Trump-Biden dhe beteja për shtetet e lëkundura

Trump-Biden dhe beteja për shtetet e lëkundura

Trump-Biden
~5 minuta lexim

Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, Presidenti republikan Donald Trump, sfiduesi i tij demokrat Joe Biden si dhe dy kandidatët për zv/president, Pence dhe Harris, po përpiqen të inkurajojnë mbështetësit e tyre e të ndikojnë tek votuesit e pavendosur.

Zoti Trump zhvilloi tubime në shtete të vogla në verilindje të vendit si Nju Hempshër dhe Mein, numri i vogël i votave elektorale të të cilave mund të jetë vendimtar në rast të një rezultati të ngushtë. Dy kandidatët për president po kërkojnë të sigurojnë një shumicë prej 270 votash nga Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh.

Në vitin 2016 zoti Trump humbi 4 votat elektorale të Nju Hempshërit me një rezultat të ngushtë ndaj demokrates Hillary Clinton. Por rreth katër vite më parë ai fitoi një nga katër votat elektorale të Meinit, atë të distriktit rural të tij dhe aktualisht është në një garë të ngushtë me zotin Biden për këtë zonë.

Lexoni: SHBA miraton medikamentin e parë për trajtimin e COVID-19

Ndërkohë, të dielën në mbrëmje ish-zv/presidenti Biden mbajti një fjalim virtual në një koncert të titulluar “Unë do të votoj”. Në një kohë kur presidenti Trump vazhdon të organizojë tubime të mëdha me mbështetësit e tij, shpesh në aeroporte, zoti Biden ka ndjekur një qasje më të matur për fushatën përballë pandemisë së koronavirusit. Ai është shfaqur në tubime të vogla, sikurse këtë të dielë, ose përmes transmetimit të drejtpërdrejt nëpërmjet internetit.

Zv/presidenti Mike Pence, gjithashtu ka marrë pjesë në tubime elektorale dhe u paraqit të dielën në mbrëmje në Kinston të Karolinës së Veriut, një tjetër shtet fushëbeteje, ku dy rivalët janë në një garë të ngushtë me njëri-tjetrin.

Zoti Trump e fitoi këtë shtet në vitin 2016, por këtë herë sondazhet tregojnë zotin Biden në një avantazh të ngushtë ndaj tij.

Lexoni: Twitter mbyll llogaritë false që mbështesin Trump

Senatorja demokrate Kamala Harris, kandidate për zv/presidente, ndodhet në një tjetër shtet vendimtar për fatin e zgjedhjeve në Miçigan. Ajo do të zhvillojë tubime në Detroit, Trojë dhe Pontiak.

Presidenti Trump arriti të sigurojë një fitore të ngushtë në vitin 2016 në Miçigan, një shtet tradicionalisht demokrat, i cili së bashku me fitoret në Pensilvani dhe Uiskonsin, i dhanë atij një mandat katërvjeçar në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Por sondazhet tregojnë se mbështetja ndaj zotit Trump ka pësuar një rënie me rreth 8% në Miçigan dhe se ai gjithashtu renditet pas me përqindje më të ulëta edhe në Uiskonsin dhe Pensilvani.

Të tre këto shtete janë thelbësore për rezultatin e vitit 2020, ashtu siç janë edhe disa shtete të tjera, të cilat zoti Trump i fitoi në 2016, por ku tashmë renditet pas zotit Biden.

Deri tani kanë votuar më shumë se 58 milionë amerikanë, rreth dy të tretat e tyre me postë dhe një e treta personalisht. Shumë prej tyre thonë se votuan përpara datës së zgjedhjeve për shkak të pandemisë.

Sipas sondazheve, më pak se 5% e votuesve nuk e kanë vendosur ende se për kë do të votojnë. Shumë prej mbështetësve të hershëm të zotit Biden kanë thënë se donin të ishin ndër të parët që do të votonin kundër zotit Trump. Ndërkohë, shumë republikanë thonë se kanë në plan të votojnë ditën e zgjedhjeve, siç ka qenë traditë për dekada të tëra SHBA. /VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0