UK Albanian Tech Hub, një mundësi për kompanitë shqiptare të teknologjisë - Business Magazine Albania

UK Albanian Tech Hub, një mundësi për kompanitë shqiptare të teknologjisë


UK Albanian Tech Hub është në kërkim të kompanisë Unicorn në Shqipëri. Thënë ndryshe të kompanisë së teknologjisë me potencial për t’u bërë shpejt një kompani ndërkombëtare miliardere. Në një intervistë për Businessmag.al, Ambasadori Britanik në Tiranë, Duncan Norman foli për mbështetjen e Uk Albanian Tech Hub ndaj sipërmarrjeve të teknologjisë, si dhe interesin e shtuar të kompanive britanike për të investuar në Shqipëri.  

Intervistë me Ambasadorin Britanik në Tiranë Duncan Norman

Ky është viti i tretë që janë hapur thirrjet për aplikim në programin UK Albanian Tech Hub? A do të ketë ndonjë risi apo ndryshim në krahasim me vitet e mëparshme?

Siç thatë është viti i tretë që ky projekt implementohet dhe çdo vit kemi mësuar diçka të re. Kemi mësuar nga pjesëmarrësit në vitin e parë vlerën e trajnimit në Shqipëri dhe rëndësinë e prezantimit me ekosistemin në Londër, si një shembull suksesi, të cilin mund ta marrim si model.

Gjëja e parë që menduam ishte se ne kemi bërë gjënë e duhur në Shqipëri dhe këtë vit po kërkojmë të sjellim trajnerët më të mirë në botë, që të vijnë këtu për të trajnuar ata që do të jenë pjesë e programit krah ekspertëve britanikë që ishin në dy vitet e mëparshme.

Ne po shohim me shumë kujdes se si udhëtimi në Londër të jetë sa më i vlefshëm për sipërmarrësit dhe për t’u siguruar që ajo që ne do të ofrojmë të jetë e përqëndruar shumë në nevojat e tyre. Pra, të sigurohemi që ata që shkojnë në Londër, të kenë mundësinë të realizojnë ato gjëra që duan dhe të mund të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me persona të rëndësishëm të ekosistemit teknologjik në Britaninë e Madhe.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për sipërmarrjet që marrin pjesë këtë vit në UK Albania Tech Hub??

Unë besoj shumë se ekziston një mundësi në Shqipëri për të promovuar me të vërtetë ekonominë dixhitale. Nuk është një copë letër e zbrazët, por është një copë letër që nuk ka shkrim të mjaftueshëm në të dhe ka shumë për të bërë në këtë sektor. Me të vërtetë mendoj se, nëse Shqipëria e vë në lëvizje sektorin dixhital, ekonomia do të përmirësohet gjithashtu, pasi vendi ka shume potencial. UK Albania Tech Hub është duke u përpjekur të zgjedhë ato kompani që kanë krijuar produkte, kërkojnë të zgjerohen dhe të kalojnë nga Shqipëria në tregun ndërkombëtar. Kjo është ajo që ne duam të bëjmë dhe mendoj se mund ta arrijmë. Ne mund të përpiqemi t’i ndihmojmë këto kompani që janë të gatshme të shkojnë më tej, të shkojnë ndërkombëtarisht, për të arritur një sukses atje. Ajo që ne po bëjmë me UK Albania Tech Hub është të përmirësojmë ekosistemin më gjerësisht këtu dhe të punojmë me qeverinë shqiptare, për të dhënë kontributin tonë gjithashtu dhe në legjislacion, në mënyrë që të bëhet më e lehtë për sipërmarrjet të operojnë në tregun shqiptar.

A ka ndonjë fushë specifike, të cilës duhet t’i përkasin startupet?

Meqenëse e gjitha është dixhitale, startup-et që kalojnë në Tech Hub duhet të jenë dixhitale dhe ne jemi shumë të hapur për një shumëllojshmëri të gjerë të kompanive që operojnë në sektorin teknologjik. Me kalimin e viteve po kërkojmë një gjë: Të kemi një produkt, i cili është i gatshëm për t’u marketuar ndërkombëtarisht.

Çfarë ju shtyu të sillni një Hub teknologjie të tillë në Shqipëri?

Unë mendoj se erdhi nga një nevojë e brendshme, sepse këtu ka një hendek në ekosistemin e sipërmarrjes dhe veçanërisht atë teknologjik.

Mbretëria e Bashkuar është mes vendeve lider në sektorin dixhital. Ndaj ne mund të jemi faktor zhvillimi në këtë drejtim, pasi kemi mjetet për t’i ndihmuar në përmbushjen e nevojave të kërkuara.

A ka ndonjë objektiv që synon të përmbushë Ambasada Britanike me këtë angazhim?

Ne po mundohemi të ndihmojmë Shqipërinë të ndërtojë sektorin dixhital.

