Drejtori i Kolegjit Universum dhe njëkohësisht themeluesi i Shkollës Finlandeze në Kosovë, Alejtin Berisha, në një intervistë për KosovaJob, ka thënë se koncepti i tregut të punës ka evoluar shumë me kohën dhe do të ketë ndryshime edhe më të mëdha në 5 ose 10 vitet e ardhshme. Prandaj, sipas tij, është e vështirë të thuhet nëse studentët po përgatitën për treg të punës.
“Sot, studenti nuk përgatitet për treg të punës vetëm përmes studimeve formale, shkollës së mesme ose universitetit. Përgatitja për treg të punës është gjatë gjithë jetës. Të mësuarit gjatë gjithë jetës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak se për pesë apo dhjetë vite mund të zhduken shumë industri, të cilat ne sot i njohim dhe të krijohen industri të reja. Prandaj nuk mund të themi që studentët tanë po përgatitën për treg të punës derisa nuk e dimë si do të duket ai treg i punës për 10 vite, 15 vite. Ndërsa, roli i universiteteve është t’i ofrojnë shkathtësitë e transferueshme, shkathtësitë e të mësuarit, të cilat pastaj u mundësojnë studentëve në Kosovë që varësisht prej ndryshimeve në treg të punës, t’u përshtaten më lehtë industrive të reja, të cilat vijnë”, ka thënë ai.
Berisha vuri theksin tek një dukuri shumë e rëndësishme me të cilën kohëve të fundit po përballet Kosova, largimi i të rinjve. Ai tha se sot ekzistojnë mundësi punësimi për të rinjtë edhe jashtë Kosovës pa pasur nevojë për t’u larguar nga vendi.
“Të rinjtë tanë sot mund të punojnë për kompani multinacionale që operojnë në Kosovë ose edhe jashtë Kosovës, mund të punojnë në vende të tjera prej këtu, pa shkuar fare atje. Mirëpo, duhet kuptuar se tregu i punës nuk është veç tregu i punës së Kosovës. Ka shumë diskutime lidhur me faktin se rinia po ikën. Largimi i trurit është evidente që nuk është diçka e mirë për një vend, por sot nuk ka më “gurbet”, sot ka mobilitet të njerëzve. Njerëzit shkojnë punojnë aty ku ofrohen më shumë mundësi për karrierë dhe mendoj që tregu i punës është secili me e pa botën, jo vetëm Kosovën”, ka thënë Berisha.
Problemi qëndron tek keq orientimi i studentëve
Të rinjtë në Kosovë kyçen në drejtime të ndryshme universitare, por sa janë të vetëdijshëm se çfarë mund të punojnë me ato drejtime për të cilat studiojnë? Lidhur me këtë çështje, Berisha tha se problemi kryesor në të gjithë sistemin arsimor të Kosovës por edhe në shoqëri qëndron tek keq orientimi i studentëve.
“Problemin kryesor që unë shoh sot në krejt sistemin arsimor të Kosovës por edhe në përgjithësi në shoqëri është keq orientimi. Unë nuk mendoj që sot universitetet ofrojnë studime të dobëta por edhe nëse ato ofrojnë studime të dobëta, hyn në kurse online, hyn në edex dhe merr kurse prej profesorëve më të mirë të botës, pa asnjë cent. Sot, nuk e ka universiteti monopolin e dijes ose monopolin e përgatitjes së studentëve për treg të punës. Ndaj sot t’i fajësojmë universitetet nuk kemi të drejtë më. Për çfarë duhet t’i fajësojmë universitetet, institucionet publike dhe shoqërinë, është orientimi ose keq-orientimi. Ne, shumë pak flasim sot për atë se çka kërkohet në treg të punës, se cilat janë ato industri që kanë potencial më të madh dhe çka duhet një i ri të bëjë me vetëveten për t’i arritur majat e karrierës. Ky është problemi kryesor dhe këtë nuk e bëjnë shumica e institucioneve”.
Ai shtoi se problem tjetër është se njerëzit në Kosovë kryesisht dëshirojnë të fokusohen në sektorin publik sepse ekziston bindja që aty ka paga më të larta dhe nuk ka shumë punë, mirëpo kjo nuk është ajo çka duhet aspiruar.
Për ta pasur me të lehtë kyçjen në tregun e punës që mbizotëron sot, Berisha tha se një i sapodiplomuar duhet të zotërojë të ashtuquajturat shkathtësitë e transferueshme dhe ato profesionale. Sipas tij, nuk mund të ecet më tej në karrierë në rast se nuk ka njohuri të komunikimit verbal dhe të shkruar. Ndër aftësitë e tjera, ai përmendi edhe kreativitetin, mendimin kritik dhe shpirtin ndërmarrës.
