Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lançuar një skemë të re emigracioni, të quajtur Gold Card, që u ofron viza të përshpejtuara shtetasve të huaj të pasur, të cilët mund të paguajnë të paktën 1 milion dollarë (rreth 750 mijë paund).
E quajtur “Trump Gold Card”, kjo vizë do t’u japë aplikantëve një rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë amerikane, për sa kohë që ata plotësojnë kriteret dhe kalojnë procesin e verifikimit. “KAQ EMOCIONUESE! Kompanitë tona të mëdha amerikane më në fund mund të mbajnë talentet e tyre të pazëvendësueshme,” shkroi Trump në rrjetet sociale të mërkurën. Skema, e cila u paralajmërua për herë të parë në fillim të këtij viti, synon individë që mund të dëshmojnë se do të ofrojnë një “përfitim thelbësor” për Shtetet e Bashkuara, sipas faqes zyrtare të programit.
Nisma vjen në një moment kur Uashingtoni ka ashpërsuar ndjeshëm politikat e emigracionit, duke rritur tarifat për vizat e punës dhe duke intensifikuar deportimet e emigrantëve pa dokumente.
Sipas programit, Gold Card premton rezidencë amerikane në “kohë rekord” dhe kërkon një tarifë prej 1 milion dollarësh, e cila konsiderohet si provë e kontributit të rëndësishëm të individit për ekonominë dhe shoqërinë amerikane.

Në rastet kur punonjësit sponsorizohen nga kompani, bizneset do të duhet të paguajnë 2 milionë dollarë, si dhe tarifa shtesë. Ndërkohë, një version “platinum” i kartës, që do të ofrojë edhe lehtësira të veçanta fiskale, pritet të lançohet së shpejti me një kosto prej 5 milionë dollarësh. Faqja zyrtare e programit thekson se mund të aplikohen tarifa shtesë ndaj qeverisë, në varësi të rrethanave të secilit aplikant. Gjithashtu, individët duhet të paguajnë një tarifë të pakthyeshme prej 15,000 dollarësh për procesimin e aplikimit, përpara se dosja e tyre të shqyrtohet.
Lexo edhe: Rreziku në karrierë i të thënit gjithmonë “Po, mund të ndihmoj unë”
Që nga shpallja e saj në muajin shkurt, skema ka hasur kritika, veçanërisht nga demokratët, të cilët argumentojnë se ajo favorizon padrejtësisht individët shumë të pasur. Kur Trump e prezantoi fillimisht planin, ai e krahasoi Gold Card me green card, e cila u lejon emigrantëve nga shtresa të ndryshme të ardhurash të jetojnë dhe punojnë përgjithmonë në SHBA. Mbajtësit e green card zakonisht mund të aplikojnë për shtetësi pas pesë vitesh.
Por Gold Card, sipas Trump, synon kryesisht profesionistë të nivelit të lartë. “Ne duam njerëz që janë produktivë,” theksoi ai. “Ata që mund të paguajnë 5 milionë dollarë do të krijojnë vende pune. Kjo do të shitet jashtëzakonisht shumë. Është një ofertë e shkëlqyer.” Skema lançohet në një kohë kur administrata Trump ka angazhuar burime të konsiderueshme për deportimin e emigrantëve. Paralelisht, SHBA ka pezulluar aplikimet për emigracion nga 19 shtete, kryesisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, të cilat përfshihen në ndalimin e udhëtimit të vendosur nga presidenti.
Qeveria amerikane ka ndaluar gjithashtu përkohësisht vendimmarrjen për aplikimet për azil dhe ka njoftuar rishikimin e mijëra rasteve që ishin miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden. Në shtator, Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër që vendos një tarifë prej 100,000 dollarësh për aplikantët e programit të vizave H-1B, të destinuara për punonjës të kualifikuar të huaj. Vendimi shkaktoi shqetësim mes studentëve ndërkombëtarë dhe kompanive teknologjike, por Shtëpia e Bardhë më pas sqaroi se tarifa do të aplikohet vetëm për aplikantët e rinj që ndodhen aktualisht jashtë SHBA-së.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.