Tregtia në rajon/ Negociata për protokollin shtesë 7 të marrëveshjes së CEFTA-s - Business Magazine Albania

Tregtia në rajon/ Negociata për protokollin shtesë 7 të marrëveshjes së CEFTA-s

Tregtia në rajon

Të pasurit e një mekanizmi të besueshëm për zgjidhje të kontesteve është esencial për bashkëpunim të suksesshëm ekonomik dhe rritje të tregtisë ndërmjet palëve të CEFTA-s dhe hyrjen e tyre të mëvonshme në tregun e vetëm të BE-së. Në Podgoricë u zhvilluan dy ditë negociata për Protokollin Shtesë 7, duke shënuar përparim në ngritjen e një Mekanizmi më efikas për Zgjidhje të Kontesteve (MZK).

MZK-ja nënkupton një proces të bazuar në rregulla për zgjidhjen e kontesteve që mund të lindin ndërmjet dy apo më shumë Palëve të përfshira në tregti. “Për të parandaluar efektin e dëmshëm në tregtinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Palëve të CEFTA-s, duhet të kapërcehen barrierat tregtare dhe të zgjidhen kontestet.

Qëllimi i negociatave të vazhdueshme është krijimi i një mekanizmi të shpejtë, transparent, të adaptueshëm dhe ekonomik për zgjidhjen e kontesteve. Një sistem i tillë duhet të udhëhiqet nga rregulla, të jetë i pavarur, i paanshëm dhe përfundimisht i aftë të garantojë mbrojtje dhe zbatim. MZK i përmirësuar pritet të kontribuojë ndjeshëm në integrimin në kuadër të CEFTA-s, përmes parashikueshmërisë më të madhe”, pohoi z. Emir Gjikiq, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.David Hudson nga Drejtoria e Komisionit Evropian për Politika e Zgjerimit dhe Fqinjësisë (DG NEAR) theksoi se të pasurit e “një mekanizmi efektiv për zgjidhje të kontesteve u jep tregtarëve dhe investitorëve besim për ndërtimin e biznesit me tregje të reja. Kjo është arsyeja pse puna në kuadër të CEFTA-s për një mekanizëm të përmirësuar për zgjidhje të kontesteve është kaq e rëndësishme për nxitjen e tregtisë në Ballkanin Perëndimor. Është duke u bërë progres dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të arrihet një marrëveshje”.Duke e pranuar rëndësinë e miratimit të mekanizmit efektiv të CEFTA-s për zgjidhje të kontesteve, znj. Jovana Kruniq, Drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi theksoi se finalizimi i negociatave për Protokollin Shtesë 7 për Zgjidhjen e Kontesteve është përcaktuar si një nga Prioritetet e Kryesimit të CEFTA-s 2023, si dhe i inkurajoi të gjitha Palët e CEFTA-s që të vazhdojnë me qasjen konstruktive në negociata me qëllim mbylljen e çështjeve të mbetura të hapura dhe përfundimin e negociatave gjatë këtij viti dhe kryesimit të Malit të Zi.

Ajo nënvizoi se një mekanizëm për zgjidhje të kontesteve që funksionon mirë mund të sjellë shumë përfitime për marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe Palët e saj.

Mekanizmi mund të ndihmojë në parandalimin dhe zgjidhjen e kontesteve tregtare në kohën e duhur dhe në mënyrë efikase, duke ulur kështu pasigurinë dhe duke rritur parashikueshmërinë për bizneset dhe investitorët. Kjo mund të nxisë edhe pajtueshmërinë me rregullat dhe zotimet e marrëveshjes, duke ndikuar kështu edhe në nxitjen e kushteve të barabarta për të gjitha Palët.

Negociatat për Protokollin Shtesë 7 të CEFTA-s u iniciuan në vitin 2020 dhe janë të frymëzuara nga sistemi i OBT-së dhe modeli i BE-së. MZK përfshin konsultim ose negocim, ndërmjetësim dhe arbitrazh për të lehtësuar zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta ndërmjet Palëve në konteste. Protokolli Shtesë 7 do të rregullojë procedurat e ndërmjetësimit, rregullat e konsultimit, procedurat për zgjidhje të kontesteve, procedurat e pajtueshmërisë, shqyrtimin e pajtueshmërisë dhe Kodin e Sjelljes për anëtarët e trupës së arbitrazhit, përveç dispozitave të përgjithshme në lidhje me afatet, kostot dhe logjistikën.

Lexo: Pse dhimbjet e kokës vijnë gjithmonë në të njëjtën kohë?

Negociatat për Protokollin Shtesë 7 mbështeten nga projekti i UNCTAD-it “Monitorimi dhe raportimi i masave jo-tarifore, dhe mbështetja për zbatimin e Mekanizmit të CEFTA-s për Zgjidhje të Kontesteve”, me financim nga Komisioni Evropian. “Projekti u ofron negociatorëve asistencë ligjore, në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje për një mekanizëm modern dhe efektiv.

Aktivitete të tjera të ndërlidhura do të mbështesin zbatimin e AP7 sapo të miratohet dhe do të rrisin vetëdijesimin e bizneseve. Ai gjithashtu do të mbështesë përpjekjet për monitorimin e MJT-ve dhe transparencën e rregulloreve në lidhje me tregtinë”, tha përfaqësuesi i UNCTAD-it.

“Konfliktet tregtare lindin natyrshëm dhe zgjidhje efektive e tyre ndihmon edhe në parandalimin e barrierave dhe mbështet një treg të zgjeruar e më të madh për kompanitë. Ne i shohim palët e CEFTA-s që gjenerojnë biznes në shkallë më të gjerë, dhe po i sheshojnë pengesat që u dalin rrugës duke pasur një mekanizëm efektiv për zgjidhje të kontesteve”, shtoi UNCTAD-i.

Rregullat aktuale për zgjidhjen e kontesteve janë përcaktuar në Marrëveshjen e CEFTA-s. Mekanizmi fillestar për zgjidhje të kontesteve rezultoi i paefektshëm për realitetin e ri dhe kërkonte reforma serioze për shkak të përdorimit të kufizuar të tij, pasi që forcimi i bashkëpunimit ekonomik çoi në rritjen e flukseve tregtare dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Palëve.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0