Nga Joseph E. Stiglitz – Më 27 korrik 2025, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan një marrëveshje paraprake tregtare dhe investimesh në Turnberry, Skoci. Por në fakt, asgjë nuk u nënshkrua, por edhe sikur të ishte, nuk do të vlente . Në fund të fundit, presidenti amerikan Donald Trump kishte nënshkruar një marrëveshje zyrtare tregtare me Kanadanë dhe Meksikën gjatë mandatit të parë, për ta shfuqizuar menjëherë sapo u rikthye në detyrë.
Çdo marrëveshje me Trump-in, pra, duhet parë në rastin më të mirë si një armëpushim i përkohshëm që do të zgjasë derisa udhëheqësi kapriçoz i Amerikës të dëgjojë apo të shohë diçka që e kthen një tekë në politikë zyrtare.
Megjithatë, ia vlen të kujtohen hollësitë e marrëveshjes së Turnberry-t, sepse disa prej tyre ishin mjaft të pazakonta. Duke pasur parasysh se Europa ka 30% më shumë banorë dhe një ekonomi pak më të vogël se ajo e SHBA-së (në terma të fuqisë blerëse), teoria standarde e negociatave do të nënkuptonte një marrëveshje të përafërt dhe simetrike. Por ndodhi e kundërta. Përveç tarifave të padrejta të vendosura nga SHBA ndaj importeve evropiane, Europa u zotua të investojë në SHBA dhe të blejë energji amerikane.
Por, natyrisht, BE-ja nuk mund të premtojë një gjë të tillë. Siç u kam thënë me humor negociatorëve evropianë, Europa nuk është (ende) një ekonomi e planifikuar qendrore. Ajo nuk mund t’i detyrojë qytetarët apo bizneset të bëjnë investime apo blerje specifike. Shifrat e Turnberry-t ishin ofruar thjesht për ta qetësuar Trump-in, duke i dhënë mundësinë të mburrej se kishte përdorur fuqinë amerikane për të marrë një tjetër “trofe” dhe për të shtrydhur më shumë vlerë nga zinxhirët globalë të furnizimit. Kush e ka dert ligjin ndërkombëtar? Kështu veprojnë fuqitë e mëdha — mjafton të shohësh Rusinë dhe luftën e saj pushtuese kundër një fqinji paqësor.
Lexo edhe: Qëndrueshmëria, nga kërkesë ligjore në një domosdoshmëri për bizneset në epokën e gjelbër
Siç pritej, armëpushimi nuk zgjati. Më pak se një muaj më vonë, Trump kërcënoi përsëri Evropën, këtë herë për shkak të Aktit për Tregjet Dixhitale (DMA) dhe Aktit për Shërbimet Dixhitale (DSA), që synojnë të garantojnë konkurrencën në treg dhe të kufizojnë dëmet që shkaktojnë platformat dixhitale. Ndër të tjera, BE kërkon moderim të përmbajtjes për të shmangur amplifikimin algoritmik të dhunës dhe dezinformimit, siç ndodhi tragjikisht në Mianmar dhe këmbëngul në tatimin e kompanive të mëdha të teknologjisë, të cilat janë bërë mjeshtre në shmangien e taksave.
Ndryshe nga sa mendon Trump, këto rregullore nuk diskriminojnë SHBA-në apo gjigantët e saj të teknologjisë. Ato zbatohen njësoj për të gjitha kompanitë që veprojnë në territorin e BE-së. Janë rezultat i një procesi të gjatë vendimmarrjeje, ku ligjvënësit dhe rregullatorët evropianë kanë peshuar me kujdes përfitimet dhe kostot e çdo mase në një botë dhe teknologji që ndryshojnë me shpejtësi. Si në çdo proces të tillë, mendimet kanë qenë të ndara disa mendojnë se rregullat janë tepër kufizuese, ndërsa të tjerë, përfshirë mua, besojnë se nuk janë mjaftueshëm strikte.
Gjigantët e teknologjisë vazhdojnë të kenë shumë fuqi tregu, të bëjnë pak moderim përmbajtjeje dhe të keqpërdorin të dhënat personale. Kjo situatë ka pasoja serioze për shoqërinë evropiane, sidomos për të rinjtë dhe për demokracinë.
Por sot pyetja që ka përpara BE-ja është tjetër: pavarësisht debateve për rregulloret ekzistuese, a do të pranojë Europa të dorëzojë sovranitetin dhe proceset e saj demokratike përballë një populisti autoritar që shpesh mbështetet e madje drejtohet nga oligarkët e teknologjisë amerikane? Trump ka treguar vazhdimisht se vepron për interesat e mbështetësve dhe familjes së tij, jo të popullit amerikan e aq më pak të Evropës.
Dorëzimi ndaj tij nuk do të sjellë gjë tjetër veç kërkesave të reja në të ardhmen. Nuk ka kuptim të nënshtrohesh përpara një presidenti që sillet si mbret pa ligj, të udhëhequr nga tekat personale, keqkuptimet ekonomike dhe pakënaqësi të pajustifikuara. Vlerat evropiane janë tepër të rëndësishme për t’u shitur në treg.
Po, përballja me Trump mund të ketë kosto afatshkurtra, sidomos për bizneset që varen nga tregu amerikan. Por ekonomistët e dinë mirë se tregtia sjell përfitime vetëm kur bëhet në kushte të ndershme. Me strategjinë e shtrëngimit të vlerës në zinxhirët globalë të furnizimit, Trump po e zvogëlon ndjeshëm, madje po e përmbys përfitimin për Evropën.
BE ka forcën ekonomike për t’i rezistuar tarifave amerikane veçanërisht tani që po investon fuqishëm në mbrojtje për të fituar luftën në Ukrainë. Humbjet nga dorëzimi do të ishin shumë më të mëdha. Parimet që kanë udhëhequr tregtinë ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore janë thelbësore që tregtia të jetë e dobishme për të gjithë. Pa sundimin e ligjit, tregjet nuk prodhojnë rezultate as efikase, as të drejta. Investimet do të dekurajoheshin, rritja do të ngadalësohej dhe demokracia do të dobësohej më tej.
Kur presidenti kinez Xi Jinping i qëndroi Trump-it, ky i fundit u tërhoq. Së fundmi, edhe presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka treguar se ka gjëra që nuk negociohen: sovraniteti, dinjiteti, sundimi i ligjit dhe demokracia. BE-ja duhet të bëjë të njëjtën gjë.
*Joseph E. Stiglitz, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, ka qenë kryeekonomist i Bankës Botërore, kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit të SHBA dhe profesor në Universitetin Columbia. Ai është autor i librit ”The Road to Freedom: Economics and the Good Society ”m(W. W. Norton & Company, 2024).
© Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto