Shefi i restorantit, Bledar Kola, këto ditë është kthyer në Tiranë me dy çmime të rëndësishme. Në 28 Nëntor ka arritur që në një garë me 30 shefa kuzhine nga e gjithë bota, trahananë shqiptare ta rendisë në vendin e tretë. Po, po, trahanaja jonë, e gatuar me mjeshtëri nga Kola ka zënë vendin e tretë në Montekarlo, si pjata më e mirë!
Një ditë pas këtij suksesi, Bledar Kola ka fluturuar drejt Milanos për të marrë pjesë në një tjetër aktivitet të rëndësishme atje.
Guida prestigjoze italiane “guidaidentitagolose.it” për botën gastronomike, nga Shqipëria ka zgjedhur restorant “Mullixhiun” në Tiranë, si më prestigjiozin.
Kështu, “Mullixhiut”, i shtohet një certifikatë e rëndësishme, e cila lumturon shefin e tij, por edhe e vesh me përgjegjësi më të mëdha, për të ruajtur cilësinë, pa asnjë kompromis.
Shef Bledar Kola duket sikur ka lindur në kuzhinë. Ai ushqehet nga aroma e saj dhe në këtë intervistë na tregon për këto dy arritje të rëndësishme, që besojmë se nuk do të jenë të fundit për të.
Nga biseda kuptojmë se Bledari është mësuar të vrapojë arave në fëmijëri, ka të ngulitur në kokë aromën e barit të njomë dhe për këtë arsye kuzhina që ai ofron ka një lidhje të pandashme me natyrën. Ndaj, kur shkon në restorantin e tij të duket sikur je zhvendosur në një copëz natyre…
-Bledar, fundi i Nëntorit ka qenë i mbushur me aktivitete për ty, ke marrë pjesë në një konkurs në Monako, me një pjatë shumë interesante shqiptare. Na zbulo diçka më tepër?
Po, në fund të Nëntorit që rastësisht përkonte edhe me festat tona kombëtare, isha i ftuar në Montekarlo nga World Gourmet Society (WGS). WGS është një shoqatë gastronomike ku janë të anëtarësuar mbi 850 shefa kuzhine nga e gjithë bota. Çdo vit WGS organizon një konkurs të quajtur pjata më e mirë e vitit, ku secili nga shefat konkurron me një pjatë. Unë këtë vit mora pjesë me një pjatë shqiptare dhe pikërisht me trahananë.
-Pse zgjodhe pikërisht trahananë?
Trahanaja është një nga ushqimet më të vjetra në histori, e përdorur pothuajse nga i gjithë Mesdheu lindor. Përdorimi i trahanasë daton që nga trakët, ilirët, romakët, grekët, maqedonasit dhe më vonë edhe otomanet. Trahananë e zgjodha enkas për të sfiduar konceptin e kuzhinës tradicionale dhe për të demonstruar që në embrionin e kuzhinës së një vendi janë produktet lokale.
-Në videon prezantuese, trahanaja jote është ndryshe nga ajo çka njohim, na trego pak më shumë për këtë recetë?
Është e vërtetë që trahanaja me të cilën jam prezantuar nuk është trahanaja që ne njohim si tradicionale shqiptare. Në fakt secila nga kuzhinat që e përdorin trahananë kanë nga një recetë të ndryshme. Recetat dhe teknikat kanë migruar së bashku me njerëzit nga një vend në tjetrin dhe kanë evoluar me kalimin e kohës. Me recetën time jam munduar që të jap edhe unë kontributin tim në evoluimin e kësaj pjate kaq të përhapur në rajon.
-Kjo pjatë, pra trahanaja u rendit në vendin e tretë në Montekarlo, vlerësim i mirë sipas teje?
Po mendoj që ishte vlerësim i mirë, padyshim që do të doja të kishte zënë vendin e parë, por si koncept sfidues që ishte si pjatë, mendoj që mori një vëmendje të merituar, aq më tepër kur pjata vinte nga një vend i vogël si Shqipëria.
