Nga Daniel Gros- Gati gjashtë muaj pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli tarifat e tij ultra të larta “reciproke”, në kundërshtim të hapur me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) sistemi global i tregtisë duket se po i reziston mirë goditjes. Asnjë ekonomi e madhe nuk e ka ndjekur shembullin e tij, ndërkohë që, sipas të dhënave të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD), vëllimi i tregtisë botërore është rritur me rreth 300 miliardë dollarë vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025.
Shumica e vendeve duken të ndërgjegjshme se tarifat e Trump-it janë ekonomikisht irracionale. Por, shpesh, ekonomia nuk është qëllimi kryesor: ai i përdor tarifat për të ndjekur objektiva gjeopolitikë ose për të shfryrë pakënaqësitë personale. Rasti më i qartë është ai i tarifës 50% mbi Brazilin, e vendosur si ndëshkim për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili akuzohet për nxitje të një përpjekjeje grushti shteti në vitin 2023, të frymëzuar nga vetë Trump.
Megjithatë, Trump ka këmbëngulur gjithnjë se tarifat janë çelësi për përmirësimin e bilancit tregtar të SHBA-së. Për këtë arsye, tarifat e tij “reciproke” pretendohet se reflektojnë madhësinë e deficitit amerikan me secilën ekonomi. Por ekonomistët, në përgjithësi, hedhin poshtë këto pretendime, duke paralajmëruar se tarifat vetëm sa do të ulin vëllimin total të tregtisë amerikane – si eksportet, ashtu edhe importet. Deri tani, faktet u kanë dhënë të drejtë.
Të dhënat e shkurtra afatshkurtra janë të vështira për t’u interpretuar, pasi importet u rritën ndjeshëm në fillim të vitit në pritje të tarifave. Por, sipas logjikës së Trump, ky “kulm” duhej të ishte kompensuar tashmë nga një rënie e mëvonshme e importeve. Në vend të kësaj, importet amerikane në gjysmën e parë të 2025 kanë qenë më të larta se në 2024. Deficiti mujor i tregtisë së mallrave në korrik arriti në 103 miliardë dollarë – pothuaj identik me një vit më parë – ndërsa deficiti kumulativ i SHBA-së në gjysmën e parë të vitit ishte 160 miliardë dollarë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ka dy arsye kryesore pse kërkesa për importe nuk është lëkundur: ekonomia amerikane po ecën fort, dhe tarifat reale të aplikuara janë, mesatarisht, shumë më të ulëta nga ato që Trump shpalli në prill. Në fakt, ai i “pezulloi” pothuaj menjëherë, duke hapur rrugën për një seri të paqëndrueshme kërcënimesh, tërheqjesh, marrëveshjesh të paqarta dhe pezullimesh. Këtu përfshihen edhe “marrëveshje” me Japoninë dhe Britaninë e Madhe, me tarifa 10-15%, të lidhura me kushte për investime e energji.
Lexo edhe: Globalizimi ka vdekur, por planetarizimi ende s’ka lindur!
Pasi politika tarifore ndryshon kaq shpesh, është e vështirë të përcaktohet një panoramë e qartë. Vetëm sistemi i klasifikimit të mallrave i OBT-së ka rreth 15,000 linja tarifore, dhe mbi 150 partnerë tregtarë të SHBA-së mund të përballen me norma të ndryshme në çdo moment – duke sjellë mbi dy milionë tarifa të ndryshueshme.
Megjithatë, një tregues i qartë është raporti mes të ardhurave nga tarifat dhe importeve. Në korrik, SHBA grumbulloi 28 miliardë dollarë të ardhura doganore, ose 10% e importeve mujore (283 miliardë dollarë). Ky nivel është më i lartë se në janar, por ende i pamjaftueshëm për të ndryshuar rrjedhën e tregtisë.
Në praktikë, rritja e tarifave ka qenë më e kufizuar se sa sugjerojnë deklaratat e Shtëpisë së Bardhë, gjë që shpjegon pse ndikimi mbi inflacionin ka qenë i butë. Shumë importe, si ato nga Kanadaja, hyjnë ende pa tarifa. Në anën tjetër të spektrit, importet nga Kina përballen me tarifa mesatare 40%, ndërsa Bashkimi Evropian është në mes: rreth 60% e eksporteve të tij janë të tarifuar, zakonisht në nivelin 15%, me përjashtim të makinave (25%).
Marrëveshja e fundit BE-SHBA konfirmon se aleatët amerikanë janë ende në një pozicion më të favorshëm sesa rivalët si Kina. Vetëm Kanadaja dhe Meksika mbeten më të mbrojtura, falë marrëveshjes USMCA, që de facto vijon të funksionojë.
Në fund të ditës, “kafshimi” i Trump ka rezultuar më i butë sesa “lehnat” e tij. Politikat e tij tarifore kanë ndikim të kufizuar mbi rrjedhat tregtare dhe gjasat janë që nuk do ta ndryshojnë sistemin global – për sa kohë pjesa tjetër e botës mbetet e angazhuar ndaj tregtisë së hapur.
*Daniel Gros është Drejtor i Institutit për Hartimin e Politikave Evropiane në Universitetin Bocconi.
Të drejtat e rezervuara: Project Syndicate
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto