Nga Eni Muça– Turizmi në Shqipëri ka hyrë në një fazë reflektimi. Edhe pse shifrat zyrtare tregojnë një rritje të lehtë në numrin e turistëve gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, me mbi 4.76 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 5% krahasuar me vitin e kaluar, zëri i operatorëve turistikë dhe ekspertëve të industrisë është më i rezervuar se kurrë.
Ajo që vihet re është rënia e dukshme e asaj që quhet “retention rate”, pra shkalla e kthimit të vizitorëve. Turistët e rinj që vizituan Shqipërinë për herë të parë, këtë vit nuk janë rikthyer. Arsyet janë të shumta, por më së shumti lidhen me pritshmëri të parealizuara, mungesë të vlerës së qëndrueshme dhe çmime që nuk përputhen me cilësinë e shërbimit. Ekspertja e njohur e hotelerisë dhe turizmit, Gladiola Dona, e përmbledh qartë këtë fenomen kur thotë se vjet kënaqëm kuriozët, por nuk u dhamë një arsye për t’u kthyer.
“Shuam kuriozitetin dhe ata ikën. Që vjet e kam thënë që nuk ishim gati për një ‘boom’ pa jehonë. Rritëm çmimet pa u bazuar në atë çka ofrohej. Unë nuk jam për çmime të lira, por për çmime të bazuara në shërbim të lartë. Kur nuk arrijmë të rrisim shërbimin, atëherë duhet të ulim çmimet. Konkurojmë me tregje më të zgjuara në rajon, që çmimin e bazojnë në shërbim dhe cilësi, dhe janë mjaft të rafinuar për të luajtur me çmimet. Ata bëjnë ‘yield’, çmimin e duhur klientit të duhur në kohën e duhur, ndaj i marrin më të mirën sezonit.” Situata nuk ka të bëjë vetëm me çmimet dhe përvojën brenda hotelit apo restorantit. Problemet e infrastrukturës janë thelbësore. Mungesa e ujit të pijshëm në zona turistike si Golemi, ndotja në disa plazhe, mungesa e menaxhimit të mbetjeve dhe ndërtimet pa kriter po ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e vizitorëve.
Lexo edhe:Turizmi në Shqipëri: Rasti i Thethit dhe nevoja për një strategji të qëndrueshme
Një tjetër faktor kritik është mungesa e stafit të kualifikuar, çka lidhet si me emigracionin e të rinjve, ashtu edhe me mungesën e trajnimeve të qëndrueshme profesionale në sektor. Këto elementë të kombinuar kanë bërë që Shqipëria të perceptohet si një destinacion interesant për një vizitë të parë, por jo si një vend ku do të dëshiroje të rikthehesh çdo vit. Ndryshe nga vendet fqinje që po aplikojnë politika të menaxhimit dinamik të çmimeve dhe po krijojnë përvoja të personalizuara për turistët, Shqipëria ende po përpiqet të kuptojë balancën midis ofertës, çmimit dhe vlerës. Tashmë nuk mjafton të jesh “i ri dhe i pazbuluar”. Koha po kërkon një transformim të thellë dhe profesional të industrisë turistike.
Investimi në cilësi, përvojë, shërbim dhe në mënyrën se si ndërtohet marrëdhënia me vizitorin është thelbësor për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm. Pa këto elementë, çdo rritje sezonale do të mbetet një valë e përkohshme, që nuk përkthehet në zhvillim afatgjatë. Dhe siç e thotë me të drejtë ekspertja Dona, “Ne jemi akoma duke mësuar për t’u bërë të duruar dhe për të bërë hapa të matur. Kjo është sfida më e madhe e turizmit shqiptar në vitin 2025.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.