-Interesant duket fakti që kjo recetë, e cila në Shqipëri personifikon varfërinë, ka fituar në një nga vendet me të pasura në botë…
Është e çuditshme pse në Shqipëri personifikon varfërinë, pasi trahanaja është një nga ushqimet më të shëndetshme dhe nëse të varfrit hanë shëndetshëm atëherë unë dua të jem i varfër!
Në opinionin tim pjata është vlerësuar pasi është një pjatë minimaliste, me pak elemente dhe përdorimin minimal të produkteve të përpunuara industriale. Në të njëjtën kohë është vlerësuar pasi kjo pjatë në një farë mënyre tregon një përpjekje për hapat e para të kuzhinës shqiptare të ri-vizituar.
-Pas këtij aktiviteti, fluturove drejt Italisë për të marrë pjesë atje në një tjetër aktivitet. Çfarë ishte?
Po është e vërtetë, direkt pas eventit në Montekarlo, fluturova në Milano në një aktivitet tjetër shumë të rëndësishëm ku isha i ftuar. Ishte eventi i prezantimit të listës së restoranteve të Guida Identita Golose dhe ishim të ftuar pasi Restorant Mullixhiu ishte listuar në këtë guidë.
-Sa e rëndësishme është kjo guidë?
Gudia Identita Golose është një nga guidat më të rëndësishme në Itali, me pothuajse të njëjtën rëndësi si Guida Michelin. Në këtë guidë janë të listuar të gjitha restorantet më të mira në Itali dhe në botë.
-Është hera e parë që një restorant shqiptar përfshihet në të apo jo?
Shqipëria futet për herë të parë në këtë guidë dhe po ashtu ndihemi krenar që ne si “Mullixhiu” kemi kontribuar për ta vendosur Shqipërinë përkrah vendeve të tjera. Në rajonin tonë, të vetmet vende që janë të përfaqësuar në këtë guidë janë Kroacia, Sllovenia dhe Greqia, ndërsa tani edhe Shqipëria.
-Sa të vlerësuar ndjeheni për këtë fakt?
Ndjehemi shumë të vlerësuar, por edhe nën presion pasi tani na duhet të përmbushim pritshmeritë e një klientele më të rafinuar.
– Bledar, “Mullixhiu” për pak muaj mbush dy vjeç, si ka qenë kjo periudhë për ju dhe çfarë pëlqejnë më shumë klientët tek restoranti juaj?
E gjitha filloi me një ide, që u kthye në pasion, një pasion që u transformua në vizion, e dalëngadalë u bë misioni ynë. Me besimin tek vlerat autentike të kuzhinës shqiptare, “Mullixhiu” hapi dyert e veta rreth Marsit të 2016-ës, dhe e gjithë kjo periudhë ka qenë shumë intensive. Në këto 20 muaj për restorant “Mullixhiu” janë shkruar më shumë se 30 artikujt në gazeta, revista apo portale të njohura ndërkombëtare dhe kjo na bën të ndihemi krenarë që Shqipëria krahas restorantit tonë po renditet si një atraksion kulinar.
Po të huajt, çfarë duan më tepër kur vijnë te “Mullixhiu”?
Të huajt pëlqejnë të eksplorojnë të gjitha llojet e pjatave, dhe padyshim preferojnë menynë e degustimit që ne e quajmë Metamorfoza.
-Sa mundësi kemi që ta kthejmë Shqipërinë edhe në një destinacion gastronomik?
Shqipëria i ka të gjitha elementët që nevojitën për t’u kthyer në një destinacion gastronomik, ka malet, fushat, lumenjtë, liqenet, detin, pyjet dhe klimën që na favorizon për të pasur një lëndë të parë fantastike, e cila është e domosdoshme për kuzhinën e një vendi. Në anën tjetër, ne kemi shumë shefa kuzhine të talentuar që kanë punuar jashtë Shqipërisë, të cilët janë kthyer e po sjellin eksperiencat dhe pasionim e tyre në këtë vend.
/Entela Resuli për Gazeta Dita
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.