Turizmi në Shqipëri: Rasti i Thethit dhe nevoja për një strategji të qëndrueshme - Business Magazine Albania

Turizmi në Shqipëri: Rasti i Thethit dhe nevoja për një strategji të qëndrueshme

Turizmi në Shqipëri: Rasti i Thethit dhe nevoja për një strategji të qëndrueshme

Vitin e kaluar, Shqipëria u përmend në disa media ndërkombëtare si një ndër destinacionet më premtuese të rajonit, falë natyrës së saj të paprekur, mikpritjes tradicionale dhe çmimeve konkurruese. Zona të tilla si Thethi u kthyen në shembull të turizmit alternativ shqiptar, duke tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve nga vende të ndryshme të Europës.

Por ndërsa viti 2025 po vazhdon, është evidente që ritmi dhe dinamika e vitit të kaluar nuk po përsëritet në të njëjtën formë. Numri i vizitorëve mbetet i qëndrueshëm, por entuziazmi duket i zbehur. Kjo nuk lidhet me mungesën e potencialit turistik, por më shumë me mungesën e një strategjie të mirëfilltë dhe afatgjatë për menaxhimin e këtij sektori jetik. Në të njëjtën kohë që Shqipëria përpiqet të pozicionohet në tregun rajonal, konkurrenca me vendet fqinje është bërë më e ndjeshme. Greqia ofron shërbim të standardizuar dhe çmime të arsyeshme. Mali i Zi ka investuar ndjeshëm në infrastrukturë dhe promovim. Ndërkohë, paketa turistike për vende si Turqia, Egjipti apo Emiratet e Bashkuara janë të organizuara mirë dhe gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët nga Europa.
Pikërisht në këtë kontekst, rasti i aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, në kulmin e sezonit turistik, ngre një sërë shqetësimesh.
Nuk ka dyshim që ndërtimet pa leje përbëjnë një problem serioz për çdo vend. Por kur zbatimi i ligjit vjen në mënyrë të papërgatitur, pa koordinim dhe pa respektuar kohën e ndjeshme të sezonit, pasojat mund të jenë të dëmshme — jo vetëm për bizneset lokale, por për të gjithë imazhin turistik të Shqipërisë.

Lexo edhe: “Krijo, por mbro!” – Apeli i DPPI për çdo sipërmarrës dhe krijues shqiptar

Thethi, si një prej destinacioneve më të spikatura të turizmit natyror, ka një ndikim ekonomik të ndjeshëm në gjithë qarkun e Shkodrës. Turistët e huaj që kalojnë nëpër qytete si Shkodra, ndalojnë për të fjetur, për të konsumuar ushqim, për të blerë produkte artizanale. Kur përballen me skena të shembjeve në mal, në vend të qetësisë dhe përvojës që kërkojnë, përjetojnë pasiguri dhe shqetësim. Në disa raste, kanë pyetur gazetarët dhe operatorët turistikë: “A është e sigurt të qëndrojmë këtu?”
Ky perceptim, në një epokë ku çdo përvojë shpërndahet menjëherë në rrjete sociale, krijon një dëmtim afatgjatë për industrinë. Për më tepër, pasoja më e thellë është ajo që nuk shihet menjëherë: kur i prishet investimi një familjeje që ka ndërtuar me mundësi të kufizuara, shpesh zgjidhja e vetme që ajo sheh është emigrimi. Në këtë mënyrë, vendi humbet njerëz që kanë pasur guximin të krijojnë diçka, të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit lokal. Janë pikërisht këta persona që përbëjnë “elitën lokale” që na nevojitet më shumë — dhe ikja e tyre është një humbje e dyfishtë: ekonomike dhe sociale. Rasti i Thethit nuk duhet parë si një problem i izoluar, por si shenjë alarmi për të ndërtuar një model zhvillimi turistik të qëndrueshëm. Nevojitet një strategji kombëtare që jo vetëm lufton informalitetin, por e bën këtë në mënyrë të strukturuar, me afate të qarta, me komunikim me komunitetet dhe me synimin për të ruajtur ekuilibrin mes ligjit dhe zhvillimit. Turizmi nuk është vetëm natyrë. Turizmi është industri. Dhe si çdo industri, kërkon planifikim, cilësi, trajnim, infrastrukturë, mbështetje dhe, mbi të gjitha, qëndrueshmëri. Shqipëria ka çdo potencial për të qenë një lider turistik në Ballkan. Por për ta realizuar këtë, nevojitet më shumë se bukuri natyrore. Nevojitet vizion dhe veprim i përgjegjshëm.

Nga: Ardit Bilani, pjesë e newsletter nga AmCham

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0