Kjo do të thotë që po ndihmojmë Shqipërinë të shohë përtej saj. E bën të jetë më e suksesshme dhe më e mirë në këndvështrimin e Mbretërisë së Bashkuar. Ne jemi bashkë në shumë gjëra, jemi pjesë e NATO-s dhe përpiqemi të jemi një mbështetje e fortë e shqiptarëve.

Investimi në teknologji ka të bëjë me përmirësimin e ekonomisë, ka të bëjë me dhënien e një mundësie për sipërmarrësit, që të mund të krijojnë biznese, të jenë të suksesshëm në Shqipëri dhe më e rëndësishmja, të gjejnë sukses ndërkombëtarisht.

Si mund ta mbështesni qeverinë në fushën financiare, ndoshta me ligjin e startupe-ve, pasi shohim që financimet nuk janë dhe aq të disponueshme këtu?

Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë. Jemi duke e bërë këtë me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Sipërmarrjes. Po shohim si mund ta ndihmojmë Shqipërinë të miratojë legjislacionin, i cili do t’i lejojë vendit të ndërtojë ekosistemin ekonomik në të njëjtën mënyrë si në Mbretërinë e Bashkuar. Ne po ofrojmë mbështetjen tonë dhe jemi të lumtur të ofrojmë më shumë ndihmë teknike nga specialistë në Mbretërinë e Bashkuar për ta bërë këtë.

Po kërkojmë të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare, por kjo sigurisht që kërkon kohë?

Ky është viti i tretë i Tech Hub dhe rezultati i këtij viti është që të punojmë me palët e interesit dhe të mundësojmë që ekosistemi këtu të jetë i strukturuar mirë, pasi ekziston një mungesë e theksuar legjislacioni në vend. Ne do ta realizojmë këtë, por kërkon kohën e nevojshme.

Lexo: Programi UK – Albania Tech Hub hap thirrjen për aplikime për 2019-2020

Çfarë hapash mund të merren në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Londrës?

Po flasim për llojin e marrëdhënieve në kënd më të gjerë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Në vitet e kaluara kemi pasur vetëm 5 diplomatë dhe kemi qenë thjesht të përqendruar në punën e sigurisë në terma afatgjatë. Tani kemi një ambasadë, që ka kaluar në 16 diplomatë, një staf prej 50 vetash në total dhe do të zgjerohemi më tej.

Kemi pasur çështje me të cilat kemi punuar së bashku për t’i bërë gjërat të funksionojnë më mirë. Por, përsëri çdo gjë ka të bëjë me mënyrën se si ne mund të ndihmojmë shqiptarët të bëhen më të suksesshëm. Kjo do të thotë se si të ndërtosh diçka me ekonominë, me drejtësinë dhe si ta ndihmojmë vendin të zhvillojë pjesën dixhitale.

E kemi zgjeruar shumë partneritetin dhe qeveria britanike e ka bërë të qartë që Ballkani Perëndimor është prioritet dhe do të vazhdojë të jetë një prioritet edhe pas përfundimit të Tech Hub. Kemi parë një impakt pozitiv në aspektin e stafit, të fondeve që po përdorim këtu. Këtë vit do të shpenzojmë 5-6 milionë paund dhe vitin tjetër mbi 10 milionë paund. Pikërisht ky është shembulli se si partneriteti është rritur dhe forcuar.

Po investimet private këtu në Shqipëri, apo në rajonin e Ballkanit?

Aktualisht janë disa kompani të mirënjohura britanike, për shembull Vodafone, Shell, British Airways dhe ajo që duam të bëjmë është të sjellim më shumë. Ka më shumë kompani që po tregojnë interes për Shqipërinë nga Mbretëria e Bashkuar dhe kjo do të vazhdojë.

Kompanitë duhet të sigurohen që fusha e drejtësisë funksionon plotësisht dhe duket se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Numri i kompanive që kanë kontaktuar ambasadën britanike gjatë muajve të kaluar është më domethënës se më parë.

Lexo: 8 Startup-et e IT dhe inovacionit, që mbërritën në Londër përmes programit UK-Albania TECH HUB

A ka ndonjë kompani specifike të interesuar në tregun shqiptar?

Mund vetëm të përmend se ekziston një numër kompanish nga disa sektorë specifikë, të cilat janë të interesuara nga Britania e Madhe për të ardhur këtu.

Çfarë rasti suksesi do të sillnit në vëmendjen tonë kur bëhet fjalë për startup-et shqiptare që zhvillohen gjatë gjithë kësaj përvoje?

Ne kemi rreth 30 kompani që kanë kaluar përmes UK Albania Tech Hub deri tani. Ato kanë sjellë shumë eksperienca dhe raste suksesi në fushën e tyre. Shpresojmë që shumë kompani të shtohen në të ardhmen dhe me dëshirën më të madhe shpresojmë që një apo dy kompani të bëhen kompani miliardere apo siç quhen ndryshe Unicorn. Presim me padurim të kemi një startup të tillë nga Shqipëria.

Afati i Aplikimit për të gjitha kompanitë e teknologjisë është deri më 18 Tetor. Për plotësimin e formularit të aplikimit dhe dërgimin me email, kliko Këtu.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0