që ushqehen vazhdimisht nga të rriturit.
Studiuesit theksojnë se momenti i vaktit nuk është vetëm një nevojë biologjike. Ai është një “laborator zhvillimi” ku aktivizohen procese të shumta: koordinimi motorik (kapja e lugës, lëvizja e dorës), përqendrimi, ndërveprimi social dhe komunikimi. Kur fëmija eksploron ushqimin, kërkon më shumë, refuzon apo tregon preferenca, ai praktikisht po mëson të shprehet.
Sipas ekipit kërkimor, autonomia në të ngrënë është një nga etapat më të rëndësishme evolutive në rritjen e fëmijës dhe zakonisht konsolidohet rreth moshës 2 vjeç e gjysmë. Inkurajimi i kësaj aftësie në fazat e hershme ka ndikim pozitiv në zhvillimin gjuhësor, veçanërisht në periudhën 1–3 vjeç, kur truri është në një fazë intensive formimi.
Ekspertët kujtojnë gjithashtu se zhvillimi i shëndetshëm lidhet edhe me ushqyerjen e balancuar. Vitaminat A, B, C, D, E dhe K luajnë rol kyç në forcimin e imunitetit, zhvillimin e kockave dhe funksionet njohëse. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se suplementet duhet të përdoren vetëm me këshillë mjekësore, pasi përdorimi i pakontrolluar mund të ketë pasoja.
Pak rrëmujë në tavolinë mund të jetë një hap i madh përpara në zhvillimin e fëmijës. Sepse kur ai mëson të hajë vetë, në të njëjtën kohë po mëson të komunikojë me botën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.