“Kur them mendimi kritik, nuk nënkuptoj kritikun në Facebook, por me pasë qasje ndryshe ndaj gjërave. Për mua është shumë me rëndësi edhe shpirti ndërmarrës. Secili i ri mendoj që duhet të ketë shpirt ndërmarrës. Nuk është e domosdosshme që ne të bëhëmi të gjithë ndërmarrës sepse nuk mund të bëhëmi, por nëse kemi shpirt ndërmarrës, qoftë nëse punojmë në institucione publike, qoftë në private, ne do të anojmë më tepër kah zgjidhja se sa kah problemet. Do ta shohim shumë më tepër gotën gjysëm të plotë, se sa gjysëm të zbazur”.
IT-ja, Marketingu Dixhital, Dizajni dhe Kontabiliteti janë industritë e së ardhmes
Tregu i punës kërkon shumë profesione, por disa prej tyre kanë potencial më të madh. Në mesin e tyre, Berisha thotë se hyjnë IT, marketingu dixhital, dizajni por edhe kontabiliteti.
“E para është IT normalisht, ka pashterrshëm. Sot, edhe nëse janë 100 mijë inxhinierë të kualifikuar mund të hyjnë në punë të gjithë. Kjo nuk do të thotë vetëm për kompanitë kosovare por edhe për kompanitë e huaja. E dyta, në përgjithësi janë industritë kreative, të lidhura me dizajn, me marketing dixhital po edhe me kontabilitet. Këto janë industritë që kanë potencial të absorbojnë më mijëra vende të reja të punës, në të ardhmen”.
Studentët dhe punëdhënësit kanë pritshmëri të larta në tregun e punës
Shkalla e papunësisë tek të rinjtë në Kosovë vazhdon të jetë e lartë. Berisha theksoi se pritshmëritë e studentëve, por edhe të punëdhënësve janë shumë të mëdha në tregun e punës. Sipas tij, kompanitë presin që një i ri, i sapodiplomuar t’i sjellë miliona përfitime një kompanie, ndërsa investimi e përkushtimi i këtyre kompanive është shumë i ulët. Krahas kësaj, edhe të rinjtë nuk punojnë sa duhet dhe nuk po mësohen t’i marrin përgjegjësitë mbi veten.
Krejt në fund, Berisha nënvizoi se në Kosovë diskutohet shumë për sigurinë në punë, për benefitet e punëtorëve që patjetër janë të rëndësishme, por, sipas tij, në këtë vend akoma nuk janë plotësuar kushtet e tjera në mënyrë që të mund të diskutohen këto gjëra.
“Në një vend ku papunësia tek të rinjtë është 55%, diskutimi mbi të drejtat e njeriut e të drejtat e punëtorëve mendoj që nuk është sendi më i rëndësishëm. Për mua, shkelje më të madhe të të drejtave të njeriut se sa të mos ketë mundësi për një vend pune, nuk ka. Kështu që, nëse ne i kemi të papunë 55% të të rinjve, nën moshën 34 vjeçare, ky duhet të jetë preokupimi ynë kryesor. Kjo është shkelja kryesore e të drejtave të punëtoreve dhe të drejtave të njeriut. Ne duhet të fokusohemi njëherë në atë se si ta ulim këtë papunësi, pastaj në momentin kur papunësia është e ulët, konkurrenca për njerëz të mirë do t’i nxisë vetë kompanitë të ofrojnë sa më shumë për punëtorët e vetë, të ofrojnë kushte sa më të mira, përfitime më të mëdha. Mirëpo në këtë gjendje është shumë e vështirë”, theksoi Berisha.
Alejtin Berisha udhëheq dy institucione arsimore të njohura në Kosovë, Shkollën Finlandeze dhe Kolegjin Universum. Shkolla Finlandeze është shkollë në Prishtinë, e cila mundëson arsimim cilësor në Kosovë, duke u bazuar në sistemin e shkollimit finlandez, i cili njihet si një ndër sistemet më të mira në botë sa i përket cilësisë së mësimdhënies. Ndërkaq, kolegji Universum është ofrues i arsimit të lartë për studentët kosovarë, atyre nga rajoni apo edhe studentët ndërkombëtarë. Ky i fundit, qysh nga viti 2010 ofron për studentët e vet lëndën “Orientimi në Karrierë”, e cila është e detyrueshme dhe shoqërohet me punë praktike ( internship) në mënyrë që studentët të marrin përgjegjësitë për të ardhmën e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.